Gushti, “bum” i kredisë për pasuritë e paluajtshme, arriti 2.9 miliardë lekë

Pas një rënie të vazhdueshme në pjesën e parë të vitit, kredia për blerje pasurish të paluajtshme ka shënuar një bum në kuptimin e plotë të fjalës në muajin gusht. Nga 430 milionë lekë, apo rreth 4 milionë euro në muajin korrik, kredia për sektorin e pasurive të paluajtshme ka kërcyer në gusht në 2.9 miliardë lekë, apo afërisht 28 milionë euro.
Të dhënat vijnë përmes Bankës së Shqipërisë, e cila ka rifreskuar të dhënat mbi flukset mujore të kredimarrjes së korporatave financiare private për 8 muajt e parë të vitit. Ndërkaq, rritja e sektorit të pasurive të paluajtshme ka ndikuar në përmirësimin e kredisë për gjithë sektorin privat. Në total, kredia e re për këtë sektor rezulton në 21.5 miliardë lekë në muajin gusht, rreth 6 miliardë lekë më shumë se në korrik, por duke lënë pas edhe qershorin, i cili ishte një tjetër muaj me flukse të larta kreditimi në nivelin 20 miliardë lekë.

Grupi “Tregtia me shumicë dhe me pakicë; Riparimi i automjeteve dhe motoçikletave” është një tjetër që ka shënuar flukse të larta kreditimi. Ky grup është kredituar nga sistemi bankar me një total prej 10 miliardë lekësh në gusht, me rritje të dukshme nga korriku, kur flukset e huasë së re ishin përkatësisht 6.1 dhe 6.5 miliardë lekë. Në rritje për gushtin është edhe kredia e re për grupin Transporti dhe magazinimi, me flukset që janë rritur në 1.1 miliardë lekë nga 447.7 miliardë në korrik. Ky sektor kishte shënuar një rritje të fortë të kreditiin në muajin qershor, në nivelin 2.7 miliardë lekë.

Ndërkaq, sektori me rënien më të dukshme është ai i ndërtimit, kompanitë e të cilit janë kredituar nga sistemi bankar me një total prej 1.9 miliardë lekësh, nga 2.4 miliardë në muajin korrik. Për tre muajt e mëparshmen, flukset e kredisë së re për këtë sektor qëndruan mbi nivelin e 3 miliardë lekëve. Rënie të dukshme të flukseve ka shënuar edhe sektori i industrisë përpunuese, kredia e re për të cilin nga mbi 2 miliardë lekë në korrik, ka zbritur në 1,3 miliardë në gusht./tpz

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne