DETAJE/ Sot Këshilli Politik ka gati amendimet për Kodin Zgjedhor. Si ndryshon KQZ-ja e teknologjia në zgjedhje

Ekspertët e Reformës Zgjedhore për një javë kanë ‘zbërthyer’ dokumentin e firmosur në 5 qershor nga katër anëtarët e Këshillit Politik, nënshkrim që u bë në sytë e ndërkombëtarëve.

Gjatë javës së shkuar rinisi punën dhe Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, por ekspertët e palëve dhe të pavarurit kanë vijuar punën dhe tashmë është gati drafti për ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do të dorëzohet në Kuvend.

KOHA ZGJEDHORE

Tashmë është zyrtare që data e zgjedhjeve do të caktohet në periudhën zgjedhore nga 15 prilli deri në 15 maj ose nga 15 tetori deri në 15 nëntor dhe qendrat e votimit hapen në orën 7:00 dhe mbyllen në orën 19:00.

Ndryshime të shumta do të ketë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili tashmë do marrë emrin Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve dhe do ketë në përbërje të tij Komisioni Rregullator dhe Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve.

Sipas draftit të ekspertëve Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve do ushtrojë kompetencat ekzekutive dhe kryekomisioneri do të zgjidhet nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për një mandat 7-vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje.

KQZ-JA

Nga ana tjetër Komisioni Rregullator (Rregullator) është organi kompetent për miratimin e akteve me karakter normativ në fushën e zgjedhjeve dhe vendosjen e rregullave për zgjedhjet. Rregullatori përbëhet nga pesë anëtarë, nga të cilët njeri ushtron detyrën e kryetarit.

Një institucion tjetër që krijohet do të jetë dhe Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) është organ kompetent për shqyrtimin e ankimimeve administrative dhe për vendosjen e sanksioneve për shkelje të ligjit zgjedhor. KAS-i përbëhet nga pesë anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për një mandat 9-vjeçar, sipas procedurës së përcaktuar në këtë ligj.

TEKNOLOGJIA

Një ndër pikat që hasi debate mes palëve në Këshillin Politik është dhe teknologjia në zgjedhje. Sipas draftit të ekspertëve, i jepet të drejtë KQZ-së të eksplorojë, eksperimentojë dhe të vendosë përdorimin në zgjedhje të sistemeve të teknologjisë së informacionit, për të mbuluar aspekte të veçanta të procesit zgjedhor.

Por KQZ është e detyruar që përdorimin e sistemeve të teknologjisë së informacionit ta zbatojë në zgjedhje nëpërmjet projekteve pilot, në jo më pak se 10 përqind të numrit të zgjedhësve për çdo fazë të implementimit. KQZ-ja ka të drejtë të instalojë dhe përdorë sisteme video-monitorimi në qendrat e votimit, si dhe kur bëhet numërimi manual i votave.

FINACIMI I PARTIVE

Në draftin e Kodit Zgjedhor është parashikuar dhe ndërhyrja për financimin e partive. Sipas dokumentit mësohet se partitë do të kenë mundësi që të bëjnë reklama gjatë fushatës, por media nuk mund të publikojë materiale të parapërgatitura.

Për sa i përket financimit të partive, bëhet me dije se do të mund të përfitojnë para nga buxheti i shtetit, forcat politike që kanë siguruar jo me pak se 1% të votave në zgjedhjet e kaluara./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne