Dritan Rreshka u ‘dogj’ nga KPK, Elisabeta Imeraj kryeprokurore e Tiranës

Pas shkarkimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të  drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës, Dritan Rreshka, ka ardhur zëvendësimi i tij. Mësohet se në vend të Rreshkës është vendosur Elisabeta Imeraj.

Rreshka u shkarkua nga KPK-ja pasi rezultoi se nuk justifikonte dot burimin e pasurisë së tij. Imeraj është emëruar nga kryeprokurorja e Përgjithshme, Arta Marku. Prokurori Genc Qana, u përfol më herët si zëvendësuesi i Rreshkës.

Dritan Rreshka, kandidat për anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, u shkarkua dje nga KPK. Në seancën dëgjimore që u zhvillua më 27 korrik, KPK prezantoi relacionin për pasurinë, aftësitë profesionale dhe pastërtinë e figurës së Rreshkës. Sipas KPK-së, ish-drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, nuk kishte deklaruar saktë pasurinë si edhe nuk kishte burime të ligjshme për krijimin e saj.

Kush është Elisabeta Imeraj? Prokurorja që hetoi Shullazin, Tahirin dhe Orest Sotën

Elisabeta Imeraj, prokurorja që ka hetuar çështje të rëndësishme, si dosja Shullazi apo edhe dosja e 9 imamëve të akuzuar për terrorizëm të cilët u dënuan maksimalisht nga drejtësia shqiptare vjen në krye prokurorisë së Tiranës.

Imeraj, nëna e dy fëmijëve, është diplomuar për drejtësi në vitin 2001 në Fakultetin e Drejtësisë e më pas ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004. Imeraj ka nisur punë si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër në vitin 2004 e më pas është emëruar në prokurorinë pranë Gjykatës për Krimet e Rënda.

Imeraj u bë e njohur për publikun shqiptar në tetorin e 2017-ës, pas nisjes së hetimeve për ish-ministrin Saimir Tahiri. Imeraj debatoi në Këshillin e Mandateve me Tahirin, për të cilin prokurorja Imeraj kërkonte heqjen e imunitetit e për të proceduar me arrestimin e tij.

Në bashkëpunim me prokurorët Valdimir Mara dhe Besim Hajdarmataj, Imeraj ishte pjesë e këtij grupi hetimor. Përveç dosjes Tahiri, Imeraj hetoi edhe çështjen e biznesmenit Orest Sota, i cili u ndalua pasi udhëtonte me 863 mijë euro në makinë, para që sipas prokurorisë nuk justifikoheshin dhe kishin si adresë ish-ministrin Saimir Tahiri.

Burimi: Shqiptarja.com

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne