Rajoni

I dërguari i Trump, Richard Grenell: Nuk erdha në Kosovë për koalicionin, ja arsyeja e vizitës

Richard Grenell, ambasadori amerikan në Gjermani njëkohësisht i dërguari i Trump për dialogun Kosovë- Serbi pas takimit me Presidenti Thaçi tha se nuk erdhi në Prishtinë për koalicionin qeverisës duke mos pasur as preferenca.

Ai shtoi se kishte ardhur në Kosovë për zhvillimin ekonomik të vendit. Mediat kosovare aluduan se Grenell ishte i dërguari i posaçëm i Trump i cili mund t’i jepte zgjidhje mosarritjes së koalicionit mes Vetëvendosjes dhe LDK-së por duket se sërish fati i ngelet dy krerëve të partive.

“Duam të zhvillojmë ekonomikisht këtë rajon. Të rinjtë kanë nevojë për punë, kjo është politika e presidentit Trump. Ekonomia në SHBA po lulëzon, sepse kemi thënë se njerëzit duhet ta marrin pushtetin. Duhet të hapni punë e zhvillim ekonomik për njerëzit që e meritojnë atë. Njerëzit në Kosovë meritojnë punë e të ardhme të ndritshme. Ne do t’i nxisim qeveritë dhe liderët në Kosovë dhe në Serbi, e t’u themi: ‘shikoni njerëzit, nisni të hapni punë të reja’. Komuniteti biznesor në SHBA e në Evropë dëshiron të vijnë këtu në forma më të mëdha.

Por, s’mund ta bëjnë nëse ka konflikte nga establishmenti politik. Kemi shumë projekte e ide që do të krijojnë energji, ekonomi, por veçanërisht, punë – punë që paguhen mirë. Presidenti Trump ka qenë i përqendruar në këtë, duke thënë: ‘kur keni ekonomi vibrante, kur keni njerëz që marrin pjesë në ekonomi me mënyra të reja, me biznese të reja, çështjet politike bien, sepse atëherë njerëzit përqendrohen në jetën e tyre të përditshme. Për këtë jam këtu dhe s’dua të kyçem në debatin politik, sepse kjo po na lë prapa. Dua të shikoj problemet që i kemi pas e t’i çojmë Kosovën dhe Serbinë përpara”, tha Grenell./KP

OPINIONE