Bota

Egjipti arreston vajzën dhe dhëndrin e dijetarit Jusuf Kardavi

Vajza dhe dhëndri i dijetarit të shquar musliman dhe kryetarit të Bashkimit Ndërkombëtar të Dijetarëve Muslimanë, Jusuf Kardavi (Yousef el-Qaradawi), u arrestuan nga forcat e sigurisë egjiptiane në qytetin bregdetar të Aleksandrisë në Mesdhe.

Një deklaratë nga zyra e prokurorisë tha se vajza e Kardavit, Ola dhe bashkëshorti i saj, Hossam Khalaf, u arrestuan për akuzat e të qenurit anëtarë të Vëllazërisë Muslimane, një organizatë që qeveria egjiptiane e konsideron si një grup “terrorist”.

Avokati i familjes, Ahmad Abu Ala Madi tha se çifti u arrestua më 23 qershor pranë Sahel Al Shamalit ndërsa ishte për pushime për Bajram.

Deklarata tha se ata do të lirohen pas arrestimit për 15 ditë.

Akuzat përfshijnë “mosnjohjen ndaj kushtetutës dhe sundimit të ligjit”, “dëmtimin e unitetit dhe paqes kombëtare” dhe “kërcënimin e sigurisë së shoqërisë”.

Deklarata shtoi gjithashtu se Ola ka shtetësi të dyfishtë si në Egjipt dhe në Katar, dhe punon për ambasadën e Katarit në Kajro.

Arabia Saudite, Bahrejni, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe në një deklaratë të përbashkët muajin e kaluar akuzuan 59 individë dhe 12 shoqata bamirësie në Katar si “të lidhura me terrorizmin”, raportoi media lokale.

Lista përfshinte Kardavin dhe Abdullah bin Khalid, një ish-ministër i brendshëm i Katarit.

Katari goditi të premten me një deklaratë ku i përshkroi akuzat si “të pabaza” dhe “shpifëse”. / © Gazeta Impakt

OPINIONE