Katari falënderon Turqinë: Marrëdhëniet tona, në nivelin më të lartë historik

Ministri i Ekonomisë dhe Tregtisë së Katarit, Sheiku Ahmed bin Jassim al-Thani, deklaroi të enjten në mbrëmje se marrëdhëniet e vendit të tij me Turqinë janë “në nivelin më të lartë historik”.

“Falënderojmë Presidentin Erdogan, shtetin e Republikës së Turqisë dhe popullin turk, që na u gjendën pranë përzemërsisht në këtë krizë”, tha ai duke përsëritur thirrjen drejtuar firmave turke për të investuar në Katar.

Al-Thani dha në Dona një intervistë për gazetën “Hürriyet Daily News”, versioni anglisht i të përditshmes “Hürriyet”.

Katarasit – tërhoqi vëmendjen ai – një ditë pas embargos së filluar më 5 qershor nuk kanë jetuar asnjë gjë ndryshe nga një ditë para saj.

“Sidomos Turqia luajti një rol të madh. Ne kemi sjellë nga Turqia produkte të qumështit dhe të industrisë së pularisë, fruta-perime dhe mallra të tjera të konsumit të përditshëm për nevojat tona. Pra, populli i Katarit nuk jetoi ndonjë ndryshim nga dita e mëparshme. Sidomos në ditët e para, kompanitë turke luajtën një rol shumë të rëndësishëm në ofrimin e të gjitha mallrave të nevojshme të konsumit në Katar. Për këtë, ne të gjithë jemi mirënjohës ndaj Presidentit Recep Tayyip Erdogan, shtetit të Republikës së Turqisë dhe popullit turk, që qëndruan me ne, me mbështetjen e tyre të përzemërt”, tha shefi i ekonomisë katarase.

“Ne u kërkojmë kompanive turke jo vetëm që të marrin më shumë në konsideratë tregtinë me Katarin, por edhe që të mendojnë për të investuar në Katar. Ne do t’u japim atyre shanse dhe lehtësime të mëdha për të investuar në sektorë të ndryshëm industrialë dhe shërbime të llojllojshme këtu në Katar”, shtoi ai.

Më tej, Al-Thani njoftoi se biznesmenët turq dhe kataras do të takohen muajin e ardhshëm në Izmir duke nënvizuar se embargoja ndaj venit të tij krijoi një shans për të rritur vëllimin tregtar në të gjithë sektorët jo vetëm në Turqi, por edhe në Katar.

“Në aspektin tregtar, humbësit më të mëdhenj në këtë krizë janë vendet, që aplikojnë embargo”, theksoi ministri kataras.

Kriza e Gjirit shpërtheu më datë 5 qershor, me Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejnin dhe Egjiptin që njoftuan shkëputjen e të gjitha marrëdhënieve diplomatike me Katarin duke e akuzuar këtë vend për “financim të terrorizmit”.

Në shënjestër të këtyre akuzave të rënda, administrata e Dohas refuzoi pak ditë më vonë “listën e kërkesave” me 13 pika, e cila i ishte paraqitur asaj nga shtetet e sipërcituara për heqjen e embargos.

Vlen të theksohet se pikat më të rëndësishme të listës në fjalë ishin mbyllja e bazës ushtarake turke në Katar, ulja e nivelit të marrëdhënieve diplomatike me Iranin dhe mbyllja e rrjetit transmetues “Al-Jazeera”./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne