DISA KONSTATIME “SHKENCORE” MBI PREZENCËN E SHQIPTARËVE NË MAQEDONI

Nga: Fejzulla ABDULLAI, Detroit (SHBA)

DISA KONSTATIME “SHKENCORE” MBI PREZENCËN E SHQIPTARËVE NË MAQEDONI NË LIBRIN: “СОЦИОЕКОНОМСКА ГЕОГРАФИЈА НА РЕПУБЛИКА МАКЕДОНИЈА” (“GJEOGRAFIA SOCIOEKONOMIKE E REPUBLIKËS SË MAQEDONISË”), TË AUTORËVE d-r ALEKSANDAR STOJMILLOV DHE d-r BILJANA APOSTOLLOVA-TOSHEVSKA

Në vitin 2016 është botuar libri univerzitar me titullin e lartë përmendur i autorëve dr.Aleksandar Stojmillov dhe dr.Biljana Apostollova – Toshevska. Libri është i shkruajtur në gjuhën maqedone, përfshin 368 faqe (botim i dytë i plotësuar).

Materiali është mjaft studimor duke përfshirë në mënyrë të detajuar tërë problematikën demografike dhe ekonomiko-gjeografike të Maqedonisë. Është shkruajtur, siç shprehen vetë autorët, në bazë të konceptit bashkëkohor gjeografik, duke prezentuar material nga një përvojë mësimore-shkencore shumë vjeçare të autorit të parë (Aleksandar Stojmillov), e fituar në kërkimet shkencore të gjeografisë socio-ekonomike dhe nga ligjërimi i tij në mësimin univerzitar. Madje, qysh në parathënien e librit, autorët vënë në dukje se gjatë shkrimit të materialit janë përdorur rezultatet më të reja nga gjeografia socio-ekonomike dhe disiplinat e ngjajshme.

Materiali në tekst është i paraqitur në dy pjesë tematike: në socio-gjeografike dhe ekonomike-gjeografike.

Në pjesën e parë materiali është i ekspozuar në dy pjesë kryesore:

  1. Popullsia
  2. Vendbanimet.

1.Popullsia ndahet në tre kapituj: popullsia dhe proceset etno-gjenetike, popullsia në Republikën e Maqedonisë dhe lëvizjet migratore. Këtu është përpunuar popullimi i territorit të Maqedonisë dhe proceset etnografike që qenë zhvilluar në të kaluarën në hapësirën e vendit si tërësi gjeografike. Posaçërisht kujdes i veçantë i është kushtuar popullsisë dhe popullimit në Maqedoni në periudha të caktuara historike dhe ndikimet etno-gjenetike. Qëllimi i autorëve ka qenë që të sqarohej etnogjeneza e kombit maqedon dhe prezenca e numërt të pakicave që këtu jetojnë. Madje në mënyrë të detajuar janë përpunuar karakteristikat demografike të popullsisë në Republikën e Maqedonisë si shtet më vete, duke i përdorur të dhënat statistikore nga të gjithë regjistrimet zyrëtare gjer në vitin 2002. Lëvizjet migratore janë treguar veçmas në migrimet e brendshme dhe të jashtëme.

2.Në Republikën e Maqedonisë veç janë përpunuar vedbanimet rurale dhe veç ato urbane, duke e treguar zhvillimin historik të tyre në hapësirë dhe ndryshimet popullative.

Në pjesën ekonomike-gjeografike janë të eksponuara:

  1. Bujqësia,
  2. Pylltaria,
  3. Industria e xehtaria
  4. Komunikacioni
  5. Tregëtia
  6. Turizmi

Gjatë leximit të librit vemendjen tonë e tërhoqi teksti ku autorët japin konstatimet e tyre mbi popullimin, përbërjen etnike të popullsisë që jeton në territorin e Republikës së Maqedonisë dhe mbi lëvizjet migratore të jashtëme e të brendëshme. Ndaj në vazhdim të këtij shkrimi nuk do të bëjmë ndonjë analizë të materialit në tërësi, por do të përmbahemi vetëm për këto dy elemente demografike.

Popullimi dhe përbërja etnike e Maqedonisë prej kohës antike gjer në kohën e sotme

Territori i Maqedonsë, sipas autorëve të librit, qysh në kohën e neolitit qe i populluar me një popullsi etnikisht të përzierë. Aty së pari pat jetuar një grupë që përfaqësonte pjesë të popullsisë nga Mediterani Lindor. Mirpo, më vonë, me depërtimin e popujve nga podunavja, kjo popullatë qe zhdukur. Duke iu referuar burimeve antike, në këtë periudhë, ata vënë në dukje se në Maqedoni si grupe të veçanta kanë jetuar 7, ato janë: 1. Desaretët, përgjatë bregut të Liqenit të Ohrit; 2.Penestët, shtriheshin në veri të tyre, ndoshta në pellgun e Treskës; 3. Linkestët, popullonin rrethirën e Manastirit; 4. Deuripët, në rrethirën e Përlepit; 5. Pellagonët, në Pellagoni, në mes të Linkestëve dhe Deuritëve; 6. Peonët, e popullonin luginën e Vardarit dhe 7. Dardanët, popullonin një hapësirë më të gjerë, rrethirën e Shkupit, Pollogut dhe Kumanovës e më gjerë. Kjo popullatë që, sipas tyre, i pat paraprirë Maqedonëve antikë, dhe që pat jetuar para rreth 4,5 mijë vjet, nuk i ka takur grupit indoeuropjan të popujve.

Në periudhën e parë të epokës së metalit, paraqiten popujt e parë indoeuropjanë. Kjo kohë, vënë në dukje këta autorë, paraqet indoeuropianizimin e popullsisë në Maqedoni. Tani në Gadishullin Ballkanik imigrojnë Ilirët, Trakasit, Helenët dhe Maqedonët e lashtë. Ilirët e popullonin perëndimin e gadishullit, Trakasit lindjen, Helenët jugun dhe Maqedonët e lashtë e popullonin pjesën qendrore të gadishullit, në luginën e Vardarit, Bistricës, Strumës dhe Mestës. Për këta të fundit u ditka shumë pak në histori. Ndoshta ky popull i lashtë qe asimiluar nga popujt e tjerë. Jetonin në mes Ilirëve, Trakasve dhe Helenëve. Në përbërjen e Maqedonëve të lashtë, këtu autorët përmendin mjaft fise maqedonase.

Popullimi i Sllavëve në Maqedoni, siç është e njohur, fillon ndokund në fund të shekullit VI dhe fillimit të shekullit të VII. Këtu emrin e tyre Sllavët e muarë prej emrit gjeografik të Maqedonisë, ndaj sipas tyre u quajtën Sllavo Maqedonë (Македонски Словени). Këtu autorët japin sqarim edhe mbi krijimin e popullit (kombit) Maqedon.

Në mesjetë, përkatësisht në territorin e Maqedonisë, nga lindja depërtojnë Turqit. Me vendosjen në këto hapësira, Turqit që ta përforconin pushtetin e tyre, paskan bërë kolonizimin e Maqedonisë. Rreziku që kërcënohej prej tyre, qe mundësia i asimilimit të popullatës vendase maqedonase. Ndër kohë fillon edhe proçesi i pranimit të fesë islame nga një pjesë e popullatës.

Shqiptarët në territorin e Maqedonisë nuk janë të ardhur, por vendas

Pas depërtimit të turqëve në Ballkan, përkatësisht në territorin e Maqedonisë, paska filluar depërtimi i Shqiptarëve. “Në popullatën myslimane shqiptare, turqit shihnin fuqinë kryesore të tyre në luftë kundër popullatës së panënshtruar maqedonase”, pohojnë këta autorë. Madje, sipas tyre, për popullimin e shqiptarëve në Maqedoni paska ekzistuar traditë e fuqishme popullore[1]! Sipas konstatimeve të tyre, shumë Shqiptarë e paskan ditur fisin e tyre dhe vendin prej ku paskan emigruar të parët e tyre. Numri më i madh i shqiptarëve maqedonas (македонски Албанци, kështu shprehen ata) i paskan takuar Gegëve nga këto vende të Shqipërisë: Malësia, Dukagjini, Mirdita, Mati, Luma e tj. Vetëm një pjesë e vogël prej 10% i takuakan Toskëve. Këta paskan emigruar nga Shqipëria jugore: nga rajoni i Çamërisë, Kolonja, Mokra, Pogradeci, Korça, Elbasani dhe Berati. Në Maqedoni qenë ngulitur në pjesën jugperëndimore, rreth qarkut të Strugës, Resnjës dhe Manastirit. Madje, ata pohojnë se një pjesë e fiseve shqiptare që vetë u quajtkan vendas të vjetër i takuakan popullatës maqedonase e cila gjatë sundimit turk pat pranuar besimin islam dhe gradualisht qenka shqiptarizuar (албанизирано). Disa prej këtyre prejardhjen e paskan nga turqit, romët dhe çerkezët e ndonjëhershëm. Ky është një konstatim absurd që shqiptarët që jetojnë me shekuj në trojet e veta në Maqedoni, të pranojnë se qenkan tërësisht të ardhur nga Shqipëria! Ardhja e një pjese të familjeve shqiptare në hapësirat e Maqedonisë nga Shqipëria, vetëm e ka përforcuar aty etnosin autokton shqiptar.

Me disa fjalë përmendet edhe për romët, të cilët, sipas tyre, origjinën e paskan nga India, nga shteti indus Penxhap. Në Maqedoni i paskan sjellë turqit, nëpërmjet Persisë dhe Azisë së Vogël. Në territorin e Maqedonisë i ka gati në tërë qytetet dhe në një numër të madh të fshatrave.

Këtu bije në sy se, veç shqiptarëve, edhe pakicat e tjera janë të ardhura. Si autoktone po del se është vetëm popullata shumicë maqedonase.

Tani parashtrohet pyetja: A është i saktë pohimi i tyre se shqiptarët të ngulitur në pjesën më të madhe të Maqedonisë perëndimore, jug-perëndimore dhe një pjesë në atë veriore dhe me numër pas maqedonasve, me fakte shkencore të cilët ata nuk po i përmendin, qenkan të ardhur? Nëse këtu do të ndërhynin pak më thellë, duke gërmuar edhe literaturë të autorëve josllavë dhe dokumentave arkivore të periudhës osmane të cilët ekzistojnë në arkivat, me siguri do të vinin në një përfundim tjetër më të realtë, se Shqiptarët nuk janë të ardhur, por vendas – autoktonë. Konstatimet nga observimet në terren me pyetjen e vetë popullatës (asaj të moshuar) nuk mund të merren si fakte bindëse për të ardhur në një përfundim të saktë. Ekziston mundësia që mjaft familje të kenë emigruar nga territori i kufijve të Shqipërisë aktuale dhe të jenë vendosur në teritorin e Maqedonisë së sotme. Kjo nuk do të thotë se tërë popullata shqiptare, e cila është mbi 25% në hapësirën e këtij vendi, të jetë e ardhur dhe joautoktone. Madje, nëse një popullatë lëviz brenda territorit të vet, nuk mund të quhet e ardhur. Këtu ata vetë po vinë në kundërshtim me vetveten kur thonë se në këto troje kanë jetuar, veç popujve të tjerë, edhe Ilirët, atëhere si mundet shqiptarët të mos jenë autoktonë, kur shkenctarisht është konstatuar se janë pasardhës të drejtpërdrejtë të këtij populli të lashtë. Mbi prejardhjen ilire të shqiptarëve, ja seç thotë ilirologu A. Stipçeviq: “…e kaluara dhe kultura e ilirëve është pjesë përbërëse e historisë nacionale… mbi të gjitha të shqiptarëve, për të cilët sot mund të thuhet se edhe shkenctarisht është e vërtetuar prejardhja e drejtpërdrejtë e tyre nga ilirët e vjetër”[2].

Teza e këtyre dy autorëve për mosprezencën e shqiptarëve në hapësirat në fjalë dhe shumë autorëve të tjerë sllavë që ndajnë mendimin e tyre, shkencërisht nuk mund të jenë të pranueshme nga disa arsye. Këtë e dëshmojnë dokumenta dhe burime të ndryshme. Madje, një ardhje e tillë masive nuk është e mundur edhe për arsye demografike. Kjo mund të shihet në dokumentat kadastrale osmane të shekullit XV e XVI ku në trojet e Maqedonisë perëndimore e më gjerë ka pasur disa here më tepër shtëpi se në trojet malore të Shqipërisë, pohon akademik Hivzi Islami[3].

Që nuk është i saktë konstatimi i tyre se shqiptarët nuk qenkan vendas në territorin e e Maqedonisë së sotme, unë do t’i referohem një literature tjetër ku qartë mund të shihen citime të një numër të dokumentave arkivore që dëshmojnë se shqiptarët nuk janë ardhacakë por autoktonë.

Në këtë anë të Maqedonisë, në mesjetë e më vonë, kanë jetuar edhe sllavomaqedonë (alloktonë) të përzjerë me shqiptarët. Historianët shqiptarë konstatojnë se luftërat Skënderbeu i pat bërë vetëm në territoret ku kanë jetuar shqiptarë. Për ekzistencën e shqiptarëve në këto troje, A.HANXHIQ, thotë se ata përmenden edhe në kohën e mbretërisë së Serbisë mesjetare të Stefan Vlladisllavit. Madje i përmend kristobulat e gjetura të Manastirin të Shën Nikollës (1942)? në Krajinë, në kristobulën e mbretëreshës Jelena (1280) e të njëjtit manastir, në kohën e mbretit Millutin (1296) në Manastirin e Vranicës, pastaj edhe në kohën e Stefan Dushanit, në Manastirin e Shën Mihajllit dhe Gavrilit (1348-1353), si dhe në Kanunin e Dushanit.

Në toponomastikën shqiptare mund të shihet se shumë emra të fshatrave kanë origjinë iliro-shqiptare. Kështu, për shembull, me këtë prejardhje janë fshatrat Arvat, Kurbinovë, Stenjë e Shtërbovë në rajonin e Prespës, në jugperëndim të Maqedonisë. Ekzistojnë edhe në vendet e tjerë të Maqedonisë. Po i përmendim disa prej tyre: fshati Arbanashka (në Manastir), Shutovë (në Kërçovë), fshati Lica- Lika (në Shkup), Likovë (në Kumanovë), Turanis (një mbishkrim i gjetur në Shkup), Turanica (ara, lugina), Bard-Bardh, Bardulis-Bardhyl, Bigor-Bigjur-mbi gur e tj. Siç shihet këto toponime flasin se aty kanë jetuar iliro-shqiptarët e jo sllavët e ardhur. Në literaturën shkencore mund të gjendet edhe një fakt historik me rëndësi: Car Dushani kur e okupoi Epirin (Çamërinë) dhe Thesalinë në vitin 1348 në hordhitë e veta ushtarake kishte shumë shqiptarë. Një autor bullgar thotë se në shekullin e 14 në Pollog, në mes popullatës sllave ka pasur edhe shqiptarë, të cilët janë marrë me blegtori. Në fshatin Karpinë të Tetovës prej sh.15 në vakëfin e Kejbir Mehmed Çelebisë, përmenden emrat e banorëve shqiptarë, Gin (Gjin), Gon (Gjon) e tj.

Rast me rëndësi shkencore që dëshmon prezencën e shqiptarëve në trojet e Maqedonisë Perëndimore, mund të shihet në veprën studimore të A. Selmani-it. Sipas këtij studiuese të dalluar në fushën shkencore në Maqedoni, në regjistrimet osmane të sh. 15, në defterin Top-Kapı Müzesinin Arşivi – Defteri, nr.7933, mund të shihet emri “Mahalla Arnavut” në qytetin e Kërçovës. Kjo është koha e sundimit të Sulltan Pajazit II ku është bërë një regjistrim sipas përkatësisë kombëtare. Po i përmendim disa emra shqiptare në mëhallën e përmendur, e cila ka qenë e banuar me shqiptarë të krishterë: Gjuro, i biri Vlatkos, Vlojko, i biri Gjonit, Dimjo, i biri i Gjeorgjios, Juvani, i biri Pejos, Petko, i biri Ninës (Nina), e tj. Gjithsej kjo mëhallë shqiptare në sh. e 15 ka numëruar 52 shtëpi (shih më gjerë në veprën e A. Selmani-it, “POPULLSIA EMAQEDONISË”, Shkup, 2004).

Mbi prezencën shqiptare në territorin e Maqedonisë flet edhe gazetarja angleze, Edith Durham, në librin “NJËZET VJET NGATËRESA BALLKANIKE” (ribotuar në Tiranë 2001). Aty ajo i përshkruan përshtypjet e saja gjatë qëndrimit në vendet ballkanike në fillim të shekullit XX, duke përshkruar edhe përbërjen etnike të disa qyteteve.

Nga këto pak të dhëna mund të shihet se dy autorët e këtij libri, ose “nuk kanë ditur”, ose nuk e kanë pranuar realitetin e fakteve shkencore se në trojet e Maqedonisë perëndimore, shqiptarët nuk janë të ardhur tërësisht nga trojet e Shqipërisë, por aty janë me shekuj dhe autoktonë. Që të arsyetojnë tezën e tyre se shqiptarët qenkan të ardhur, ata iu referohen të dhënave të Jovan Trifunoskit, pastaj e të Atanasije Urosheviqit, të cilit informacionet i mblidhnin në terren, duke i pyetur të moshuarit se prej ku dhe kur paskan ardhur të parët e tyre, pa iu referuar dokumentave të ndryshme arkivore osmane, ose ndonjë literature të mirëfilltë, ku do ta nxirnin të vërtetën mbi prezencën  shqiptare në trojet në fjalë. Dhe me këtë ata vinin në përfundime “shkencore” se në këto troje para shekullit të XVII s’paska pasur Shqiptarë!

[1]Për këtë popullatë, të cilën nuk e quajnë autoktone, ata më së tepërmi iu referohen studimeve shkencore të autorit “maqedonas” Jovan F. Trifunoskit dhe Atanasije Urosheviqit,të cilit në tërësi materialin e mblidhnin nga observimet e bëra në terren dhe pastaj atyre të Jovan Cvijiqit. Se kush është Jovan F. Trifunoski, shih më gjerë në librin tim ALBANOFOBIA, Detroit 2019, faqe 197.

[2]Dr. Hivzi Islami (1990): KOSOVA DHE SHQIPTARËT, çështje demografike, Prishtinë, faqe 13.

[3]Ibid /GAZETAIMPAKT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne