Bota

Gjermania premton ashpërsim të masave kundër organizatës terroriste PKK

Gjermania është zotuar të marrë masa më të forta kundër aktiviteteve të organizatës separatiste terroriste PKK, pasi grupit terrorist rriti dhunën në vend.

Duke folur të martën në një konferencë për media në Berlin, ministri i Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer, tha se veprat penale nga ekstremistët e huaj dhe grupet terroriste në Gjermani janë rritur më shumë se 50 për qind vitin e kaluar, kryesisht për shkak të PKK-së.

“Autoritetet shtetërore do të vazhdojnë të bëjnë gjithçka për t’u siguruar që organizatat e huaja dhe ekstremiste nuk e përdorin Gjermaninë si fushë veprimi. Kjo vlen po ashtu dhe veçanërisht për PKK-në”, theksoi Seehofer.

Sipas statistikave të shpallura nga ministri i Brendshëm, vitin e kaluar në Gjermani përkrahësit e PKK-së kanë kryer 1.887 vepra penale, një rritje mbi 80 për qind nga viti i mëparshëm, ndërsa shkeljet e dhunshme janë rritur në 305 raste, nga 152 që ishin në 2017-n.

Pavarësisht se PKK-ja është e ndaluar në Gjermani që nga viti 1993, ajo mbetet aktive me rreth 14.000 përkrahës në mesin e popullsisë emigrante kurde në vend.

Mbështetësit e PKK-së dhe degës së saj siriane PYD/YPG vitin e kaluar morën përgjegjësitë për dhjetëra sulme kundër xhamive, shoqatave dhe institucioneve të tjera turke në Gjermani, për të protestuar kundër operacioneve antiterroriste të Turqisë në zonat veriperëndimore të Sirisë.

Ankaraja e ka kritikuar Berlinin e nuk merr masa serioze kundër PKK-së dhe bashkëpunëtorëve të saj në Gjermani, të cilët e përdorin vendin si një platformë për mbledhjen e fondeve, rekrutim dhe propagandë.

Ministri Seehofer, një politikan konservator me ndikim, ka premtuar një qëndrim më të ashpër kundër grupeve ekstremiste dhe terroriste të huaja, pasi mori detyrën në vitin 2018.

Dy degë të mëdha të propagandës së PKK-së në Gjermani u ndaluan dhe u shpërbënë në muajin shkurt pas veprimeve ligjore nga Ministria e Brendshme.

Në fushatën e saj terroriste gati 40-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja, e cilësuar si organizatë terroriste nga Ankaraja, Uashingtoni dhe Brukseli, është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë njerëzve, përfshi këtu shumë gra e fëmijë. / AA

OPINIONE