Fraksionet palestineze Hamas dhe Fatah takohen në Egjipt, diskutojnë luftën në Gaza dhe unitetin kombëtar

Grupet palestineze Hamas dhe Fatah kanë zhvilluar bisedime në kryeqytetin egjiptian Kajro për të diskutuar luftën gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës. Këshilltari për media i Hamasit, Tahir al-Nunu, tha se delegacioni i grupit të tij kryesohej nga anëtari i byrosë politike, Khalil al-Hayya, ndërsa nënkryetari i Fatahut, Mahmoud al-Aloul, kryesonte ekipin e grupit të tij.

“Këto takime synojnë të diskutojnë agresionin (izraelit) në Gaza, zhvillimet politike dhe ato në terren, si dhe të bashkojnë renditjet kombëtare”, tha al-Nunu. Duke cituar burime të paidentifikuara, kanali shtetëror egjiptian ‘Al-Qahera News’ më herët raportoi se bisedimet midis dy grupeve palestineze adresuan një mori çështjesh, përfshirë kalimet kufitare të Gazës.

Në muajin korrik, fraksionet palestineze në Kinë ranë dakord për të arritur një “unitet kombëtar gjithëpërfshirës” dhe për të formuar një qeveri të përkohshme të unitetit kombëtar për të menaxhuar çështjet palestineze në Bregun Perëndimor dhe Gaza. Bregu Perëndimor dhe Gaza janë ndarë politikisht që nga qershori i vitit 2007 për shkak të mosmarrëveshjeve midis dy fraksioneve palestineze.

Hamasi mori kontrollin e Rripit të Gazës në vitin 2007, një vit pasi fitoi zgjedhjet legjislative të vitit 2006, ndërsa Fatah ka administruar Bregun Perëndimor. Izraeli vazhdon me ofensivën brutale në Rripin e Gazës pas sulmit nga grupi palestinez Hamas vitin e kaluar, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.

Të paktën 42 mijë palestiezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, si dhe mbi 97.700 të tjerë janë plagosur. Sulmet izraelite kanë zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë e Rripit të Gazës mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Për veprimet në Gaza, Izraeli përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë./AA

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne