Flet gruaja që qëlloi gazetarin e Klan: Emisioni Stop, një mision gjobvenie

Disa ditë më parë, gazetari i emisionit “STOP”, Genci Angjellari, që po investigonte për mbetjet spitalore, dhunohet nga administratorja e kompanisë “Euroteam” Mirela Topulli.

Mirela Topulli, në një intervistë të gjatë dhënë për gazetarin e dritare.net Isa Myzyraj, rrëfen prapaskenat e kësaj ngjarjeje, që siç e quan ajo, është një ngjarje e shëmtuar.
Ajo rrëfen për dritare.net të gjithë kalvarin e ngritjes së kompanisë dhe përballjet e shpeshta me institucionet e manipuluara. Më tej ajo tregon me detaje se si ka rënë dhjetëra herë pre e konkurrentëve të saj, që duan ta zhdukin nga tregu dhe është e gatshme të përgjigjet para drejtësisë për çdo dëm mjedisor që ka shkaktuar ajo dhe kompania që ajo drejton.

Dritare.net: Çfarë ndodhi me gazetarin e “STOP”, pse e goditët atë?
-Në mëngjes kam qenë në ambientet e magazinës dhe bashkë me stafin pamë që po filmohej. Kur dola, gazetarët tentuan të më intervistojnë, por nuk kisha dëshirë të flisja, aq më tepër për emisione gjobvënëse, si emisioni “STOP”.
Sepse kjo histori është një histori gjobvenie , ku një biznes tenton të shkatërrojë një biznes tjetër.

Dritare.net- Por nëse ju nuk keni mundësi të kujdeseni për mbetjet, biznese te tjera do ta bëjnë…

– Nuk është e vërtete. Për shkak se kishte rrezik shembjeje, ne kemi spostuar materialet dhe kemi hedhur mbetjet paradite. Në qoftë se do kishim qëllime të tjera, do të gjenim kohë tjetër, jo në mes të ditës.
Ne po spostonim materialet sepse disa ditë më parë i gjithë impianti u dogj, duke sjellë dëme materiale të mëdha, uroj që shumë shpejtë të provohet edhe teoria jonë që ai zjarr ka qenë i qëllimshëm.
Unë ju siguroj, që në ditët në vazhdim, do të provoj se cili është dëmi që kam shkaktuar atje. Kur mora vesh që gjithçka po filmohej, kam marrë automjetin dhe jam nisur për të shkuar tek bashkëpunëtorët e mi. Aty jam ndaluar nga pseudogazetarët, që janë thjesht ca rrugaçë. Gazetari i emisionit “STOP” ka qëlluar në xhamin e makinës time, unë ula xhamin dhe i thashë, të lutem largohu nga makina, por ai më qëlloi me mikrofon në pjesën e mjekrës. Unë pastaj nuk kam kuptuar asgjë, sepse isha nën shok, por kam dalë nga makina, i kam grisur bluzën dhe ajo që është parë në video. E përsëris, kam qenë nën shok, ku një grup kriminal më ndaloi në mes të rrugës, duke provokuar edhe punonjësin e duke i thënë “hajde, hajde”.
Dritare.net: Atëherë ju po thoni që videoja që kemi parë, është një manipulim?
-Po, patjetër. Nga momenti që ka ndodhur incidenti, pas 15 minutash më ka telefonuar Saimir Kodra duke më thënë: “Me atë që i ke bërë gazetarit tonë, nuk ka njeri që të shpëton”. Të gjitha këto unë do t’i dëshmoj në prokurori. Por Saimirit i jam përgjigjur: “Saimir Kodra, unë jam Mirela Topulli, mos më fol mua me këtë gjuhë”.
Dritare.net: Ju keni bërë kallëzim për dhunën e gazetari ndaj jush?
-Sigurisht që kam bërë kallëzim. Pas goditjes që kam marrë, kam shkuar tek Spitali Ushtarak dhe kjo mund të vërtetohet fare lehtë.

Dritare.net: Ndërkohë edhe gazetari Angjellari ju ka paditur në prokurori dhe sipas medias, ju jeni shpallur në kërkim. A është e vërtetë kjo?
-Këto janë manipulime bastarde. Gazetari ka deklaruar në polici sikur unë e kam goditur me sende të forta, por siç u pa edhe në video, unë nuk kisha asnjë gjë në dorë. Unë kam shkuar vetë në komisariatin nr.1, kam folur dhe kam sqaruar gjithçka. Më kanë referuar tek mjekësia ligjore ku kam bërë procedurat dhe tani pritet që shkresa e Mjekësisë Ligjore t’i dërgohet prokurorisë.

Dritare.net: Znj. Topulli, si e ndërtuat këtë kompani dhe si hytë në tregun shqiptar?
-Ne këto ditë jemi përballur me disa fakte shokuese dhe të shëmtuara të transmetuara nga pseudogazetarët e emisionit “STOP”. Ata kanë treguar që kompania jonë “Euroteam” ka marrë disa penalizime në të shkuarën, penalizime këto që, nëse do të analizoheshin, do arrihej në konkluzionin që kanë ardhur për shkak të manipulimit të institucioneve dhe të zyrtarëve të këtyre institucioneve, që ta kishin monopolin e tyre. Pra faktet që ka nxjerrë emisioni “STOP” për të kaluarën e kompanisë sonë janë fakte shumë të rëndësishme, se si është tentuar të monopolizohet kjo fushë dhe se si mua, si person, dhe kompanisë na kanë ndodhur gjëra të paprecedentë.

Dritare.net: Ne kronikën e transmetuar nga emisioni “STOP” është folur për ndotjen e mjedisit, pasi nga këtu nisi gjithçka. A po ndot kompania juaj ambientin? Pasi, për hir të së vërtetës, ato pamje ishin të tmerrshme!
-Kjo është një gjë sigurisht shumë e rëndë. Të flasësh për ndotjen e mjedisit, në fillim duhet të bësh disa analiza, për të vërtetuar këtë ndotje. Pra unë jam shumë dakord që të flitet për ndotje, por që duhet të flasë një specialist. I vetmi gabim që ne kemi bërë deri në këtë moment që flasim është spostimi i mbetjeve nga fabrika jonë e djegur, tek ambienti i një kompanie bashkëpunëtore, por ne në asnjë moment nuk kemi lënë materiale në Erzen. Aty shihet një fragment, ku një kamion shkarkon mbetjet pranë lumit. Kjo, për shkak të një gabimi të shoferit të cilin nuk mund ta ndiqja fizikisht në lumë, por ju siguroi që nuk ka pasur asnjë material të “Euroteam” dhe për të sqaruar opinionin publik, ai material, i cili është spostuar përkohësisht, do të merret përsëri të rivlerësohet nga ne.

Dritare.net: Çfarë po bën kompania juaj në lidhje me menaxhimin e mbetjeve spitalore tani që impianti i sterilizimit është djegur?
-Ne do të bëhemi operativ brenda një muaji, pra çdo gjë do të jetë funksionale sipas ligjit, i cili më jep mundësi që brenda një muaji të rifilloj punën.

Dritare.net: Pas gjithë këtyre viteve që, siç tregoni keni qenë e sulmuar vazhdimisht, pse mendoni se po ndodh një gjë e tillë me ju?
-Ishte vendosur që në Shqipëri të kishte monopol për disa vite dhe duke qenë monopol, është operatori ai i cili vendos për çmimin. Unë nuk mund të harroj, kur në vitin 2014, operatori konkurrent me mua, ka vrapuar tu tregojë gjithë bashkëpunëtorëve të mi që unë jam revokuar, pra më është ndaluar leja. Aty kam parë njerëz tek qajnë sepse inspektorët e shoqëruar nga njerëzit konkurrentë me mua, i detyronin personat të lidhnin kontrata të reja. Ne gjatë gjithë kohës kemi pasur një histori suksesi ekselence, ku jemi rritur me 75 % falë punës që kemi bërë me gjithë bllokimet që kemi pësuar. Unë mendoj se historia jonë e suksesit, ka bërë që emri im, Mirela Topulli, të fshihet nga lista.
Dritare.net: Çfarë pune keni bërë përpara se t’i futeshit këtij biznesi?
-Unë vij nga një eksperiencë e gjatë televizive. Kam shkuar në “Top Channel” për të punuar si gazetare, por në atë kohë Top-i kishte emergjencë në montazh dhe meqë e njihja atë fushë, fillova me montazhin.
Unë kam pasur një dashuri për gazetarinë, por pas 1 viti aty, pashë se kjo gjë nuk ishte e mundur në Shqipëri.

Dritare.net: Pas videos së transmetuar në Klan, a ju kanë kërkuar bashkëpunëtorët të ndërpresin marrëdhëniet e punës me ju?
-Unë dëshiroj t’i kërkoj ndjesë gjithë opinionit publik, u kërkoj falje për mënyrën e interpretimit, u kërkoj falje të gjithë bashkëpunëtorëve të mi dhe u them se në momente të caktuara është vështirë të mbijetosh në një shoqëri e cila të shkatërron dhe nuk arrin dot të mbrosh veten, kur përballesh me grupe kriminale të cilat dëshirojnë të të zhdukin. Unë i falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët që më kanë dhënë kurajë dhe më kanë mbështetur. Gjithmonë kam qenë e gjykuar, kam tentuar vit pas viti të komunikoj me institucione, por kjo ka qenë në nivelet minimale.

Dritare.net: A keni menduar ndonjëherë të hiqni dorë nga e gjithë kjo, për të nisur një “jetë të re” një biznes tjetër ndoshta?
-Unë kam prejardhje nga një familje luftëtarësh. Edhe pse jam femër, nuk kam kërkuar kurrë nga askush. Unë kam zgjedhur rrugën më të vështirë për të jetuar dhe jam shumë e lumtur për këtë. Për një muaj do të jem përsëri aktive dhe do të nis punën time, jam në dispozicion të të gjithë autoriteteve për të më hetuar për gjithçka dhe jam e gatshme të mbaj përgjegjësi për çdo dëm që kam shkaktuar.
Më vjen keq që publiku ka qenë i detyruat të shohë fakte të shtrembëruara. Shpresoj së shpejti t’u vërtetoj të gjithëve se si është e vërteta e asaj gjëje të frikshme.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne