Iran – ShBA-ja po luan një lojë të rrezikshme në Gjirin Persik

Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Muhammed Xhevad Zarif bëri të ditur se rritja e pranisë së forcave ushtarake në rajonin e Gjirit Persik do të mund të shkaktojë aksidente, ndërsa shtoi se “Shtetet e Bashkuara të Amerikës po luajnë një lojë të rrezikshme”.

Në prononcimin e bërë për kanalin televiziv “CNN”, Muhammed Xhevad Zarif i bëri një vlerësim tensionimit që po jetohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në lidhje me rritjen e pranisë ushtarake të ShBA-së në Gjirin Persik duke treguar si arsyetim kërcënimet nga Irani, Zarif tha se “Prania e një numri kaq të madh të ushtarëve në një vend të vogël mund të shkaktojë aksidente spontane”.

Zarif tërhoqi vëmendjen se në administratën Trump ka të tillë që dëshirojnë që në rajon të jetohen këto lloj aksidentesh, ndërsa shtoi se “Nevojitet vigjilenca maksimale që të evitohen këto aksidente. ShBA-ja po luan një lojë të rrezikshme”.

Shefi i diplomacisë iraniane preku edhe në deklaratën e Presidentit Donald Trump ku thotë se ShBA-ja pas tërheqjes nga marrëveshja bërthamore me Iranin është e gatshme për të negociuar një marrëveshje të re.

“Ne nuk jemi të gatshëm të flasim me njerëzit që shkelin fjalën e dhënë. Nuk mund të arrihet askund me kërcënime ndaj iranianëve. Mënyra për të negociuar është përmes respektit e jo përmes kërcënimeve.”, bëri të ditur Zarif.

Presidenti Trump në një postim të bërë ditë më parë në llogarinë e tij në Twitter, ka thënë që “Nëse Irani dëshiron të luftojë, ky do të jetë fundi zyrtarë i tij. Kurrë mos i kërcënoni ShBA-të”.

Ndërkaq në deklaratën e bërë dy javë më parë në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump i bëri thirrje udhëheqjes së Iranit për bisedime për një marrëveshje të re.

Lideri i Iranit, Ajetullah Hamanej duke thënë që “Për deri sa ShBA-ja vazhdon të mbajë qëndrimin e sotshëm negociatat janë helmuese, ndërkaq negociatat që do të mbahen me udhëheqjen aktuale të ShBA-së janë dy herë më helmuese”, e kishte refuzuar propozimin e Trumpit.

Menjëherë pas kësaj Trump në Twitter publikoi një mesazh tjetër, ku thuhet se “Irani le të na kontaktojë kur të jetë gati dhe nëse bëhet gati. Deri atëherë ekonomia do të vazhdojë të shkatërrohet”./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne