Erdogan: Operacioni mbaron nëse terroristët dalin jashtë zonës së sigurt

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) të mërkurën foli në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), në cilësinë e kryetarit të kësaj partie.

Çështja siriane, që vazhdon prej 8 vitesh, është produkt i përpjekjeve për riprojektimin e Afrikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme,- theksoi Erdoan dhe shtoi: “Vendet që i kanë dhënë DAESH-it mbështetje materiale dhe e kanë orientuar atë, sot na pozicionohen si kundërshtarët më të zjarrtë të DAESH-it. Por në të vërtetë çështja nuk ka të bëjë me DAESH-in, sidomos me PKK-në nuk ka aspak lidhje. Duket shumë qartë që bëhet fjalë për jetësimin e një projekti për rajonin tonë”.

“Turqia ose do të dorëzohet para rolit që i është caktuar asaj në skenarët e shkruar në Evropë e Amerikë, ose do të luftojë”,- nënvizoi Erdoan dhe e vijoi kështu fjalimin: “Alternativa e dorëzimit nuk ka ekzistuar kurrë në të kaluarën e Turqisë. Flamurin e luftës ne e kemi ngritur bashkë me popullin tonë duke thënë «Ja pavarësi, ja vdekje!» Pasi nuk mund ti kishte hije ndryshe një kombi që e ka krijuar vet shtetin e tij”.

Në fjalën e tij Presidenti iu drejtua edhe Ligës Arabe, e cila ka dalë kundër operacionit «Burimi i Paqes». Duke rikujtuar se 4 milionë, nga gjithsej 6 milionë sirianë që kanë dalë jashtë Sirisë, kanë ardhur në Turqi, Erdoani tha: “Këta refugjatë, që janë pothuajse të gjithë arabë, erdhën tek ne. Po ti Ligë Arabe sa sirianë ke pranuar deri më tani? A nuk jeni ju ata që e përjashtuat Sirinë nga Liga Arabe?!”

Presidenti Erdoan theksoi se Turqia nuk ka bërë në asnjë periudhë të historisë masakra civile, ndërsa i cilësoi si shpifje akuzat që bëhen në këtë drejtim në kontekstin e operacionit «Burimi i Paqes». “Një gjë të tillë nuk na e lejon as besimi, as kultura dhe as morali”,- nënvizoi Erdoan.

Duke iu drejtuar edhe vendeve Perëndimore Erdoani tha: “Ne nuk duam kurrën e kurrës që ju të bini në një situatë të tillë, por duhet të dini këtë që një ditë edhe ju do të ballafaqoheni me të njëjtat vështirësi. Të jeni të bindur se atëherë do të na kuptoni shumë mirë ne, por atëherë do të jetë shumë vonë. Le të shikojmë se çfarë do të keni për të thënë për mbështetësit e terroristëve dhe si do të silleni kur të vijë ajo ditë, a do t’u dilni në mbrojtje terroristëve ashtu siç veproni sot? Por dijeni se kur terroristët do të nisin t’ju djegin shpirtin ky komb fisnik do të jetë përsëri pranë jush”.

Fjalimin e tij Presidenti Erdoan e vazhdoi kështu: “Në këtë luftë (kundër terrorizmit) qëndroni pranë Turqisë, jo kundër saj, ose të paktën mos u përzieni”.

Në fund presidenti Erdoan tha se në qoftë se të gjithë terroristët në Siri i lënë armët menjëherë sonte dhe dalin jashtë zonës së sigurt që ka shpallur Turqia, atëherë do të përfundojë edhe operacioni «Burimi i Paqes».

Kurse në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve në lidhje me Menbixhin (Manbij) Presidenti Erdoan tha: “Shqetësimi ynë është t’ua dorëzojmë të zotëve këto toka. Kjo është ajo që duam ne. Ne nuk kemi ndonjë synim të llojit «Na e jepni neve këtë apo atë». Gjëja e vetme që kërkojmë ne është nxjerrja e organizatës terroriste YPG/PYD prej këtu, nuk ka rëndësi se kush e bën këtë, e bën Rusia apo regjimi (sirian)”./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne