Familjarët e 16-vjeçarit Klei Xhaja të vrarë me Jet-Ski në plazhin e Llamanit në Himarë kanë protestuar sot duke kërkuar zbardhjen e ngjarjes dhe drejtësi. Ata kanë hedhur lule në det, në vendin ku 16-vjeçari humbi jetën.
Minoreni u përplas me Jet-Ski në plazhin e Llamanit në Himarë më 15 gusht dhe ndërroi jetë në Spitalin e Traumës pak ditë më vonë, teksa familjarët kërkuan zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Kemi ardhur këtu në vendngjarje për drejtësinë e djalit. Kjo që ka ndodhur mos t’i ndodhë kujt. Duam drejtësi deri në pikën e fundit. Në qoftë se nuk marrim drejtësi do bëjmë vetëgjyqësi”, tha babai i 16-vjeçarit.
“Duhet të vihet drejtësia. I jepet motori fëmijëve 16 vjeç dhe bëget ajo që u bë. Këtu nuk ka as kontroll asgjë”.
Ditën e djeshme gazetarja Klodiana Lala solli për “BalkanWeb” dëshminë e Rigersit, njërit prej 4 të miturve, që u përfshinë në aksidentin me Jet Ski në bregdetin e Himarës, në muajin gusht, ku për fat të keq u plagos e më vonë ndërroi jetë në spital Klei Xhaja. Ai rrëfen se bashkë me miqtë e tij të gjithë të mitur paguan lekët dhe direkt dolën xhiro në det pa i pyetur për moshën.
Ai pranon se në fillim dhanë dëshmi të rreme në polici për shkak të presionit që morën nga pronari i Jet Skive, të cilin e identifikon si Renato Panajoti.
Danieli, është iu mituri tjetër që ndodhej në të njëjtin jet ski me viktimën që gjatë përplasjes mbeti dhe vetë i plagosur. Ashtu si miku i tij Rigersi edhe ai tregon se në momentin që morën Jet Ski nuk i pyeti askush për moshën e tyre, ndërsa pas aksidentit iu dha ndihmë nga një person rastësor që kishte dalë në det me varkë.
Edhe Danieli e pranon se fillimisht gënjeu për ngjarjen, por siç tregon në praninë e babait të tij, ishte nën presionin e pronarit të Jet Skive.
“Morëm presion nga pronari i jet skive, duke na thënë që jemi hedhur nga shkëmbi. Ne ishim ne momentin që nuk ishim në gjendje të mirë psikologjike, që ta kuptonim me çfarë qëllimi na e tha ai atë, nuk kishin asnjë ndihmë, as psikolog, as avokat as ndihmë mjekësore. E kuptova vetë që nuk kishte sens, ajo që po thonim. Fola dhe tregova të drejtën”, rrëfen ai.
Vendimi nr. 845 datë 28 tetor 2020, për “Për miratimin e rregullave të hollësishme për zhvillimin e aktiviteteve turistike detare qe kryhen nëpërmjet mjeteve lundruese”, parashikon që mosha minimale e lejuar e një personi për të drejtuar një motor uji (jet ski) është 18 vjeç, si dhe personi që drejton një motor uji (jet ski) duhet të jetë i pajisur me lejedrejtimin përkatës.
Në rastin konkret, të dyja këto pika janë shkelur dhe për pasoja ka ardhur dhe vdekja e të miturit, Klei Xhaja si dhe plagosja e të miturit tjetër. Për këtë rast, pokuroria e Vlorës po vijon hetimet./BW