Jemen, forcat saudite braktisin pikat e sigurisë në Sokotra

Forcat e Arabisë Saudite janë tërhequr nga pikat e sigurisë në qendrën provinciale të Hadibu në ishullin jemenas Sokotra, si pjesë e një marrëveshjeje të de-përshkallëzimit të nënshkruar me Këshillin e Tranzicionit Jugor (STC) të mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).

Vendimi për t’u tërhequr u mor papritmas, thotë një burim i autoriteteve lokale, i cili kërkoi të mbetet anonim.

Procesi i marrjes në fjalë filloi njëkohësisht me tërheqjen e milicëve të armatosur të STC-së dhe forcave qeveritare jemenase nga pozicionet pas përleshjeve.

Javën e kaluar, STC shpalli vetëqeverisje dhe gjendje të jashtëzakonshme në kryeqytetin e përkohshëm të Adenit dhe provincat jugore, gjë që shkaktoi tensione në Sokotra dhe provincat tjera në jug.

Qeveria jemenase dhe provincat Hadhramaut, Shabwa, Al-Mahra, Abyan dhe administrata e Sokotras kanë hedhur poshtë masën e STC-së, e cila gjithashtu ka shkaktuar kritika të gjera ndërkombëtare.

Jemeni është zhytur në një konflikt që u përshkallëzua në mars 2015 pasi rebelët Huthi të mbështetur nga Irani pushtuan kryeqytetin Sana dhe detyruan presidentin Abdrabbuh Mansour Hadi të largohej nga vendi.

Sipas OKB-së konflikti 5 vjeçar ka lënë të vdekur mijëra civilë ndërsa afro 3.7 milionë të tjerë u detyruan të zhvendosen brenda vendit.

Ndikimi në infrastrukturën e vendit ka qenë shkatërrimtar, ku dëme të rënda kanë pësuar rrugët e mëdha tokësore dhe aeroportet.

Pothuajse gjysma e popullsisë së Jemenit me rreth 30 milionë banorë kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme për të ruajtur ose shpëtuar jetën e tyre.

Programi Botëror i Ushqimit thotë se pavarësisht ndihmës së vazhdueshme humanitare, të paktën 15.9 milionë njerëz zgjohen të uritur çdo ditë.

Vlerësohet se në mungesë të ndihmës ushqimore, ky numër do të rritet në 20 milionë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne