Duhet ta ndalim kombin tonë në nxitjen për një luftë të pamëshirshme

nga Oliver Stone dhe Dan Kovalik.

Ish-presidenti Jimmy Carter kohët e fundit bëri një deklaratë të fortë dhe të dënueshme – Shtetet e Bashkuara janë “kombi më luftënxitës në historinë e botës.” Carter krahasoi kontrastin e Shteteve të Bashkuara me Kinën, duke thënë se Kina po ndërton trena të shpejtësisë të lartë për popullin e vet ndërkohë që Shtetet e Bashkuara po i vendosin gjithë rezervat dhe burimet e veta drejt shkatërrimit masiv. Ku janë trenat e shpejtësisë së lartë në Shtetet e Bashkuara, pyet i habitur Carter.

Si për të provuar pohimin e Carterit, nënpresidenti Mike Pence i tha të diplomuarve në West Point se “një gjë është sigurt se në një moment të jetës suaj ju keni për të luftuar në fushën e betejës për Amerikën.
… Ju do të udhëhiqni ushtarët në luftime. Kjo ka për të ndodhur.” Duke ju referuar qaratzi Venezuelës, Pence vazhdoi: “Disa prej jush madje do të mund të thirren për të shërbyer në këtë hemisferë.” Me fjalë të tjera, Pence deklaroi se lufta është e pashmangshme, një dicka e sigurt për këtë vend.

Për më tepër, kohët e fundit është raportuar se Pentagoni po përgatitet për luftë kundër Rusisë dhe Kinës, edhe pse Trump dhe besnikët e tij po kërcënojnë haptazi me luftë Iranin dhe Venezuelën, po dyfishojnë trupat në luftën gati 20-vjeçare në Afganistan dhe po ndihmojnë dhe inkurajojnë Arabia Saudite në luftën e saj gjenocidale në Jemen. Dikush mund të mendojë dhe me siguri shpreson se do të ketë edhe një protestë masive kundër asaj që duket të jetë kërcënimi i pashmangshëm i një tjetër lufte botërore.

E megjithatë, ky kërcënim është përballur pothuajse me një heshtje totale. Reagimi i mediave ndaj gjithë planeve për luftë të Trumpit, ka qenë një zhgënjim, pasi sipas tyre Trump nuk po lëviz ashtu sic duhet drejt agresionit ushtarak. Një shembull ishte një shkrim i datës 11 maj në the New York Times, “Trump tha se do ti zbusë kombet mashtruese. Tani ata po e sfidojnë atë”. Shkrimi në thelb nxiste Trumpin që të përdorte forcën ushtarake kundër Koresë së Veriut, Iranit dhe Venezuelës.

Ajo për të cilën the New York Times dhe burime të tjera mediatike dështojnë të dallojnë është se Shtetet e Bashkuara janë shteti më mashtrues i cdo lloj përmaseje. Dhe kjo e vërtetë është e qartë edhe për qytetarët e botës të cilët në dy sondazhe boterore i kanë renditur Shtetet e Bashkuara si kërcënimin më të madh për paqen botërore.

Ndërkohë, infrastruktura e premtuar dhe e nevojshme për këtë vend pothuajse nuk përmendet më; tendat e mëdha nëpër qytete që strehojnë të pastrehët po rriten në pothuajse çdo qytet të madh amerikan; gati gjysma e amerikanëve nuk mund ti përballojnë nevojat bazike, ndërsa kujdesi bazë shëndetësor është ende i paarritshëm për miliona amerikanë.

Ajo që u ka zënë vendin është mamuthi i pangopur, industria ushtarake, e cila po i devijon rezervat e çmuara duke i drejtuar drejt shkatërrimit të kombeve të tjera. Ndërkohë, makineria luftarake amerikane është padyshim kontribuesi më i madh në botë për krizën globale të ngrohjes. Dhe, si një simbol kërcënues ndaj mjedisit që është, ushtria amerikane sapo hapi një pistë aeroplanesh edhe në ishujt Galapagos.

Ndërsa fushata presidenciale e vitit 2020 është në nisje, asnjë nga këto më sipër nuk janë çështje debatesh. Veterani ushtarak Tulsi Gabbard, i cili është treguar i gatshëm të prekë këto tema, si rezultat është tallur dhe përgojuar. E megjithatë njerëzit nuk po e kuptojnë se nuk do të ketë “marrëveshje të re të gjelbër” ose “kujdes mjekësor për të gjithë”, apo programe të tjera sociale për sa kohë që ne do vazhdojmë në rrugën e pafundme të luftës. Në fakt Shtetet e Bashkuara bënë histori këtë vit kur përjetuan një rritje historike të lartë të deficitit në këto kohëra të mira ekonomike, dhe kjo erdhi për shkak se po angazhohemi në shpenzimin e deficitit në luftë, në vend që të plotësojmë nevojat e njerëzve.

Si përfundim, gjëja më e madhe që mund të bëjmë, si për veten, ashtu edhe për botën, është të ndalojmë Shtetet e Bashkuara që të fillojnë luftën tjetër, duke kërkuar që njëkohësisht të përfundojë luftërat që ka nisur. Ne duhet të kërkojmë që qeveria jonë të ndalë përdorimin e rezervave për luftë dhe shkatërrim dhe në vend të kësaj t’i përdorë këto rezerva për ndërtime, plotësime të nevojave njerëzore dhe ruajtje të mjedisit tonë. Kjo do të kërkojë ringritjen e lëvizjes paqësore në SHBA, e cila dikur ndihmoi në dhënien fund të luftës në Vietnam dhe luftës amerikane në Amerikën Qendrore, e cila mobilizoi një numër rekord njerëzish që kundërshtuan pushtimin e Irakut në vitin 2003. Një lëvizje e tillë paqeje nevojitet tani më shumë se kurrë, dhe kjo fjalë për fjalë do të thotë çështje për jetë a vdekje.

 

Oliver Stone është regjisor dhe autor filmash qe ka fituar çmime të shumta. Dan Kovalik shpjegon të drejtat ndërkombëtare të njeriut në fakultetin juridik të Universitetit të Pitsburgut. Ata të dy kanë kontribuar në librin e ri “Komploti për të përmbysur Venezuelën: Si SHBA po orkestron një grusht shteti për naftë”./bostonglobe/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne