Industria e falimentuar e riciklimit po i “lë vendin” inceneratorëve

Kanë investuar me miliona euro në teknologji dhe makineri në fabrikat e riciklimit, por nuk kanë parë asnjë ditë të bardhë në këtë sektor. Edhe pse potenciali në këtë industri është i lartë, fabrikat po shfrytëzojnë vetëm 25% të kapacitetit të tyre.
Shumë prej tyre u kanë vënë drynin fabrikave. Disa, të cilët po punojnë vetëm 10 ditë gjatë muajit, po mendojnë seriozisht që të shpërngulen drejt rajonit. Aktorët e tregut tregojnë se në mënyrë indirekte, numri i të punësuarve në këtë industri i kalon 10,000 dhe ata përfaqësojnë shtresat më të varfra të popullsisë.

Nga Ledina Loga, Monitor

Sejdin Zere, në 2010-n, mori nismën për të ndërtuar një impiant riciklimi mbetjesh në Berat. Investimet në kompaninë e riciklimit të shisheve të plastikës kapin vlerën e 1.2 milionë eurove. Zoti Zere tregon se aktualisht kompania e tyre punon vetëm 10 ditë në muaj, me mbetjet që grumbullojnë në vetëm 3-4 ditë në të gjithë Shqipërinë. “Dalëngadalë po ikin 10 vite dhe nuk është bërë asgjë, vetëm fjalë”.
I pyetur për ecurinë e industrisë së riciklimit, zoti Zere tregon se që kur u bë pjesë e kësaj industrie nuk kanë pasur ndonjë vit të mirë. “S’kemi parë ditë të bardhë”,- tha ai për “Monitor”.

Nëse fabrika e riciklimit e zotit Zere do të punonte me kapacitet të plotë, numri i të punësuarve me kohë të plotë gjatë vitit do të ishte 180, ndërsa qarkullimi mujor do të ishte minimalisht rreth 400 mijë euro.
Aktualisht, sipas zotit Zere, të ardhurat mujore variojnë nga 40 deri në 80 mijë euro, 10 herë më pak se kapaciteti minimal i shfrytëzimit.

“Është një industri që për mua ka vdekur, vetëm se ne nuk po i çojmë kompanitë në falimentim. Procedurat janë shumë të gjata dhe të bezdisin. Janë punë të ngritura me mund dhe po vazhdojmë me shpresë se muajin tjetër do të jetë më mirë”.
Përveç fabrikës së riciklimit të shisheve plastike, zoti Zere ka investuar edhe në një fabrikë të dytë në zonën e Librazhdit për riciklimin e drurit. Edhe te riciklimi i drurit, situata është e njëjtë. Zere shprehet pesimist për ecurinë e sektorit në Shqipëri dhe parashikon se rënia do të jetë edhe më e madhe.

Fabrika që po mbyllen, INSTAT raporton rënie të riciklimit

Restore Reduce Recycle Albania, fabrikë riciklimi në Kavajë, me kapacitet prodhues ndër më të lartët në Ballkan, prej një viti ka pushuar së punuari. Edhe fabrika Etna Polimer në Devoll, pushoi së operuari pesë vite më parë.

Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave tregojnë se riciklimi i mbetjeve në Shqipëri ka ruajtur të njëjtën tendencë me rënie. Në vitin 2016 u ricikluan 17.2% e sasisë totale, ndërsa në vitin 2015 u ricikluan 25,3%, në vitin 2014 21,6% dhe në vitin 2013 rreth 24,0%.
Edhe kompanitë më të mëdha, sipas pasqyrave financiare të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, raportojnë ulje të qarkullimit të tyre vjetor. Ndërkohë sipas aktorëve të tregut situata në 2017-n është edhe më keq se në 2016-n.

Sipas zotit Vullnet Haka, administrator i kompanisë ricikluese Everest IE, kompanitë e riciklimit nuk kalojnë as 25% të kapacitetit të instaluar.
Haka shton se investimet e kryera nuk janë vënë në punë, por edhe ata që i kanë në punë kanë koeficient shfrytëzimi shumë të ulët. Sipas aktorëve të tregut, problemet kryesore për këtë ecuri të ulët janë menaxhimi i dobët i mbetjeve, si dhe eksporti i lëndës së tyre të parë prej tregtarëve në drejtim të vendeve të rajonit.

Ricikluesit kërkojnë reciprocitet

“Ligji për importin e mbetjeve” është bllokuar prej kohësh në vend. Edhe pse, sipas zotit Vullnet Haka, industria pret që lëndën e parë ta marrë brenda vendit, jo nga importi. Dhe kjo, sipas zotit Haka, bëhet vetëm me anë të menaxhimit të integruar të mbetjeve në burim. Për menaxhimin e integruar të mbetjeve, sipas zotit Haka, nuk ka kompani të mirëfillta që ta bëjnë këtë dhe që do të sillte rezultat edhe për ne.
“Presim që lëndën e parë ta marrim brenda vendit, jo nga importi, dhe kjo bëhet vetëm në rast se bëhet menaxhimi i integruar i mbetjeve në burim. Aktualisht nuk ka kompani të mirëfillta që ta bëjnë këtë dhe që do të sillte rezultat edhe për ne”.

Mirëpo Sejdin Zere thotë për “Monitor” se edhe pse kanë ndaluar importin, po lejohet eksporti i lëndës së parë të ricikluesve nga tregtarët e vegjël, të cilët nuk përpunojnë mbetje. Sipas tij, kjo është e pakuptimtë dhe duhet të vendoset patjetër një marrëdhënie reciprociteti.
“Po nuk pate impiant riciklimi, nuk ke të drejtë që të merresh fare me eksportin e mbetjeve”.

Në këtë mënyrë, sipas zotit Sere, po favorizohen tregtarët, ndërkohë që heq prej vendit vlerën shtuar dhe penalizon të gjithë të punësuarit e kësaj industrie. Zere shton se 50 punëtorët e fabrikës së riciklimit të shisheve plastike (PET) në Berat mund të punojnë vetëm 10 ditë në muaj. Ndërsa për fabrikën e riciklimit të drurit në Librazhd (ku prodhohet peleta), është i detyruar që mbetjet drusore, t’i importojë nga jashtë si dru dhe jo si mbetje, për shkak të ndalimit të importit të tyre. Prodhuesit kërkojnë që të paktën të ketë reciprocitet duke u ndaluar eksporti.
“Kur investuam në këtë industri pamë ligjin shqiptar. Ka katër-pesë vjet që presim se çfarë do të bëhet, por me një VKM të vendoset reciprociteti”,- shton zoti Zere. Por sipas tij e njëjta gjë ndodh edhe me kompanitë që riciklojnë kartonët.

Goditja finale, mbyllja e pikave të grumbullimit

Rreth 80 biznese që merreshin me grumbullimin e mbetjeve të riciklueshme janë mbyllur, për shkak se nuk iu është rinovuar leja mjedisore. Në këto pika grumbullimi, mijëra të vetëpunësuar nga shtresat më e varfër e shoqërisë çonin mbetjet e grumbulluara në qytet. Ndërkohë që pikat e grumbullimit shërbenin si lëndë e parë për kompanitë e riciklimit. Me mbylljen e këtyre pikave, kompanitë e riciklimit morën goditjen finale.
Sipas zotit Zere, është një arsye më shumë se pse kjo industri do të vazhdojë me rënie. “Unë parashikoj që trajtimi i mbetjeve do të bjerë më shumë. Arsyeja: njerëzit që punonin duke i mbledhur nëpër kazanë apo në rrugë nuk lejohen më. Mbetjet shkojnë në landfill, mirëpo edhe atje nuk i lejojnë më që t’i seleksionojnë.

Filip Gjoka, president i Bashkimit të Prodhuesve, këshillon që Shoqata e Ricikluesve, Ministria e Mjedisit dhe Bashkia e Tiranës, të gjejnë një rrugë apo një mundësi që këto pika grumbullimi të vetëkorrigjohen, apo të kenë kohën e duhur për t’u shpërngulur nga zonat e banuara.
Sipas zotit Gjoka, ligjet e pakonsultuara me palët e interesuara prodhojnë kontestime dhe sjellin mosmarrëveshje deri në protestë.
Filip Gjoka tha për “Monitor” se numri i të punësuarve në këtë industri, në mënyrë indirekte përllogaritet deri në 10 mijë dhe se ata i përkasin shtresës më të varfër të shoqërisë. Ndalimi i menjëhershëm i grumbullimit të mbetjeve për riciklim do të sillte, nga ana tjetër, edhe një problem social.

“N.q.s. krijohet hapësira, të paktën të ndalohet eksporti nga tregtarët që të mos na ikë lënda e parë. Interesi është tek unë që e përpunoj dhe prodhoj vlerë të shtuar për ekonominë; punësoj, si dhe paguaj taksa”.

Industria, drejt shpërnguljes në rajon

Nuk janë të pakta ofertat që aktorët e tregut kanë marrë për t’u shpërngulur në rajon. Vullnet Haka, administrator i kompanisë Everest IE, tregon se ka marrë oferta të vazhdueshme për t’u shpërngulur drejt Maqedonisë, ku sipas zotit Haka edhe korniza ligjore është më e plotësuar.

Sipas zotit Haka, në rast se shpërngulet në Maqedoni, punën e kanë të garantuar, pasi mund të marrin mbetje nga Shqipëria, iu garantohet toka falas, qiraja për ndërtesa është simbolike, përfitojnë rreth 2500 euro për çdo të punësuar, në mënyrë që ta trajnojnë, si dhe kanë tatim fitim 0 për dhjetë vjet. Joshja, sipas zotit Haka, është e madhe dhe shpërngulja drejt rajonit do të jetë alternativë për pjesën më të madhe të operatorëve në treg. E gjithë industria po e mendon transferimin.

Edhe zoti Zere tregon se është drejt finalizimit të një projekti që ka në Kosovë.
“Kam një projekt për në Kosovë, për t’u transferuar si biznes, sepse atje kam mundësi që të marr nga Shqipëria dhe të marr nga e gjithë bota. Po e shikojmë si mundësi. Na vjen keq për investimet, por në fund të fundit, do të shikojmë interesat tona. Kosova dhe vendet e rajonit në përgjithësi na duken disi më me rregulla”.

Zgjidhje për industrinë: Menaxhimi i Integruar i Mbetjeve

Vullnet Haka tregon se zgjidhje është menaxhimi i integruar i mbetjeve. Më shumë se 50% e mbetjeve urbane janë mbetje inorganike.

Sipas propozimit të Shoqatës së Riciklimit bëhet ndarja e mbetjeve që në burim, ku hidhen të ndara në tre grupe të ndryshme: mbetjet organike, inorganike dhe mbetjet e rrezikshme që kalojnë në një proces tjetër menaxhimi. Sipas llogaritjeve të tyre, mbetjet inorganike përgjigjen për rreth 60% të mbetjeve. Ndërsa 40% janë mbetje organike.

Mbetjet organike pasi transferohen në landfill, kompostohen dhe prej tyre çlirohet gaz dhe energji, në fund ajo që prodhohet është plehu organik. Rezultat i këtij procesi është zero mbetje. Për sa u përket mbetjeve inorganike ato ndahen në disa grupe, si plastika, qelqi, metale të ndryshme, druri, inerte, konfeksione dhe të tjera mbetje. 85% e tyre mund të ripërdoren, riciklohen ose në rastin e drurit të bëhen peletë, ndërsa vetëm 15% e tyre mbetet për djegie.

Të gjitha mbetjet inorganike adresohen ose te ripërdoruesi, materiale të cilat me gjysmë procesi pune ose direkt mund të ripërdoren për procese të ndryshme.
Haka shton se hierarkia për menaxhimin e mbetjeve logjikisht është:

-Reduktim

-Ripërdorim

-Riciklimin

-Asgjësim (Incenerim ose Groposje)

Por sipas zotit Haka është bërë një zëvendësim, duke nxjerrë incenerimin të parin. Ndërkohë që incenerimi nuk ka një peshë, 15% nëse i qëndron besnik procesit të menaxhimit të integruar të mbetjeve.

Trajtimi i mbetjeve me riciklim (si mund të ulen kostot e trajtimit nëpërmjet riciklimin)

Nëse themi se Shqipëria prodhon 1.5 milionë mbetje në vit dhe i duhen 120 euro për të trajtuar çdo ton të prodhuar (120 euro është kostoja e trajtimit në vendet e BE-së, kurse në Shqipëri për shkak të kostove të lira të punës, kostoja e riciklimit të mbetjeve përllogaritet rreth 80-90 euro). Sipas zotit Vullnet Haka, kjo kosto mund të ulet shumë thjesht:
Një pjesë të kësaj kostoje e rimerr nga mekanizmi ekonomik.

Pjesën tjetër, duke përdorur mekanizmin financiar, duke u bazuar në parimin “Ndotësi paguan”. Ata që prodhojnë mbetje, fabrikat, apo në aktivitetet e ndryshme ekonomike, mbi bazë të sasisë që gjenerojnë të paguajnë një fond që të shkojë për trajtimin e mbetjeve.
Ndarjen e mbetjeve bashkiake nga mbetjet që prodhohen nga aktivitetet ekonomike.
Të përdoren format e delegimit të përgjegjësisë për menaxhimin e mbetjeve ndërmjet subjekteve, duke shmangur detyrimin ndaj bashkive. Nëse një kompani që prodhon mbetje, bën kontratë me një kompani që trajton mbetje, nuk ka pse paguan më në bashki./ monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne