Fondi i rindërtimit shpenzoi zero lekë deri në shtator 2020

Nga Gjergj Erebara

Të ardhurat e buxhetit të shtetit në muajin shtator ishin 3% më pak se sa shtatori i vitit 2019, duke sinjalizuar një rikthim në pothuajse normalitet pas krizës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit të ri. Por ndërkohë investimet e planifikuara të qeverisë mbetën të parealizuara.

Të ardhurat e qeverisë arritën në 308 miliardë lekë për periudhën janar-shtator 2020, ose 10% më pak se sa e njëjta periudhë e një viti më parë, duke sinjalizuar një rikthim në një situatë pak a shumë normale pas tronditjes së thellë të shkaktuar në muajt mars-qershor për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri. Të ardhurat e muajit shtator ishin 36.8 miliardë lekë, ose vetëm 3% në pak se sa shtatori i vitit 2019. Në krahasim me rënien me 20-30% të muajve mars e prill, situata duket shumë më mirë.

Por ndërsa të ardhurat duket se po stabilizohen, shpenzimet kanë mbetur pas. Mungesa e shpenzimeve gjendet para së gjithash te i ashtuquajturi “Fondi i Rindërtimit”, një zë i veçantë në buxhetin e shtetit i krijuar për llogari të rindërtimit të zonave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Ndërsa vendi gjendet vetëm pak javë larg përvjetorit të parë të tërmetit që vrau 51 shqiptarë dhe la mijëra të tjerë të pastrehë, fondi i rindërtimit, i cili planifikonte shpenzimin e 34 miliardë lekëve për vitin 2020, deri në fund të shtatorit është realizuar me zero lekë.

Probleme janë shfaqur edhe në fondin e zakonshëm të investimeve të qeverisë, i cili është realizuar në masën 91% të planit.

Qeveria shqiptare ka në plan të realizojë një deficit buxhetor në masën 132 miliardë lekë ose mbi 1 miliardë euro gjatë vitit 2020 pasuar me një deficit në përmasa të ngjashme në vitin 2021, ku një pjesë e madhe e deficitit shkaktohet nga nevoja për rindërtim pas tërmetit dhe një pjesë, si pasojë e krizës së shkaktuar nga pandemia. Mosrealizimi i investimeve për rindërtim bëri që deri në fund të shtatorit, deficiti buxhetor të ishte 58 miliardë lekë nga 85 miliardë që planifikohej të ishte./BIRN

Të dhënat e Ministrisë së Financave publikohen këtu:

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne