Gjermania dhe Britania vazhdojnë të mbështesin me armë Izraelin që gjykohet për gjenocid

Nga Salih Okuroglu

Gjermania dhe Britania e Madhe tërheqin vëmendjen si dy vende nga Evropa që vazhdojnë të mbështesin me armë Izraelin, i cili po gjykohet për gjenocid në Gaza nga Gjykata Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), pavarësisht presionit në rritje nga grupet e të drejtave të njeriut, shkruan Anadolu.

Edhe pse tradicionalisht furnizuesi më i madh i armëve për Izraelin është SHBA-ja, Gjermania dhe Britania me vite të tëra i japin mbështetje të rëndësishme Izraelit në këtë fushë. Sipas të dhënave të përditësuara të Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve të Paqes në Stockholm (SIPRI), SHBA-ja siguroi 70.2 për qind të furnizimit me armë konvencionale për Izraelin në periudhën 2011-2020. SHBA-në e ndoqën Gjermania me 23.9 për qind dhe Italia me 5.9 për qind.

Sipas organizatës joqeveritare “Fushata Kundër Tregtisë së Armëve (CAAT)” Gjermania dhe Britania, nuk i ndajnë në mënyrë transparente të dhënat rreth dërgesave të armëve.

Megjithatë, sipas databazës së krijuar nga organizatat joqeveritare nga informacionet e siguruara nga burime të hapura, në vitet 2015-2020, qeveria gjermane miratoi shitjen e armëve me vlerë në 1.4 miliard euro për Izraelin ndërsa Britania realizoi eksport ushtarak në vlerë prej 426 milionë euro, përfshirë avionë luftarakë, raketa, tanke, armë të lehta, si dhe komponentë për armë dhe municione. Këto shifra nuk përfshijnë eksportin e armëve gjermane dhe britanike drejt Izraelit nëpërmjet vendeve të treta.

Shitjet e armëve të Gjermanisë në Izrael në vitin 2023 u rritën dhjetëfish

Sipas raportit “Politika e Eksportit të Armëve të Qeverisë Federale 2023” të Ministrisë Gjermane të Ekonomisë dhe Mbrojtjes së Klimës në lidhje me miratimin e shitjes së armëve në vendet e huaja, shitjet e armëve dhe pajisjeve ushtarake të vendit në Izrael vitin e kaluar u rritën 10 herë në krahasim me vitin 2022, duke arritur në 326.5 milionë euro.

Në javët e para pas fillimit të sulmeve izraelite në Gaza, qeveria gjermane miratoi 185 kërkesa shtesë për licencë eksporti për furnizime me armë nga Izraeli. Përderisa Gjermania deri më tani ka miratuar kryesisht dërgimin e automjeteve të blinduara dhe pajisjeve mbrojtëse për ushtarët në Izrael, revista “Spiegel” në lajmin e saj më 17 janar bëri të ditur se qeveria po shqyrton dërgesën e municioneve precize të tankeve të kërkuar nga Izraeli dhe planifikon ta miratojë atë.

Në lajm bëhej e ditur se qeveria izraelite i kërkoi Gjermanisë rreth 10 mijë copa municion tankesh prej 120 milimetrash në nëntor 2023 dhe se kjo kërkesë u diskutua në fshehtësi të madhe nga Kryeministria dhe ministritë e Mbrojtjes, Punëve të Jashtme dhe Ekonomisë.

Britania, furnizuesi tradicional i Izraelit

Sipas të dhënave të CAAT, Britania i shet pajisje ushtarake Izraelit që nga viti 1967, kur ky i fundit pushtoi Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor. Rreth 15 për qind të komponentëve të F-35 që Izraeli përdor në bombardimet në Gaza, i furnizon nga Britania.

Në projektin e F-35 gjenden 6 kompani britanike, prej të cilëve 2 i shesin raketa Izraelit, kompani të industrisë mbrojtëse izraelite si “Elbis” posedojnë licencë për tregtimin e pajisjeve ushtarake në Britani.

Organizata palestineze e të drejtave të njeriut Al-Haq dhe Rrjeti Global i Veprimit Ligjor me seli në Britani, më 13 dhjetor 2023, ka iniciuar veprime ligjore në Gjykatën e Lartë kundër Britanisë me arsyetimin se ajo ka injoruar kërkesat për të pezulluar shitjet e armëve në Izrael, duke shkelur ligjin dhe legjislacionin ndërkombëtar.

Protestuesit pro-palestinezë u mblodhën në Londër, përpara zyrës së BAE System, një prej prodhuesve më të mëdhenj të armëve në botë dhe i kërkuan kompanisë që të “ndalojë shitjen e armëve për Izraelin”.

Armët e Italisë testohen në Gaza

Fakti që numri i viktimave në masakrën e Izraelit në Gaza arriti në dhjetëra mijëra, shkaktoi reagime në opinionin italian. Më 16 nëntor 2023, kreu i partisë italiane të opozitës Lëvizja 5 Yje (M5S) dhe ish-kryeministri Giuseppe Conte i bëri thirrje qeverisë italiane të pezullojë menjëherë furnizimet me armë për Izraelin.

Kryetarja e opozitës kryesore, Partia Demokratike (PD), Elly Schlein më 20 janar i bëri thirrje qeverisë të ndalojë shitjet e armëve për Izraelin, duke thënë se ata nuk do të mund të përballojnë “rrezikun që municionet e shitura nga Italia të përdoren në një mënyrë që mund të konsiderohet krim lufte”.

Pas reagimeve në rritje, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, në deklaratën më 20 janar tha se ata kanë vendosur të ndalojnë dërgimin e armëve në Izrael që nga 7 tetori 2023 dhe se nuk kanë dërguar asnjë lloj arme. Megjithatë, armët e prodhimit italian që i janë dhënë më parë Izraelit, aktualisht po testohen nga Izraeli në Gaza.

Artileria detare 76 mm e prodhuar nga Oto Melara, një degë e kompanisë italiane të mbrojtjes Leonardo, u përdor për herë të parë nga Izraeli në Gaza.

Spanja njoftoi se ka ndaluar shitjet

Organizata me seli në Spanjë “Centro Delas”, e cila fokusohet në përpjekjet ndërkombëtare për paqen, ekzaminoi të dhënat e tregtisë së jashtme të Spanjës dhe zbuloi se një kompani spanjolle i shiti Izraelit municione ushtarake në nëntor 2023 në vlerë prej 987 mijë eurosh.

Pas zhvillimit që bëri jehonë të gjerë në publikun spanjoll, ku masakrat e Izraelit në Gaza morën reagime intensive, zëdhënësja e qeverisë spanjolle dhe ministrja e Arsimit, Pilar Alegria tha se asnjë pajisje ushtarake nuk i është shitur Izraelit që nga 7 tetori, kur filluan sulmet e Izraelit në Gaza dhe se armët e dhëna i takojnë para 7 tetorit.

Franca i ofron mbështetje inteligjence Izraelit

Sipas të dhënave të Ministrisë franceze të Mbrojtjes, në periudhën 2013-2022 Franca i shiti armë në vlerë prej rreth 200 milionë euro Izraelit. Në pyetjen “Vallë Franca i ofron mbështetje ushtarake Izraelit?” më 16 tetor 2023, ministri francez i Mbrojtjes, Sebastien Lecornu tha se “vendi i tij ofron kryesisht mbështetje të inteligjencës për Izraelin”.

Aktivistët që mbajtën një protestë përpara selisë së kompanisë franceze të industrisë së mbrojtjes Dassault Aviation pohuan se “të gjitha kompanitë franceze që i shesin armë qeverisë së Tel Avivit janë bashkëpunëtorë në gjenocidin e Izraelit në Gaza”.

Deputetët e partisë opozitare “Franca e Papërkulur” (LFI) më 14 shkurt filluan fushatë nënshkrimesh që qeveria franceze të ndalojë shitjen e armëve për Izraelin i cili ka shkaktuar vdekjen e mijëra civilëve në Gaza.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Francës, Christophe Lemoine në lidhje me pyetjen e Anadolu-t “A po planifikon Franca të pauzojë dërgesat e armëve në Izrael pas vendimit të GJND-së?, u përgjigj:

“Ne morëm parasysh kërkesën e Afrikës së Jugut për masa të reja të përkohshme në lidhje me GJND-në. Kjo kërkesë është në proces për ngritjen e aktakuzës, të cilën gjykata e pranoi më 26 janar. Masat (paraprake) të kërkuara nga gjykata janë ligjërisht të detyrueshme dhe detyruese për të gjitha palët. Duhet të zbatohen dhe në të njëjtën kohë të jenë në përputhje me kërkesat e caktuara nga Franca. Ne jemi të përkushtuar të respektojmë të drejtën ndërkombëtare dhe riafirmojmë mbështetjen dhe besimin tonë në GJND”.

Kur u përsërit sërish pyetja, Lemoine tha: “Lidhur me këtë mund t’iu përgjigjem më vonë”.

Mesazh i Borrellit ka të bëjë drejtpërdrejtë me Gjermaninë

Më 12 shkurt, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell duke reaguar ndaj viktimave civile në sulmet në Gaza, u bëri thirrje vendeve që të ndalojnë eksportet e armëve në Izrael.

Mesazhi i Borrelit ka të bëjë drejtpërdrejt me Gjermaninë, pasi Britania nuk është anëtare e BE-së ndërsa Italia dhe Spanja kanë ndaluar furnizimin me armë për Izraelin.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne