Opinion

Dy fjalë për bamirësit dhe ‘qeveritarët bamirës’

Nga Bled Komini

Në nënvetëdijen e popullit shqiptar ndër vite është ngulitur një shprehje që në mënyrë anonime i adresohet gurrës popullore. “Bëje të mirën e flake (hidhe) në det, në mos e di peshku, e di Zoti vetë”, është pikërisht shprehja që m’u ndërmend teksa shihja një emision televiziv mbi bamirësinë, e ku politikanë, gazetarë e biznesmenë silleshin vërdallë për t’i sqaruar njëri-tjetrit se ç’kuptonin me konceptin bamirësi.

Teksa e dëgjon për herë të parë shprehjen,të bën të mendosh se cila mund të ketë qenë arsyeja që populli i është drejtuar të mirës me kaq mospërfillje. Mos vallë mosmirënjohja që në lashtësitë e kohërave ka qenë, e mbetet, kaq aktuale sa dhe sot? Apo e mira karshi nevojtarit nuk duhet llogaritur si një gjest për t’u mburrur? Alternativat për t’ju sjellë kësaj shprehje në plot-kuptimet që ajo merr janë të ndryshme.

Por mendoj se ekziston një shpjegim i thjesht integral sipas të cilit, ai që e bën të mirën, bamirësinë apo aktin human të ndihmës, nuk do ta arrinte kënaqësinë maksimale të veprës së tij, nëse kjo e fundit do shfaqej hapur si një akt publik e jo individual. Për sa kohë bamirësia lind në zemër, vendi i saj duhet të mbetet po aty. Ndryshe do kishim një akt egoist, për të mbushur xhepat e zbrazur të një mendje e shpirti që kanë nevojë për lavde.

Bamirësia, e njohur ndryshe edhe si filantropia (filantropi është ai që jep), është një sinonim që përcakton predikatin e atyre që kanë mirëqenie, që janë të pasur, e që priren të ndihmojnë familjet në nevojë, ose të varfërit. Nën shtytjen e zbutjes së varfërisë në botë ose vende të caktuara, si dhe mbështetur në disa vlera që më shumë burimin e kanë tek liturgjia fetare dhe spiritualizmi, pasanikët e mëdhenj, për shekuj me radhë kanë kontribuar në vepra të mira, ndërtime shkollash, spitalesh, ofrim ushqimi dhe ndihme ekonomike për ata njerëz që sipas kritereve të vet pasanikëve janë konsideruar nevojtarë.

Shoqëria gjithnjë dialektikisht e në mënyrë atavike, të pasurve i ka njohur edhe të drejtën për të pasur mëshirë ndaj të varfërve. E tërë kjo ka ekzistuar për sa kohë rendi dhe shoqëria ishin të pa organizuara. Me lindjen e shtet-kombeve, e sidomos në periudhën moderne, qeveritë dhe drejtuesit e tyre, u munduan të gjejnë forma se si të shfaqeshin më të kuruara e më të kujdesshme për jetimët, nevojtarët, të skamurit nga shoqëria, që ndanin kombësi të njëjtë me ata. Sigurisht që këto forma kanë ekzistuar edhe para modernitetit, por kujdesi që shteti i dha në mënyrë të veçantë disa kategorive sociale u përfshi në të ashtuquajturin “shteti i mirëqenies sociale”. Një shtet i fortë dhe i zhvilluar, duhej të kishte edhe një popullsi të “shëndetshme” e të arsimuar, ndaj së cilës vet shteti përkujdesej në disa aspekte.

Sidoqoftë, peripecitë dhe rrugëtimi i vendeve të zhvilluara dihet mirë, se rruga e tyre s’ka qene e thjeshtë. Por edhe shqiptarë, si popullsi e një vendi të vogël, janë munduar të bëjnë shumë për nevojtarët. Strehat vorfnore të ngritura në qytetet shqiptare kanë qenë tregues i këtij mentaliteti sipas të cilit, hallka e dobët e familjes, fisit, mëhallës apo qytetit duhej ndihmuar. Një sërë institucionesh bamirësie kanë funksionuar që shekuj më parë në qytetet shqiptare për t’u ardhur në ndihmë familjeve me fëmijë jetimë, të gjymtuarve, vejushave, të pamundurve, pleqve etj. Herë nën strehën e institucioneve fetare e herë të mbështetura prej familjeve të pasura të qyteteve, bamirësia e ndihma kanë qenë një mbështetje e fortë për konsolidimin e vetëdijes sociale e kulturore ndër shqiptarë.

Raste të jashtëzakonshme tregohen për tregtarin e panjohur, hoxhën bamirës, priftin që ndante bukën e paktë, apo komshiun që ndante çdo gjë me bonjakun, vejushën etj.

Pra, sado emisione televizive të bëhen për bamirësinë, ajo nuk është e panjohur për popullin shqiptar, i cili ndryshe nga shumë popuj të tjerë dy herë në historinë e tij, vërtetoi ndjenjat më humane të ndihmës. Herën e parë me hebrenjtë e persekutuar nga nazizmi, e herën e dytë kur priti vëllezërit kosovarë duke hapur dyert e shtëpive e duke ndarë çdo gjë me ata.

Pra bamirësia nuk duhet të trajtohet filozofikisht siç bëjnë disa media, por ajo duhet trajtuar me raste. Janë të panumërta rastet e bamirësisë sot. Mijëra jetimë mbahen prej dekadash me pensione që vijnë prej bamirësve anonimë. Asnjë emision nuk bëhet për ata! Janë me mijëra familje që marrin ushqime prej fondacioneve e shoqatave të ndryshme, e kush i njeh se cilët janë bamirësit e fshehur pas këtyre ndihmave? Askush!

Këtë duhet të mbulojnë mediat e t’u japin rëndësi modeleve pozitive, e jo politikanëve që kurojnë imazhin përmes bamirësisë.

Në hierarkinë e atyre që duhet të ndihmojnë shoqërinë, shteti zë vendin e parë, pasi pozita e tij rrjedh nga konsensusi i delegimit të pushtetit nga populli tek përfaqësuesit e tij, qeveritë e së cilës duhet të kenë programe për të gjitha shtresat sociale, në mënyrë që të ruajnë kohezionin social e kulturor. Ndryshe shtetet do shpërbëheshin e popullsia e tyre do merrte arratinë për kushte më të mira diku gjetkë. Për sa kohë një qeveri nuk plotëson nevojat minimale të një shoqërie, rreziku i shkërmoqjes kulturore e sociale të kohezionit të ndërtuar do jetë alternativa kryesore dhe e vetmja e mbetur për popullin. Ndaj këtu, sado i lartë të jetë marzhi i bamirësve të dukshëm e atyre të padukshëm, kurrë s’do arrijnë që të kryejnë detyrën kryesore të marrë përsipër nga pushteti.

Në hierarkinë e bamirësve, pasi theksuam se shteti (bëhet fjalë për qeveritë) ndryshe nga qytetarët e pasur apo organizatat e ndryshme e ka detyre funksionale ndihmën sociale, zbutjen e varfërisë dhe kontributin për të ndihmuar shtresat vulnerabile, pjesa tjetër, si komunitetet fetare, janë pjesa më vitale që ka ofruar e ofron ende ndihmë për këto grupe. Parimi i sevapit e përshpirtjes ka qenë e mbetet parimi më i lartë i sakrificës, bamirësisë e ndihmës. Në këtë plan, ndonjëherë në periudhën e tranzicionit të pas viteve ‘90, kontributi i komuniteteve fetare e ka tejkaluar kontributin e dobët e të vakët të shtetit shqiptar. Me këtë tregues ndonjëherë edhe është abuzuar, kur nën petkun bamirës fondacione e individë të ndryshme kanë përhapur axhenda e ideologji aspak të përshtatshme për interesat e Shqipërisë.

Nisur nga ajo që thash pak më lartë, rreket që shteti të mos bjerë nën nivelin e kontributeve e ndihmave që ofrojnë shoqatat apo individë të caktuar me qëllime antishqiptare. Nëse shteti do plotësojë nevojat jetike, që janë të sanksionuara sipas kushtetutës e ligjeve tona, asnjë person nuk do binte pre e axhendave shkombëtarizuese të pensioneve që marrin në shtetet fqinje, nënshtetësive të dyshimta apo laramanisë fetare në raste të tjera. Mesa duket ne po jetojmë në kohë të vështira, ku politikën e bëjnë ujqërit e çakejtë rrëmbejnë ç’të mundin. Kjo është idiotësia e rrënimit të qeverisjes!

“Është gjë e trishtueshme – thoshte Jungu – të marrësh pjesë në historinë e treguar nga një idiot”. Ne me ç’po duket, po marrim pjesë jo si lexues, po si përjetues të historisë së bërë nga një idiot, shumë idiota, kontributi i të cilëve nuk krahasohet aspak me baballarët e tyre, e as me ata që e ngritën e dhanë jetën për të ngritur këtë shtet.

Së fundi, bamirësia e individëve. Ajo është e vetmja për të cilën heshtja e falenderimi duhet të jenë në sintoni të plotë me ndjesinë e të qenurit krenarë. Krenari e respekt për shqiptarët që ndihmojnë shqiptarët!/ syri.net