“Ekipet turke i vazhdojnë me përpikëri aktivitetet e shpëtimit në Shqipëri”

Ekipet e Autoritetit turk për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave (AFAD) të cilët dje arritën në Shqipëri pas tërmetit shkatërrues që goditi vendin, janë duke i vazhduar aktivitetet shpëtuese, shëndetësore dhe ato për dhënien e ndihmave humanitare.

Siç thuhet në një njoftim nga AFAD, 15 ekspertë të kërkim-shpëtimit janë duke i zhvilluar aktivitetet e tyre “me përpikëri maksimale” në Njësinë Administrative Thumanë të qarkut të Durrësit duke u bazuar në mundësinë që brenda rrënojave ende mund të ketë persona të gjallë.

Në aktivitetet e shpëtimit mbështetje mjekësore është duke ofruar edhe Ekipi Kombëtar Mjekësor i Shpëtimit (UMKE) pranë Ministrisë turke të Shëndetësisë, i cili shkoi në rajon ditën e tërmetit në përpjekje për të ofruar ndihmë, ndërkohë që Gjysmëhëna e Kuqe Turke dhe Ekipi i Ndihmës Humanitare i AFAD-it kanë ngritur tenda dhe janë duke i plotësuar nevojat e banorëve, thuhet në njoftim.

Në Shqipëri, nga Turqia kanë shkuar ekipe për kërkim-shpëtim, mbështetje shëndetësore, ndihma humanitare dhe ekipi mediatik. Turqia dërgoi po ashtu kamionë me ndihma humanitare me 120 tenda, 2.750 batanije dhe 100 sete higjienike.

Ndërkohë, 23 shtetas turq tashmë janë evakuuar nga rajoni. Shtetasit turq që u lënduan nga tërmeti janë transferuar me avion të Ministrisë turke të Shëndetësisë në Izmir të Turqisë dhe po trajtohen në spital.

Kujtojmë se Shqipëria dje u godit nga dy tërmete të fuqishme me epiqendër në Durrës, në orën 3:55 me magnitudë prej 6,3 ballë në thellësi prej 10 kilometrash dhe më vonë me një magnitudë prej 5 ballë në Kepin e Rodonit.

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka konfirmuar se numri i viktimave është rritur në 30, ndërsa sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, 658 të lënduar nga tërmeti kanë marrë shërbim mjekësor në spitale./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne