Opinion

“Dialog në emër të së ardhmes: Rusia dhe Bota rreth një shekulli”

Nga Hajdi Xhixha

Me iniciativën e organizimin e Qendrës “Primakov” si dhe të Fondit “Gorçakov” u mbajt në Moskë Konferenca shkencore me titull : “ Dialog në emër të së ardhmes : Rusia dhe Bota rreth një shekulli”. Viti 2017 ishte dhe viti i 100-ndtë i Revolucionit rus të vitit 1917, i cili njihet në histori si revolucioni i madh, që solli koncepte e ndryshime të mëdha jo vetëm në politikën ruse, por dhe në arenën ndërkombëtare. Rreth 45 përfaqësues të vendeve të ndryshme, si ish-republikat sovjetike, të vendeve europiane dhe aziatike, njohëstë politikave, veprimtarë socialë, diplomatë të rinj, gazetarë etj, në kuadër të dialogut shkëmbyen opinionet e tyre me ekspertë rusë e të huaj të fushave të politikës e sigurisë mbi problematikat aktuale në botë. Iu dha një rëndësi e veçantë diskutimit nëse Revolucioni rus i vitit 1917 mbeti një histori, apo një politikë, që ndihet ende edhe sot. Edhe pse rusët vetë ndajnë mendime të ndryshme rreth kësaj çështjeje, ata bashkohen rreth një ideje: e gjithë bota ruse sot ekziston falë këtij revolucioni. Shumë nga pjesëmarrësit e Konferencës ndanin mendimin se 100 vite është shumë pak për të analizuar hollësisht e me objektivizëm ngjarjet e ndodhura. Dy organizatorët e kësaj Konference janë:

1.Qendra për Bashkëpunim në politikat e jashtme “E.M.Primakov” ka si mision të sajin akumulimin dhe zhvillimin e trasëgimisë intelektuale të Evgenij Promakovit, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në nivel eksperto-shkencor në kuadër të zhvillimit të procesit të politikës së jashtme. Qendra “Primakov” zhvillon takime me përfaqësues të politikës ruse e asaj botërore, të shkencës si dhe organizon aktivitete në nivel studiuesish të rinj të shkencave ndërkombëtare.

2.Fondi mbështetës i diplomacisë publike “A.M.Gorcakov”, i cili është një organizatë jofitimprurëse, që merret me studimet mbi politikën e jashtme ruse dhe mbështetjen e studiuesve, ekspertëve dhe iniciativave sociale në fushën e diplomacisë publike. Ky fond merret me organizimin e Konferencave shkencore, tavolinave të rrumbullakta, leksione publike, seminare pune etj..

Të dy këta organizatorë zhvilluan konferencën shkencore me titull “Dialog në emër të së ardhmes: Rusia dhe Bota rreth një shekulli”, mbajtur në Moskë më 15 – 21 nëntor. Sa herë, që përmendet emri i Rusisë, instiktivisht i referohemi ose të shkuarës, ose kulturës e shkencës, ose politikave ndërkombëtare në kohë e në realitet. Kësaj rradhe po i referohemi shkencës e punës kërkimore, parë nga këndvështrimi si pjesëmarrëse në Konferencës shkencore të lartpërmendur: “Dialog në emër të së ardhmes: Rusia dhe Bota rreth një shekulli”. Temat e trajtuara në Konferencë ishin të larmishme dhe kryesisht preknin problematikat aktuale ndërkombëtare. Tema të tilla si: Shpresa e frika nga viti 1917 e viti 2017, ngjashmëritë dhe dallimet, apo –Forca, morali dhe e drejta në politikën botërore, “Deficiti i sigurisë si një realitet i ri i botës bashkohore”, “Trendet bashkohore në Euroazinë e Madhe”, “Hapësirat kibernetike në kontekstin e sigurisë ndërkombëtare e stabilitetit strategjik”, “Marrëdhëniet Rusi- Perëndim në kërkim të një balance”, etj., drejtuar nga emra si: Aleksandër Evgenievic Konjkov (Drejtor qendrës ndërkombëtare analitike “Rethinking Russia”, Artem Artemovic Kobzev (producent i portalit iz.ru), Andrej Olegovic Bezrukov (këshilltar i Presidentit të Kompanisë “Rosnieft”), Aleksaj Valerievic Fenenko (Docent i Katedrës së Sigurisë Ndërkombëtare në Universitetin Llomonosov),etj.. Të gjitha këto diskutime ishin shumë të vlefshme për t’u njohur me këndvështrimin rus mbi problematikat e shumta ndërkombëtare, që shqetësojnë jo vetë Rusinë, por mbarë botën. Eksperienca më e bukur e gjithë kësaj konference ishte diskutimi me kreun e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, z.Sergej Lavrov, cili, ashtu siç u shpreh dhe vetë “ në emër të ekuilibrit dhe drejtësisë, ndau me pjesëmarrësit e konferencës këndvështrimet e veta mbi konfliktet e problematikat ndërkombëtare, duke u ndalur gjatë mbi ato me vendet e Azisë Qendrore. Ai u ndal gjithashtu, në rëndësinë, që Rusia ika dhënë luftës për parandalimin e terrorizmit, si një plagë e madhe në Rusi,por edhe përtej saj, si dhe çështjes së perfeksionimit të sistemeve të sigurisë në kuadër të bashkëpunimit humanitar. Diskutimi me Ministrin e jashtëm rus, zgjati më pak sesa ishte planifikuar, për shkak të axhendës së ngjeshur të tij dhe kjo ishte arsyeja, që shumë nga pjesëmarrësit nuk arritën të drejtonin pyetjet e tyre Ministrit.

Pjesëmarrësit në konferencë ishin nga qytetet si: Pekini, Berlini, Tashkenti, Minski, Erevani,Tbilisi, Bishkeku, Londra, Tiraspoli, Sevastopoli, Bukureshti, Doneck, Beogradi, Kishinjevi, Tirana etj., të cilët përmes diskutimeve të tyre, ndanë dhe gjykimin e tyre vetjak mbi politikat ndërkombëtare botërore dhe problematikat e tyre. Të gjitha këto diskutime,rrahje mendimesh, shkëmbime eksperiencash i bënë akoma më të qarta problemet, duke qartësuar edhe qëndrimet politike të vendeve të tyre në arenën ndërkombëtare, por mbi të gjitha, treguan këdvështrimet e qëndrimet ruse përballë konflikteve dhe problemeve të shumta në botë./ KJ