Intervistë me Majkon: “Shqipëria e Madhe” dhe afrimi me Serbinë

Ish-kryeministri Pandeli Majko në kohën e luftës në Kosovë, deputeti socialist Pandeli Majko ka folur sot edhe për deklaratat e tij në lidhje me kufirin Shqipëri-Kosovë dhe lëvizjen e lirë. Ai sqaroi në “Studio e Hapur” në News24 se bëhet fjalë për atë lloj lëvizje që ekziston sot mes dy vendeve që janë anëtare të BE-së. Majko tha se nuk bëhet fjalë për Shqipëri të Madhe.

“Kosova dhe Shqipëria lëvizjen e radhës që kanë për të kryer si akt rajonal padiskutim është hapja e tregjeve për njëra-tjetrën. Do të ishte absurde për të mos thënë idioteske që Shqipëria dhe Kosova të diskutojnë integrimin rajonal pa diskutuar së pari integrimin me njëra-tjetrën”, deklaroi deputeti i PS-së që mban edhe shtetësinë e Kosovës.

Ai foli edhe për afrimin mes Shqipërisë dhe Serbisë në qeverisjen Rama dhe tha se nuk ka opinion kundërshtues por se nuk është optimist.

Marrëveshja mes Kosovës e Shqipërisë…
Është një diskutim që ka filluar që në shtator, që në vizitën e parë të Haradinajt në Tiranë dhe ku dy kryeministrat deklaruan dy qeveritë do punonin për një lëvizje të lirë të mallrave e njerëzve. Me shumë dashuri e kam pritur këtë hap. Në forumin ekonomik të diasporës, shpreha një lloj ankthi pasi gjërat janë duke ecur ngadalë. U shpreh në konferencën e shtypit në Korçë nga Haradinaj që një pjesë të fajit e ka pala e Kosovës. Për më tepër nga pala e Shqipërisë në negociatat e kësaj natyre për hapjen e kufirit dhe organizimin e tij me një kapacitet të standardit brenda Bashkimit Europian.

Do të thotë siç është kufiri mes dy vendeve anëtare të BE-së të jetë edhe kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës. Dhe këtu nuk ka asnjë konotacion nga shprehja “të heqim kufijtë” se tani nganjëherë fantazia të çon edhe në drejtime të çuditshme, por nuk bëhet fjalë për heqje kufijsh, bëhet fjalë për një hapje e standardit europian midis Shqipërisë e Kosovës. Dhe ajo që do të bëhej po them unë në kufirin me Kosovën mund të bëhet fare mirë edhe në mënyrë elektronike shumë të organizuar, besoj që specialistë shumë më të mirë se sa unë në fushën e doganave mund ta shpjegojnë këtë, mund të bëhet që nga porti i Durrësit. Që do të thotë që doganierët e Kosovës do të jenë të pranishëm edhe në Durrës dhe kjo s’ka asnjë.

Një lloj heqje kufijsh është edhe kjo apo jo? 
Ky është një riorganizim sipas një standardi europian të marrëdhënieve mbi të gjitha ekonomike midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe sidomos për sa i përket lëvizjes së lirë. Të mos harrojmë se industria jonë e turizmit pa pushuesin kosovar do merrte një goditje të rëndë.

Kosova dhe Shqipëria lëvizjen e radhës që kanë për të kryer si akt rajonal padiskutim është hapja e tregjeve për njëra-tjetrën. Do të ishte absurde për të mos thënë idioteske që Shqipëria dhe Kosova të diskutojnë integrimin rajonal pa diskutuar së pari integrimin me njëra-tjetrën. Këtu nuk është fjala për heqjen e kufijve.

Çfarë emri i vini, sepse nuk është një status quo?
Është një balancim i arsyeshëm, një standard europian në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës. Imagjinoni për një moment i gjithë rajoni jonë të jetë anëtar i BE-së. Kush do jetë kufiri mes dy vendeve, si do jetë i organizuar kufiri mes Shqipërisë dhe Kosovës.

A jemi dy shtete të ndryshme?
Jemi. Po flet me një njeri që i ka të dy shtetësitë. Po e them se unë i njoh të dyja shtetësitë dhe i mirëkuptoj të dyja. Për mua atdheu është dhe atje dhe këtu.

Atëherë kjo është Shqipëria e Madhe?
Jo nuk është Shqipëria e Madhe. Shqipëria e Madhe do të ishte që ne të negocionim me parlamentin e Kosovës idenë e një referendumi dhe të diskutonim me ta procedurat e bashkimit të dy shteteve. Kjo do të ishte në shkelje të gjithë konventave. Ne po bëjmë një gjë krejtësisht tjetër. Çfarë po kërkon sot Serbia? Ka hedhur idenë e një tregu të madh rajonal. Pse ne duhet të vrapojmë pas tregut të madh rajonal pa u orientuar nga tregu shqiptar.

Unë jam i prirur të mendoj se akti më i rëndësishëm që Shqipëria dhe Kosova ka është si do sillemi ne me njeri-tjetrin. Nëse do mbetemi tek standardi i inferioritetit, ne nuk jemi asgjëkundi. Nëse flasim kështu do jemi në nivelin e psikologjisë në vitet ’70.

Nuk jemi tek Shqipëria e Madhe por kemi filluar të shkojmë?
Ne kemi filluar të ndërtojmë një proces të integrimit europian midis Shqipërisë dhe Kosovës, por kjo nuk ka të bëjë fare po fare me krijimin e një Shqipërie të Madhe.

Jo se jeni kundër një Shqipërie të Madhe?
Pse duhet të ma bëni këtë pyetje. Në logjikën time çfarëdo që do të ndodhë në vazhdim në Ballkan, në Evropën Juglindore, ne do të ecim me logjikën evropiane jo me logjikën e të shkruajturit të historisë vetë. Ajo që ka mësuar nga Ballkani nga gjithë kjo histori e përgjakur që e ka shkruar me dorën e vetë është se ne nuk mund të funksionojmë si ishull.

Deklaratat tuaja u konsideruan si fishekzjarrë, po u përgjigjët me një status në “Facebook”, ku thoshit se në të dy anët e kufirit ka që nuk e duan të ndodhë ajo që pritet, ajo për cilën shqiptarët u vranë në ‘44 dhe ‘99. Çfarë keni dashur të thoni?

Kam shkruar atë që kam ndjerë dhe që mendoj se është e vërtetë. Ne vuajmë nga ide nga më të çuditshmet që më tepër janë sindroma, të trajtuarit me inferioritet të vetes. Kjo ka krijuar një histori të vetën. Unë shpresoj dhe uroj që politikbërja e dy vendeve të orientohet nga kjo marrëdhënie e re mes Shqipërisë dhe Kosovës. Nëse kryeministri Rama dhe kjo qeveri po merr një drejtim të duhur në historinë e marrëdhënieve me Kosovën, është pikërisht ky akt. Nëse do ishte firmosur kjo marrëveshje të gjitha marrëveshjet e tjera do ishin kornizë.

Kush janë ata që nuk duan?
Sot që flasim tregun e Kosovës, një pjesë të mirë e zotërojnë mallrat e Serbisë. Sot që flasim ne duhet të pranojmë një gjë që struktura ekonomike e një tregu nuk ndryshon fap. Atje janë mësuar me një varg mallrash, cilësish që vijnë edhe nga koha e qëndrimit bashkë në Ish-Jugosllavi. Në Kosovë është krijuar një infrastrukturë e këtyre mallrave.

Duhet të tregojmë edhe një fenomen tjetër në Kosovë. Në kushtet kur Kosova është shtet i pavarur, është i izoluar. Shqiptarët e Kosovës ishin në regjim represiv por lëvizja e lirë ishte. Dikur ka qenë një situatë pak ndryshe dhe po nxitet në një mënyrë tjetër. Mendoj se asgjë nuk bëhet asgjë në një proces të caktuar. Në Kosovë ekziston një fenomen që nuk e shikon me pozitivizëm marrëdhënien me Shqipërinë. Nëse do të realizohet lëvizja e lirë e mallrave dhe njerëzve ne do të kemi ndikim të jashtëzakonshëm. Nëse biem në interesa më pas, mos na preket ky çifligu këtu apo në Kosovë, atëherë kjo është drama e njerëzve të vegjël që nuk e kuptojnë se çfarë është duke ardhur.

Gjatë qeverisjes Rama është parë një afrim mes Shqipërisë dhe Serbisë si e shikoni?
Duhet të pyesni Ramën. Nuk kam asnjë opinion kundërshtues por nuk jam optimist. Të jem i sinqertë. Serbia po luan shahun e tyre, nuk them që Shqipëria nuk po luan shahun e saj.

Nuk është parë pozitivisht edhe në Kosovë…
Ka ardhur nja dy herë por besoj se është mbyllur si histori. Të gjithë e kanë parë që Rama nuk ka kërkuar të flasë në emër të Kosovë.

Serbia vazhdon të mbajë të bllokuar interkonjeksionin me Kosovën?
Në Serbi ka politikanë shumë të këndshëm. Problemi është që marrëdhënia shtetërore nuk është personale. Marrëdhënia e shqiptarëve me serbët nuk është një marrëdhënie genuine, por nuk mendoj se është marrëdhënie e paarsyeshme. I gjithë nervozizmi i Kosovës, ata nuk duan që kjo ulje tensioni të mos përdoret që ja me Tiranën i kemi marrëdhëniet shumë të mira dhe Kosova jo.

Ky afrim me Serbinë a është në kurriz të marrëdhënieve me Greqinë? Rama nuk ka bërë asnjë vizitë në Greqi.
Mendoj se ka për të ndodhur. Me ato komunikime që kam unë, sidomos pas takimit të ministrave në Kretë, situata është duke ndryshuar.

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne