Dr. Osman Jonuzi (1879-1966) dhe anëtarësimi i Shqipërisë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në vitin 1926

Nga Hasan Bello

Babai i kirurgjisë dhe gjinekologjisë moderne shqiptare Dr. Osman Jonuzi lindi në Gjirokastër në vitin 1879. Arsimin fillor ai e mbaroi në Janinë ku familja e tij u zhvendos për arsye ekonomike. Më pas ai u regjistrua në gjimnazin e Manastirit.

Studimet e larta Dr. Osmani i vijoi në Fakultetin e Mjekësisë në Stamboll. Për disa kohë ai shërbeu si mjek i ushtrisë osmane në Mekë, Jemen dhe Tuniz. Me krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, ai kthehet në atdhe ku vihet në shërbim të Qeverisë së Vlorës dhe nevojave që kishte populli shqiptar.

Pas Kongresit të Lushnjës në vitin 1920 Dr. Osmani bëri përpjekje për organizimin e sistemit shëndetësor. Për këtë, ai u emërua drejtor i spitalit civil në Tiranë dhe së bashku me ndihmësin e tij Dr. Ruzhdi Pobrati fillimisht hapën dy pavione, atë të kirurgjisë dhe gjinekologjisë. Një ndihmesë të madhe në këtë drejtim dha kryetari i Bashkisë, kleriku dhe patrioti Ismail Efendi Ndroqi. Ai aprovoi në Këshillin Bashkiak propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Shëndetësisë Prof. Dr. Rifat Frashërit dhe Dr. Osman Jonuzit për hapjen e spitalit të parë të Tiranës tek Hani i Pashës (Hani i Elbasanit) në krahun e djathtë të Kullës së Sahatit. Ky spital qëndroi i hapur deri në vitin 1932 kur u ndërtua spitali tjetër modern “Zogu I”. Ai kishte një kapacitet prej 50 shtretërish dhe ishte i organizuar në disa reparte. Në këtë spital kryeheshin vizita të ndryshme ambulatore dhe ndërhyrje kirurgjikale.

Më 21 qershor 1926, Dr. Osman Jonuzi i cili vazhdonte specializimin për kirurgji dhe gjinekologji si bursist i shtetit shqiptar në një nga spitalet më të njohur të Parisit, nënshkroi me urdhër të ministrit të Jashtëm Hysen Vrioni anëtarësimin e Shqipërisë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë. Kjo marrëveshje u regjistrua në Sekretariatin e Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve më 18 korrik 1926. Nga kjo konventë Shqipëria përfitoi bursa për studentët dhe mjekët, ndihma mjekësore dhe shëndetësore nga fondacione të ndryshme nga e gjithë bota, e sidomos nga fondacioni Rokfeler i SHBA-së.

Në foto spitali civil i Tiranës pranë Kullës së Sahatit i cili funksionoi nga viti 1920-1932 dhe Dr. Osman Jonuzi (1879-1966)/gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne