Iraku kritikon kryediplomatin e Bahreinit për mbrojtjen e sulmeve të Izraelit

Iraku ka kritikuar ministrin e Jashtëm të Bahreinit, Khalid bin Ahmed Al Khalifa, për mbrojtjen e sulmeve të fundit të Izraelit ndaj Hashd al-Shaabi, një forcë paramilitare shiite, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Ministria e jashtme hedh poshtë dhe dënon postimin në Twitter të ministrit të jashtëm të Bahreinit rreth sulmeve të fundit të territoreve arabe dhe ndaj Forcave të Mobilizimit Popullor nga armiku zionist nën pretekstin e vetëmbrojtjes”, thuhet në deklaratë, duke iu përdorur emërtimin anglez për Hashd al-Shaabi.

Në deklaratë thuhet se Hashd al-Shaabi vepron bashkë me forcat e armatosura të vendit, policinë dhe forcat Peshmerga në luftën kundër militantëve të DEASH-it.

Të hënën, Khalifa në një postim në rrjetin social Twitter tha se sulmi izraelit ndaj instalimeve të Hashd al-Shaabi “shumë qartë afirmon të drejtën e shteteve për vetëmbrojtje kundër çdo kërcënimi apo agresioni”.

“Pra, ai që godet dhe shkatërron grumbujt e municioneve të tyre nuk është fajtor. Kjo është vetëmbrojtje”, shtoi ai.

Sulmet ajrore

Disa depo të municionit të njësive Hashd al-Shaabi u qëlluan mes datave 19 korrik dhe 25 gusht. Grupi paramilitar akuzoi Izraelin për kryerjen e sulmeve.

Presidenti i Irakut Barham Salih tha se po kryej një hetim në lidhje me sulmet ajrore.

Abu Mahdi Muhandis, zv/kryetari i Hashd al-Shaabi, më 21 gusht tha se SHBA ishte përgjegjëse për sulmet dhe se ka përdorur mjete izraelite pa pilotë për të qëlluar Hashd al-Shaabi dha bazat ushtarake të Irakut.

Ditën e njëjtë, Falih Alfayyadh, kryetari i Hashd al-Shaabi dhe këshilltari i Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Irakut, tha se sulmi ishte planifikuar nga “jashtë”, por shtoi se deklarata e Muhandis nuk pasqyron pikëpamjen zyrtare të organizatës paramilitare.

Alfayyadh nuk akuzoi hapur SHBA-të dhe Izraelin për kryerjen e sulmeve.

Për më tepër, gazeta e përditshme Asharq Al-Awsat me seli në Mbretërinë e Bashkuar, pretendon se administrata e Tel Aviv mori miratimin nga SHBA dhe Rusia për të qëlluar depot e raketave dhe municioneve iraniane në Irak.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, më 20 gusht tha se elementet ushtarake të Iranit në Irak ishin qëlluar nga ushtria izraelite në muajin korrik./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne