Hyn në fuqi udhëzimi për trajtimin e veçantë të mjekëve të rinj, për punësimin do përjashtohen nga konkurrimi

Studentët e mjekësisë që përfundojnë programin e studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” që do të punësohen pranë institucioneve shëndetësore të vendit do të jenë të përjashtuar nga proceduarat konkurruese.

Udhëzimi i përbashkët i Ministrisë së shëndetësisë dhe Ministrisë së arsimit i botuar në fletoren Zyrtare mbështetet te neni 6 i ligjit nr. 60/2023, “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë ‘Mjekësi e përgjithshme’ në institucionet publike të arsimit të lartë”.

“Ky udhëzim rregullon mënyrën dhe procedurën për punësimin me prioritet të mjekëve që përfitojnë trajtim të veçantë, në institucionet shëndetësore, sipas legjislacionit në fuqi. Mjekët që punësohen me prioritet përjashtohen nga procedurat konkurruese të parashikuara në udhëzimin përkatës të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë. Procedura për punësimin me prioritet dhe emërimin në një vend të lirë pune në institucionet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë realizohet nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe institucionet e saj të varësisë, sipas legjislacionit në fuqi”, citohet në udhëzim.

Ligji i ri u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë më 21 Korrik 2023 nga Kuvendi i Shqipërisë, pas shqyrtimit të tij nga komisionet parlamentare nëpërmjet procedurës së përshpejtuar.

Projektligji i propozuar u shoqërua me protesta nga studentët e Universitetit të Mjekësisë për shkak të detyrimit të punësimit të mjekëve të sapodiplomuar jo më pak se 5 vjet në sistemin shëndetësor shqiptar.

“Pranon kalimin zyrtarisht të diplomës përkatëse të arsimit të lartë nga institucioni publik i arsimit të lartë, ku ka përfunduar studimet, në institucionin shëndetësor ku punësohet deri në shlyerjen e detyrimeve për punësim sipas afatit 5-vjeçar, me të drejtën që pas përmbushjes së detyrimit të punësimit të tërheqë diplomën universitare”, përcaktohet në nenin 4 të ligjit.

Ndryshimet ligjore prekin dhe studentët e tjerë nga viti i dytë deri në të katërtin, të cilët do të jenë detyruar të nënshkruajnë marrëveshje para nisjes së vitit të ri akademik duke pranuar të punojë jo më pak se 3 vite në vend.

“Trajtim të veçantë përfiton studenti i vitit të dytë deri në vitin e katërt akademik kur pranon përmbushjen e kushteve si më poshtë: a) nënshkruan marrëveshje para fillimit të vitit akademik përkatës dhe për të gjithë periudhën e kohëzgjatjes së studimeve, e cila lidhet ndërmjet tij, ministrisë përgjegjëse për arsimin, ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë dhe institucionit të arsimit të lartë publik për të punuar në profesionin e mjekut pas përfundimit të studimeve për jo më pak se 3 (tre) vjet në institucionet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë”, citohet në ligj.

Për studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë, detyrimi i punësimit në Shqipëri është deri në 2 vite.

Udhëzimi

Neni 1 Dispozita të përgjithshme

Ky udhëzim rregullon mënyrën dhe procedurën për punësimin me prioritet të mjekëve që përfitojnë trajtim të veçantë, në institucionet shëndetësore, sipas legjislacionit në fuqi. 2. Procedura për punësimin me prioritet dhe emërimin në një vend të lirë pune në institucionet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë realizohet nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe institucionet e saj të varësisë, sipas legjislacionit në fuqi. 3. Mjekët që punësohen me prioritet përjashtohen nga procedurat konkurruese të parashikuara në udhëzimin përkatës të ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë.

Neni 2 Përgjegjësitë e institucioneve

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka përgjegjësitë si më poshtë: a) bashkëpunon me Universitetin e Mjekësisë, Tiranë për të mundësuar kalimin zyrtarisht ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë, të diplomës dhe suplementar të saj të studentit të sapodiplomuar në programin e ciklit të dytë të studimeve “Mjekësi e Përgjithshme”, që ka nënshkruar marrëveshjen me Universitetin e Mjekësisë Tiranë, ministrinë përgjegjëse për arsimin dhe ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë; b) bashkëpunon me Universitetin e Mjekësisë, Tiranë për t’i kaluar zyrtarisht Urdhrit të Mjekëve një kopje të njehsuar të diplomës dhe suplementit të saj të studentit që ka nënshkruar marrëveshjen, me qëllim pajisjen me lejen e ushtrimit të profesionit të mjekut, bazuar në dispozitat ligjore në fuqi.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka përgjegjësitë si më poshtë: a) vlerëson nevojat, identifikon dhe përditëson çdo vit dhe në mënyrë dinamike, listën e vendeve vakante për pozicionin “mjek i përgjithshëm” në institucionet shëndetësore, me qëllim punësimin me prioritet të mjekëve të sapodiplomuar;

b) organizon procedurën për njoftimin për vendet e lira të punës dhe punësimin e këtyre mjekëve, sipas nevojave të sistemit shëndetësor;

c) pas procedurës për njoftimin e emërimit të mjekut, dërgon diplomën me suplementin në institucionin shëndetësor ku punësohet, për t’u administruar në dosjen personale të mjekut, sipas dispozitave ligjore në fuqi;

d) dërgon çdo vit pranë Urdhrit të Mjekëve listën e studentëve që kanë nënshkruar marrëveshjen me Universitetin e Mjekësisë Tiranë, ministrinë përgjegjëse për arsimin dhe ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, sipas afateve të parashkruara në këtë marrëveshje mes palëve, që hyn në fuqi pas licencimit të tyre si mjek dhe fillimit të punësimit me institucionin shëndetësor sipas nevojave të sistemit shëndetësor, si dhe listën e mjekëve të punësuar bazuar në këtë marrëveshje;

e) me përfundimin e angazhimit të punësimit të mjekut, për periudhën kohore të parashikuar në marrëveshjen mes palëve, institucioni shëndetësor i dorëzon atij diplomën dhe suplementin origjinal, dhe administron në dosjen e tij individuale kopjen e njehsuar të këtij dokumentacioni.

Neni 3 Procedura për punësimin me prioritet të mjekut

Pranë ministrisë përgjegjëse për shëndetësinë ngrihet komisioni ad-hoc, i cili organizon dhe ndjek procedurën e punësimit të mjekëve të sapodiplomuar, bazuar në rezultatet e studimeve të tyre universitare, vendlindjen/vendbanimin dhe pozicionet vakante në institucionet shëndetësore në vend. 2. Struktura përgjegjëse e burimeve njerëzore në ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë njofton mjekun për emërimin dhe institucionin shëndetësor ku ai emërohet.
Ngarkohen për zbatimin e këtij udhëzimi Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Universiteti i Mjekësisë Tiranë dhe Urdhri i Mjekëve. Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare/Monitor

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne