Erdogan bën inaugurimin e autostradës së re Stamboll-Izmir

Me pjesëmarrjen e presidentit Recep Tayyip Erdogan, sot u bë inaugurimi i autostradës që lidh dy prej qyteteve më të mëdha të Turqisë, Stambollin dhe Izmirin, e cila do të shkurtojë udhëtimin midis këtyre dy metropoleve nga tetë e gjysmë në vetëm tre orë e gjysmë.

Në fjalën e tij në ceremoninë e mbajtur në Bursa, gjatë së cilës u inaugurua edhe spitali shtetëror i ri në Bursa, Erdogan e cilësoi si historike hapjen e autostradës me vënien në funksion të seksionit të ri të përfunduar prej 192 kilometrash, me çka rajoni i Marmarasë do të lidhet me Egjeun, Mesdheun Perëndimor, dhe rajonet perëndimore të Anadollit.

“Sot është është një ditë kuptimplote, sot po shkruajmë historinë, po lidhim Stambollin me Izmirin në një mënyrë më ndryshe”, theksoi presidenti Erdogan.

“Gjatësinë totale të autostradave në Turqi e kemi çuar në 26.764 kilometra, nga 6.100 sa ishte kur erdhëm në pushtet”, shtoi ai.

Me inaugurimin e sotëm, autostrada Stamboll-Izmir, punimet e së cilës filluan në vitin 2010 dhe e cila përfshin një distancë totale prej 404 kilometrash, do të jetë një nga arteriet kryesore të transportit të Turqisë.

Ura Osmangazi, pjesë kyçe e projektit, u hap në vitin 2016 dhe ka shkurtuar udhëtimin për një orë e gjysmë.

Deri më tani, udhëtimi Stamboll-Izmir bëhej përmes rrugës aktuale e cila është e gjatë 515 kilometra.

Shkurtimi i kohës së udhëtimit midis Stambollit dhe Izmirit në më pak se gjysma e kohëzgjatjes aktuale pritet t’u kursejë udhëtarëve kohë dhe para.

Kostoja prej shtatë miliardë dollarësh e projektit është paguar nga kompania e cila do të jetë operator i autostradës për një periudhë të pacaktuar kohore, dhe nuk janë përdorur fonde publike për procesin e ndërtimit.

Mega-projekti siguroi punë për rreth 5.000 njerëz gjatë ndërtimit dhe do të vazhdojë të sigurojë 1.000 vende pune në mirëmbajtje dhe shërbime operative.

– Turqia do të hyjë në lindje të Eufratit

Gjatë fjalimit të tij, presidenti Erdogan po ashtu paralajmëroi se Turqia do të hyjë në rajonin e Eufratit Lindor në Siri, duke shtuar se vendi i tij e ka ndarë këtë informatë me SHBA-në dhe Rusinë.

“Ne hymë në Afrin, Jarabulus dhe Al-Bab. Tani do të hymë edhe në lindje të Eufratit. Këtë informatë e kemi ndarë edhe me Rusinë, edhe me SHBA-në”, deklaroi Erdogan.

Turqia tashmë ka zhvilluar dy operacione të suksesshme antiterroriste në veri të Sirisë, duke pastruar rajonin e Afrinit, Jarabulusit dhe Al-Babit nga elementet terroriste./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne