Kadastra Shqiptare kërkon shtyrjen e afateve të procesit të rivlerësimit të pronave

Kadastra Shqiptare i ka kërkuar kuvendit shtyrjen e afatit të procesit të rivlerësimit të pronave, për shkak të vonesave shkaktuar nga pandemia e Covid-19.

Rivlerësimi i pronave, pjesë e nismës së qeverisë për të rillogaritur taksën mbi pronën, ishte parashikuar të përfundonte brenda shtatorit 2020. Por mbyllja e shumë institucioneve, shërbimeve në sportele dhe kufizimi i qarkullimit të qytetarëve ka bërë që në dy muajt e fundit, ky proces të ndalojë.

Bazuar në ndryshimet fiskale që Qeveria Rama miratoi në dhjetor 2017, taksa dhe tatimi mbi pronat do të llogaritet si përqindje e vlerës së tyre aktuale në treg dhe jo si një shumë fikse si deri më tani.

Këto ndryshime bënë të nevojshëm nisjen e një procesi rivlerësimi të pronave.

Pas plotësimit të kuadrit ligjor, në nëntor 2019, qeveria vendosi që të nisë procesin e rivlerësimit të pronave në janar 2020.

Kjo do të thotë se nëse një individ e ka blerë një apartament 100 mijë euro para disa vitesh, por pas rivlerësimit vlera e tij dhe çmimi i shitjes del 120 mijë euro, atëherë ai duhet të paguajë taksa bazuar në vlerën e re të apartamentit dhe në rast shitjeje, duhet të paguajë 15 për qind tatim fitimi mbi diferencën në çmim prej 20 mijë eurosh.

Të ardhurat nga kjo taksë do të mblidhen nga pushteti lokal./exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne