Garda “pretoriane” e së shkuarës

Për të dhënë imazhin se ishte reformuar, Partia e Punës ndërroi emrin në Parti Socialiste, por nuk bëri asnjë analizë dhe nuk kërkoi ndjesë për krimet e përgjakshme që kishte kryer. As një fjalë nuk u tha në kongresin e saj për luftën e klasave që vazhdon ta mbajë shoqerine ende të mbërthyer e të përçarë .

Nën shembullin e saj vepruan edhe Akademia e Shkencave, Instituti i Historisë dhe Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve, që ishin truri intelektual i regjimit. Aq i madh ishte roli i tyre në vrasjen e shpritit dhe shplarjen e trurit të shqiptarëve, sa që me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk ka vepër të tyre që të mos i këndonte luftës kundër armikut të klasës, kundër atyre që i quanin, reaksionarë, armiq e tradhëtarë. Ata ishin shpata copetoi një pjese të shqiptarëve dhe helmi i urrejtjes që u injektoi të tjerëve. Falë veprës së tyre, breza të tërë jetuan të përbuzur nga pjesa tjetër e shoqërisë.

Njëlloj si kriminelët që ikin nga vendi i krimit dhe ndërrojnë identitet, edhe këto institucione ndërruan drejtuesit, por mbajtën në inventarin e tyre krimin. Asnjë autor nuk denoncoi veprën e tij, me objekt luftën e klasave. Asnjë nga këto institucione nuk kërkoi ndjesë për veprat që kanë nxitur luftën e klasave dhe që mbajnë siglën e tyre.

Shumica e “shkencëtarëve” të emëruar, nëpërmjet pushtetit që i ushqen me para, me tituj e ndere, vazhdojnë luftën e klasave me mjete të tjera. Duke mos qenë të aftë të krijojnë, ata janë kthyer në “gardën pretoriane” të dishepujve të tyre dhe nuk lejojnë asnjë mendim ndryshe.

Nëpër institucionet që drejtojnë, medias vizive dhe të shkruar, ata nuk debatojne problematikën e shoqërisë, as sintetizojnë mendimet e saj, por i imponojnë sherret e tyre si opinion, duke u shpëlarë trurin rinisë. Kritikën letrare dhe historike, aq të domosdoshme në një shoqëri demokratike, ata e quajnë herezi.

Këta mbahen si elita e shqiptarëve, ndërsa shkrimtarë, poetë, artistë e piktorë të talentuar enden rrugëve të botës, pa mbështetjen e institucioneve, të braktisur e të harruar.

Ata janë bërë zotër të katedrave, ku me “armën” e notës ushtrojnë pushtet mbi studentët, janë “pronarë” të institucioneve “shkencore” duke imponuar mendimin e tyre dhe refuzuar atë të të tjerëve; ata janë kthyer në shërbëtorë të politikës. Njëlloj si dje.

Por pushteti nuk ka më nevojë më për ta, madje i quan si barrë të rëndë. Ai i kërcënon që të reformohen, në të kundërt do tu presë pagat, njëlloj si kryetarët e kooperativave që kërcënonin fshatarët, se do tu prisnin bukën.
Më kot harxhon paratë e buxhetit kryeministri; ato janë institucione që nuk reformohen kurrë.
Reformimin nuk e bëjnë dot ata që predikojnë të kaluarën e afërt e të largët, as paratë, as servilët e politikës dhe medias. Atë e bëjnë ata që, me mendimin dhe veprën e tyre, e orientojnë shoqërinë nga e ardhmja.
Frymësuesit e luftës së klasave, janë garda “pretoriane” e së shkuarës, ata jane gardianë të dishepujve dhe veprave të tyre të vdekura dhe vrasës të vlerave.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne