E fejuara e Khashoggit: Kongresi Amerikan mund të veprojë lidhur me vrasjen

Hatice Cengiz, e fejuara e gazetarit të vrarë saudit Jamal Khashoggi, tha se Kongresi Amerikan mund të veprojë në të ardhmen kundër Arabisë Saudite për vrasjen e shkrimtarit të Washington Postit.

Në një intervistë për Anadolu Agency (AA) në Washington, ku udhëtoi për të marrë pjesë në një takim të nënkomitetit të Kongresit mbi vrasjen e Khashoggit, Cengiz tha se shumë ligjvënës amerikanë nuk janë të kënaqur me përgjigjen e SHBA-së ndaj vrasjes së tmerrshme.

Cengiz takoi Khashoggin në një konferencë në Stamboll në vitin 2018 dhe pas bashkëveprimeve të shumta, të dy avancuan lidhjen dhe Khashoggi i propozoi martesë me plane për t’u vendosur në Washington.

Çdo gjë ndryshoi në fillim të tetorit të vitit të kaluar, kur Khashoggi shkoi në Konsullatën Saudite në Stamboll për dokumente që do të lejonin që ai të martohej me Cengizin.

Pasi hyri në konsullatë, ai u vra. Pas një serie shpjegimesh kontroverse mbi atë se çfarë ka ndodhur, qeveria saudite përfundimisht pranoi se Khashoggi kishte vdekur brenda konsullatës, por tha se bëhej fjalë për një operacion të pakujdesshëm për të cilin qeveria nuk ka qenë në dijeni.

“Ka disa pikëpamje mbi këtë çështje në Kongres, siç është miratimi i një rezolute dhe vendosja e sanksioneve. Këto mund të ndodhin në kohën e ardhshme dhe kam marrë sinjale në këtë drejtim gjatë takimeve të mia në Kongres”, tha ajo.

“Shumë figura më thanë se ‘qëndrimi i SHBA-së, në këtë rast, nuk është i mjaftueshëm, sepse vrasja është kundër vlerave që e bëjnë Amerikën atë që është dhe ne duhet ta rregullojmë këtë'”, tha ajo.

Të enjten, Cengiz i bëri thirrje Kongresit për të udhëhequr një hetim të ri ndërkombëtar për vrasjen e Khashoggit.

Ajo kritikoi qëndrimin e administratës së presidentit amerikan Donald Trump mbi vrasjen e gazetarit saudit, duke thënë se nuk është duke u bërë mjaftueshëm për kërkimin e llogarisë nga autorët e aktit.

“Shtetet e Bashkuara mund të fillojnë një hetim ndërkombëtar brenda Kongresit, që ishte kërkesë e jona. Procesi gjyqësor në Turqi ka ngecur. Nuk mund të ecim më përpara. Nëse bëhet një hetim ndërkombëtar, ne besojmë se mund të prodhohet një rezultat më efektiv”, vlerësoi Cengiz.

– “Detyrë njerëzore”

Ajo tha se është detyrë e njerëzimit që të zbardhet vrasja.

“U ndodha në një incident jashtëzakonisht të madh. Teksa jetoja një jetë shumë modeste, ndodhi të jem dëshmitare e një vrasjeje të madhe”, tha Cengiz për AA.

“Kjo është një detyrë njerëzore, në të vërtetë, një detyrë morale. Edhe sikur të mos ishte Jamali, por dikush tjetër, një gjë që një njeri duhet të bëjë është të mbrojë të drejtën e tij”, potencoi ajo.

Rrëfimi zyrtar saudit është pritur me skepticizëm ndërkombëtar dhe kritika të ashpra nga ligjvënësit e SHBA-së lidhur me mundësinë që vrasja e Khashoggit të jetë kryer pa pëlqimin eksplicit të princit saudit të kurorës Mohammed bin Salman.

Por Trump dhe zyrtarët e tij të lartë kanë hedhur poshtë çdo rol të princit në vrasjen e tmerrshme.

Nga ana tjetër, inteligjenca amerikane ka thënë se ka ardhur në përfundimin se princi Mohammed bin Salman ka urdhëruar vrasjen.

Cengiz tha se mund të kishte pasur më shumë reagime sikur në presidencën amerikane të ishte dikush tjetër pos Trumpit.

“Përkundrazi, Trump shfaqi një qëndrim që mbronte Arabinë Saudite. Shumë nga emrat e demokratëve dhe republikanëve që takova në Kongres nuk ishin shumë të kënaqur me qëndrimin e administratës”, tha Cengiz.

“Secili që kam takuar në Kongres është paksa i turpëruar në lidhje me këtë. Unë e ndjeja këtë”, tha ajo.

Cengiz u shpreh se megjithatë, është shumë e sigurt se do të ndërmerren disa hapa në të ardhmen e afërt.

“Unë qëndroj këtu si viktimë, jo si politikane. Për të mbrojtur një person, të drejtat e të cilit janë shkelur, do të bëj studime intensive në fushën e së drejtës. Ky është qëllimi im i ardhshëm”, përfundoi ajo./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne