Dreka luksi, nepotizëm e abuzime me fonde – Skandalet e Qeverisë Haradinaj gjatë vitit 2019

Viti që po e lemë pas do të mbahet mend me shumë si vit i skandalëve dhe dramave politike se sa i suksesit për Kosovën. E kur flasim për skandalet e vitit 2019, atëherë epitetin për këtë e mban Kryeministri në ikje dhe Qeveria e tij.

Me vendime kundërthënëse, larje të borxheve e shpërblim të shkelësve të ligjit, dreka luksi e shtjerrje të rezervave, është karakterizuar viti 2019 nën qeverisjen e kryeministrit Haradinaj, biles këto skandale ai i arsyetonte me shprehje të tilla arrogante si “mu ka tek”, apo edhe “S’u ba nami”, shkruan gazeta metro.

-Abuzimi me rezervat shtetërore

Haradinaj gjatë vitit 2019 kishte regjistruar djalin e tij, në shkollën private të quajtur “Loyola”, të cilës i kishte ndarë afër 1 milion euro nga buxheti i shtetit. Gjithashtu Haradinaj kishte ndarë miliona euro për kompani private të afërta me ta, të cilat kishin pësuar nga zjarri dhe faktorët klimatikë.

-Punësimi i dajave, mbesave, djemve, vajzave, kunatave nëpër ndërmarrje publike

Ndër skandalet më të mëdha të qeverisë së ish-kryeministrit Haradinaj ishte edhe punësimi i familjarëve të tij dhe anëtarëve të AAK-së nëpër ndërmarrje publike. Haradinaj kishte punësuar qindra militantë nëpër institucione e ndërmarrje publike, çka kishte nxitur reagime të ashpra nga diplomatët ndërkombëtarë në Prishtinë dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile. Vetëm në Telekomin e Kosovës është raportuar se janë punësuar më shumë se 100 persona, duke përfshirë familjarë të deputetëve dhe zyrtarëve të tij qeveritarë, shkruan Gazeta Metro.

-Faturat mijëra eurosh në dreka lluksi

Në vlerë të një demi, Ramush Haradinaj ka harxhuar në dreka secilën ditë pune gjatë gjysmëmandatit qeverisës, të përmbyllur me dorëheqje. Saktësisht 506.779.22 euro është shuma që Qeveria ia ka përshkruar atij në këtë kategori shpenzimesh. Mbi gjysmë milioni euro janë harxhime të bëra vetëm nga kreu i Qeverisë, disa fatura për të cilat shpenzime ka mundur t’i sigurojë gazeta. Kjo i bie të jenë çuar në dreka rreth 1 mijë euro në secilën ditë pune.

-Shteri Fondin e Rezervës

Qeveria në ikje shterri Fondin e Rezervës prej 4.8 milionë eurosh vetëm për 9 muaj. Megjithatë, kjo shumë nuk i është mjaftuar Qeverisë në largim. Në këtë fond është derdhur edhe një shumë nga mjetet e kursyera buxhetore. Shuma e shpenzimeve arriti në mbi 6 milionë euro. Mënyra e shpenzime të këtij fondi, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, është në kundërshtim me Ligjin për financa publike dhe aktet nënligjore. Sipas tyre, shumica e aktiviteteve të përkrahura nuk hyn në kuadër të rasteve urgjente, por hyn në kuadër të keqplanifikimit, keqpërdorimit dhe keqadministrimit të parasë publike.

-Haradinaj pronat shtetërore ia kthej komunave në ditën e dorëheqjes

Haradinaj në ditën e dorëheqjes së tij, pas anulimit të vendimit të parë, kishte marrë vendim sërish për rikthimin e disa pronave shoqërore që ishin nën përkujdesjen e AKP-së, tek komunat e Kosovës, përfshirë këtu siç ishte raportuar më herët edhe tek komunat serbe në veriun e Kosovës. Haradinaj këtë vendim e kishte pështjellë aq keq, duke e bërë të paqartë për publikun, me heqjen e pezullimit sipas vendimit të qeverisë nr. 05/76 të datës 21.11.2018. Për këto resurse shtetërore, tani e tutje mund të vendosin vetë komunat se çfarë do të bëjnë me to, duke rritur kështu mundësitë që ato të gllabërohen nga grupe të ndryshme kriminalo-biznesore të lidhura me politikën.

Ndryshe, me datën 17 shtator 2017, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj kishte marrë Qeverinë e Kosovës nën drejtimin e tij, e që nga ajo kohë gjerë tek dorheqja e tij me 19 korrik, ai ka bërë një sërë skandalesh.

Haradinaj kishte qeverisur me Kosovën për 1 vit e 10 muaj, që përkthyer në ditë, i bien gjithësej 678 ditë, e gjatë kësaj kohe të qeverisjes ai do të mbahet mend gjatë si Kryeministër i skandalëve./Mesazhi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne