Izraeli: Jemi afër normalizimit të lidhjeve me Sudanin

Izraeli ka deklaruar se është afër normalizimit të marrëdhënieve me Sudanin.

Në një intervistë për kanalin izraelit 13, shefi i inteligjencës izraelite, Eli Cohen tha se vendi i tij është shumë afër normalizmit të lidhjeve me Sudanin.

Prononcimi i Cohen-it përkon me fillimin e procesit të heqjes së Sudanit nga lista e vendeve të shpallura si sponsor i terrorizmit nga SHBA-të.

Ndërkohë, zyrtarë të tjerë izraelitë po ashtu parashikuan se SHBA do të shpallë një marrëveshje tjetër, ku një vend rajonal do të krijojë lidhje me Izraelin.

Pa përmendur emrin e vendit, ata shprehën pritje që marrëveshje të arrihet para zgjedhjeve në SHBA.

“Kam një bazë të arsyeshme të besoj se njoftimi do të vijë para 3 nëntorit”, tha më herët Ofir Akunis, ministri izraelit i Bashkëpunimit Rajonal.

Dje, Korporata Zyrtare e Transmetimit Izraelit tha se një delegacion izraelit vizitoi kryeqytetin sudanez Khartoum për të përgatitur një njoftim për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Deri më tani, qeveria sudaneze nuk ka komentuar raportet e mediave izraelite.

Të hënën, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, në Twitter njoftoi se Sudani ra dakord të paguajë një kompensim prej 335 milionë dollarëve për “viktimat amerikane të terrorit dhe familjet e tyre”.

“Sapo të depozitohen, unë do ta heq Sudanin nga sponsorët shtetëror të terrorizmit”, shkroi Trump.

Vëzhguesit e lidhën këtë hap të SHBA-ve me përparimin në bisedimet midis Sudanit dhe Izraelit për normalizimin e marrëdhënieve.

Regjimi sudanez nën Omar al-Bashirin u akuzua nga administrata amerikane si përgjegjës për sulmet kundër interesave të SHBA-ve, përfshirë sulmin kundër gjuajtësit USS Cole në vitin 2020 dhe për bombardimet e vitit 1998 të ambasadave amerikane në Kenia dhe Tanzani./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne