Shqiperia

Impianti i mbetjeve/ PD në Fier i përgjigjet LSI: Po talleni me njerëzit, anuloni vendimin

FIER– Një ditë pas deklaratës së kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Këshillin Bashkiak të Fierit, Nimet Musaj, mbi projektin për ndërtimin e impiantit të mbetjeve, ka reaguar kreu i Partisë Demokratike në Fier. Luan Baci shprehet se LSI deri dje votoi pro ndërtimit të impiantit, ndërsa tani kërkon të bëjë të paditurin që të fitojnë pikë ndaj banorëve.

“I keni patur dokumentet përpara, por nuk i pranonit sugjerimet tona. E hëngrët turpin me buke pasi e ndryshuat vendin pas protestave te banoreve. Turp për te dyja palët, qe deri dje votonin për impiantin ndërsa sot me Facebook apo me deklarata publike kërkojnë qe te bëjnë të paditurin, në mënyre që të fitojnë pikë ndaj banoreve. Turp që po talleni me njerëzit. Nëse doni ti ndihmoni këta banorë, mblidhni këshillin dhe anulojeni vendimin për ketë impiant”- ka thënë Luan Baci.

Një ditë më parë, Nimet Musaj ka thënë se duhet transparencë për qëndrimin e bashkisë së Fierit, ndërsa konfirmoi se nuk ka vendim zyrtar për tërheqjen e ndërtimit të impiantit. Ndër të tjera ai tha se LSI është kundër këtij projekti, që sipas tij nuk plotësohen kushtet teknike dhe s’ka miratim nga komuniteti.

“Duhet transparencë për qëndrimin e bashkisë. Nuk ka ende vendim zyrtar për tërheqjen e vendimit për ndërtimin e impiantit. Duhet të plotësohen kushtet teknike si dhe të merret konfirmimi i komunitetit. Duhet transparencë edhe për shpronësimin e tokës”- tha këshilltari i LSI.

Impianti i parashikuar të ndërtohet mes 4 fshatrave të Fierit ka sjellë pakënaqësinë e banorëve të cilët kanë protestuar kundër këtij projekti.

(d.d/BalkanWeb)

OPINIONE

INTERVISTA