Inkuzicioni në Shqipëri, dështim nga pluralizmi fetar

Nga Xhafer Sadiku
Inkuizicioni mesjetar u shtri edhe në Shqipëri. Më 1224, dominikanët zbarkuan në Durrës, pasi atje ortodoksët ishin të fuqishëm. Për të penguar ritmet e shpejta të përhapjes së ortodoksisë, më 1236, Papa Grigori i nëntë urdhëroi kreun e Domenikanëvet të provincës romane të dërgonte fretër të Urdhnit të vet, “inkuizitora në kryedioqezën e Tivarit”.
Me gjithë aktivitetin që zhvillonin përfaqësuesit e Papës e kishin të vështirë të arrinin suksese, për shkak të konflikteve të brendshme dhe të jashtme. Për të vënë rregull dhe disiplinë duhej një dorë e fortë, e, Papa Inocenti i katërt e gjeti tek françeskani de Plano Carpino, të cilin, në vitin 1248 e emëroi në selinë metropolitane të Tivarit. Ai kishte detyrë të kujdesej për dioqezat e Shqipërisë së Veriut e të Serbisë, e drejtimin e “sivllazënve të vet që gjindeshin n’ata vise”.
Klerik i njohur, që kishte përmbushur misionin françeskan në Lindje, ai i’u përgjigj mirë detyrave të ngarkuara nga Papa. Aplikoi ligje kishtare, duke penguar kurajën e opozitarëve e shthurjen, duke sjellë në mësimet e kishës heretikët e ortodoksët, aq sa pas vdekjes së tij, më 1252, qenë zgjedhur për këtë vend, njëri pas tjetrit, tre antarë të urdhrit të tij. Pas vdekjes, ai qe shpallur “I Bekuar”. Sipas Suflayt, merita e Gjoni de Plano Carpino ishte se “qe udhëheqësi i sistemit të ri të kurjes romake, mbas të cilës Albanija u bë qendra e veprimit kundër orthodoksizmit në Ballkan…”
Papa Bonifaci i tetë, më 29 prill 1298, urdhëroi provincialin françeskan të Skiavonisë të zgjidhte si inkuizitorë dy priftërinj të aftë nga urdhri i tij. Ata do të luftonin herezitë në regjionet e Serbisë, Dalmacisë, Kroacisë, Bosnjës e Istrias, si dhe në arqipeshkvinë e Durrësit, Tivarit, Raguzës, Spalatës e Zarës. Urdhri i Papës i 29 prillit 1298, u përsërit nga Papa Giovanni 22, më 1 korrik 1327, madje më me vendosmëri.
Në Dalmaci, Bosnje, Serbi e në Shqipërinë e Veriut, që ishin nën juridiksionin fetar të Kishës katolike, ku patën aktivitet të gjerë inkuizitorët, u dukën frytet e punës së françeskanëve. Për të gjithë Shqipërinë, më 1446, ka qenë një inkuizitor të cilin e hasim edhe nga të dhënat arkivore të nëntorit 1469. Inkuizitori dominikan hapi procedurën për të dënuar klerikun Pal, prej Dushmanëve të Pultit. Sipas Fulvio Cordignanos, ai ishte “njeri me guxim dhe me talent të madh, që donte të barazonte autoritetin e tij me autoritetin e arkipeshkut të Tivarit dhe dukej se i bënte koncesione të mëdha ortodoksisë”. Për këtë, u kallëzua në Romë, po gjyqi nuk mori fund, pasi vdiq para se inkuizitorët t’i jepnin dënimin.
Me përfshirjen e territoreve shqiptare në Perandorinë Osmane, u zhdukën edhe inkuizitorët dominikanë nga Shqipëria. Pluralizmi religjioz dhe sistemi i mileteve që ishin institucionalizuar nga Perandoria Osmane, e bënte të pamundur funksionimin e inkuizicionit dhe goditjet e tij.
Në kushtet e pluralizmit religjioz, edhe brenda katolicizmit inkuizicioni në Shqipëri nuk do të kishte efekt. Ata që do të akuzoheshin nga inkuizicioni, konvertoheshin në myslimanë dhe gjenin mbrojtje. (Marre nga libri “Midis Perandorive dhe Religjioneve) /GazetaImpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne