Bota

Gjuha e urrejtjes, mbi 400 marka të njohura pritet ta bojkotojnë Facebook-un

Më shumë se 400 marka të njohura, përfshirë ikonat globale si, Coca-Cola, Adidas dhe Starbucks, pritet të largojnë reklamat e tyre nga gjiganti Facebook, prej 1 korrikut.

Ky hap besohet se është marrë pas raportimeve se negociatat kanë dështuar që të parandalojnë bojkotin njëmujor, si përgjigjje ndaj gjuhës së urrejtjes që ekziston në këtë platoformë.

Aktivistët për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara u kanë kërkuar ndihmë korporatave që t’i bëjnë presion Facebook-ut për të ndalur gjuhën e urrejtjes pas vdekjes së afrikano-amerikanit, George Floyd teksa ka qenë në mbajtje policore.

Organizata si Anti-Defamation League, National Association for the Advancement of Colored People (NAACP), dhe Color of Change, kanë nisur fushatën “Ndalni Urrejtjen për Përfitim”, pas vdekjes së Floydit.

Ky grup ka prezantuar 10 kërkesa për rrjetin social, duke përfshirë mundësinë që ata që janë përballur me ngacmim online, të kenë mundësi të flasin me një punëtor të Facebook-ut.

Sipas agjencisë së lajmeve, Reuters, të paktën dy takime në mes të zyrtarëve të lartë të Facebook-ut dhe reklamuesve janë mbajtur më 30 qershor, në prag të bojkotit njëmujor.

Reuters ka cituar disa burime të kenë thënë se gjiganti Facebook, nuk ka ofruar metoda sesi do ta luftojë gjuhën e urrejtjes, çka ka zemëruar reklamuesit.

Bojkoti i paralajmëruar nuk pritet të ketë ndikim të madh te Facebooku, i cili vitin e kaluar ka thënë se 100 reklamuesit më të mëdhenj kanë kontribuuar në 20 për qind të buxhetit total prej 70 miliardë dollarëve brenda një viti./BW

OPINIONE

INTERVISTA