Bota

Egjipt, dënohen me burgim të përjetshëm liderët e Vëllazërisë Muslimane

Gjykata egjiptiane dënoi me burgim të përjetshëm 11 të akuzuar, përfshirë Muhamed Bedii, Kryetarin e Këshillit Udhëzues të Organizatës së Vëllazërisë Muslimane (Ihvan), në çështjen e njohur si “spiunazh në emër të Hamas”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të televizionit shtetëror egjiptian, kryetari i trupës gjyqësore të Gjykatës Penale në Kajro, Muhamed Sirin Fehmi, në seancën e sotme njoftoi se Muhamed Bedii dhe 10 persona të tjerë drejtues të Ihvan janë dënuar me burgim të përjetshëm.

Po ashtu u njoftua se emri i presidentit të parë të vendit të zgjedhur në mënyrë demokratike, Mohamed Morsi, është fshirë nga lista e të akuzuarve për shkak të vdekjes së tij. Ndërkohë avokati i Morsit nuk ka bërë ndonjë deklaratë lidhur me çështjen.

Në çështjen në fjalë, përveç Bediit, u gjykuan edhe emra të rëndësishëm të organizatës, si Hajrat Shatir, nënkryetari i Këshillit Udhëzues të Ihvan, Muhamed al-Biltaci, babai i dëshmores Esma, ish-presidenti i parlamentit egjiptian, Saad al-Ketetni si dhe Isam Iryan.

Prokuroria ka akuzuar të pandehurit për “spiunazh në emër të organizatave të huaja, zbulimin e sekreteve kombëtare të vendit dhe ndihmesë për organizatat e huaja terroriste me qëllimin për të organizuar sulme të armatosura në territorin e vendit”, por të akuzuarit i kanë mohuar këto akuza të drejtuara ndaj tyre.

Ish-Presidenti Egjiptian, Mohamed Morsi, gjatë gjykimit të kësaj çështje më 17 qershor i ra të fikët dhe më pas humbi jetën në spitalin ku ai u dërgua.

Sipas ligjit egjiptian, burgimi i përjetshëm është 25 vjet./ AA

OPINIONE