Iran – Embargoja amerikane u mori jetën 7 fëmijëve me EB

Sipas një lajmi të agjencisë gjysmëzyrtare iraniane të lajmeve “Mehr” vendi ka probleme në sigurimin e materialeve mjekësore për shkak të embargos amerikane dhe rreth 300 fëmijë të prekur nga sëmundja EB, e njohur nga populli edhe si “sëmundja e fluturës”, përballen me rrezikun e jetës.

Më parë për kurimin e kësaj sëmundjeje Irani importonte nga Suedia fasha për lidhjen e plagëve dhe i shpërndante ato pa pagesë për këtë kategori të sëmurësh. Vetëm se me rifillimin e sanksioneve amerikane kompania suedeze njoftoi ndalimin e shitjes në Iran të këtyre fashave, të cilat kanë një rëndësi jetike për të sëmurët me EB.

Në lajmin e saj agjencia “Mehr” thotë se për shkak të mossigurimit të materialeve mjekësore pas vënies në jetë vitin e kaluar të sanksioneve amerikane kundër Iranit deri tani kanë humbur jetën 7 fëmijë të sëmurë me EB dhe për shkak të moszgjidhjes ende të problemit situata vazhdon të rëndohet edhe për 300 të sëmurë të tjerë.

Në maj të 2018-s administrata amerikane ishte tërhequr në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore e arritur në vitin 2015 mes Iranit dhe grupit P5+1 (5 anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe Gjermania) dhe kishte vendosur sërish në fuqi sanksionet kundër Iranit.

Edhe pse Uashingtoni zyrtar pretendon se sanksionet në fjalë nuk përfshijnë tregtinë ushqimore dhe të ilaçeve, Irani përballet me problemin e sigurimit të materialeve mjekësore për shkak të sanksioneve bankare dhe barrierës për të pasur qasje në dollarin amerikan./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne