“Jelekët e verdhë” të Francës frymëzojnë italianët

Ndërsa Franca po përballet me pasojat e protestës së “jelekëve të verdhë”, që nga kurimi i të plagosurve (një polic rrezik të humbasë syrin) deri te riparimi i dëmeve në Champs-Elysees, ku për tetë orë protesta mori përmasat e një “lufte” urbane, presidenti Emmanuel Macron ka nisur të hartojë një plan për shmangien e një ngjarjeje të ngjashme. Ajo që e bën më të vështirë këtë ndërhyrje është fakti se lëvizja kundër taksës së mjedisit që rrit çmimin e karburantit nuk ka lider dhe as zëdhënës. Madje, nuk ka as informacione të qarta për protestën e paralajmëruar për të shtunën e ardhshme.

Ndërkohë, Macron pritet të njoftojë të hënën krijimin e Këshillit të Lartë për Klimën, një autoritet i formuar nga një grup ekspertësh. Ideja e Macron-it është të përfshijë në vendimmarrje pjesë të shoqërisë që kanë mbetur të përjashtuara, por pa ndryshuar parimin mbi të cilin është vendosur taksa për të cilën protestohet.

Të parët që u frymëzuan nga protesta e francezëve janë italianët. “Gillet Gialli Italia” (jelekët e verdhë të Italisë) është një grup që kundërshton taksat e larta për bizneset dhe kërkon revokimin e koncesionit kompanisë Autostrade per l’Italia.

“Ne nuk do të paguajmë më për autostradat nëse taksat nuk ulen dhe nëse kompania “Autostrade spa” vijon të jetë menaxhuesja e tyre. Protestën e Parisit do ta sjellim në Romë. Le të mbledhim “jelekët e verdhë” të gjithë Italisë”, thuhet në thirrjen e publikuar në faqen në “Facebook” të këtij grupimi të ri.

Protesta e së shtunës në Paris u shoqërua me përplasje mes qyetatërve dhe policisë. Protesta 8-orëshe la të plagosur 4 policë dhe 20 manifestues, ndërsa 34 të tjerë u arrestuan.

Natyra e veçantë e protestës së “jelekëve të verdhë” e ka vënë në vështirësi qeverinë franceze. Lëvizja qytetare pa organizim të njohur, pa lider dhe pa afrimitet me asnjë kah politik organizohet nëpërmjet rrjeteve sociale. Si rezultat, për autoritetet franceze lokalizimi i vendit ku do të mbahet bëhet i vështirë dhe askush nuk e parashikon dot se sa njerëz do të mblidhen.

Protestuesit mbajnë veshur jelekë të verdhë, veshje që sipas ligjit francez duhet t’i mbajnë shoferët në rast se mjeti i tyre pëson defekt ndërsa ata udhëtojnë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne