KFOR-i turk mbështetje Kosovës në fushën e arsimit

Sot në Fakultetin e Ekonomisë pranë Universitetet “Ukshin Hoti” në Prizren u bë inaugurimi i projektit të kabinetit të kompjuterëve dhe rinovimit të klasës së projeksionit të mundësuar nga kryesia e delegacionit turk që vepron në kuadër të Misionit të Forcave Paqeruajtëse në Kosovë (KFOR).

Në ceremoni të pranishëm ishin ambasadori i Turqisë në Prishtinë, Çagri Sakar, kryekonsulli turk në Prizren, Serdar Ozaydin, koordinatori i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) për Kosovën, Hasan Burak Ceran, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, shefi i delgacionit turk të KFOR-it, kolonel Numan Bas, dekani i Fakultetit Ekonomik, Halil Kukaj, si dhe shumë të ftuar të tjerë.

Ambasadori Sakar në fjalën e tij tha se Republika e Turqisë do t’i vazhdojë të gjitha llojet e mbështetjeve për popullin vëlla të Kosovës, duke theksuar se sikurse në të kaluarën, edhe në të ardhmen do të vazhdojnë të jenë pa kushte pranë popullit kosovar.

“Unë besoj se arsimimi me cilësi të lartë dhe me standarde botërore i të rinjve të një vendi me një popullsi të re dhe dinamike, siç është Kosova, do të jetë i rëndësishëm në zhvillimin e Kosovës”, tha Sakar.

Ndërkaq, koloneli Baş tha se tashmë 21 vjet janë pranë popullit të Kosovës me çdo lloj të mbështetjes.

Ai tha se ndihen të lumtur që, siç theksoi, KFOR-i turk ka mundësinë të vendosë “një tullë në arsimin i cili do të ndërtojë të ardhmen e Kosovës”.

Dekani i Fakultetit Ekonomik, Kukaj, shprehu mirënjohje për ndihmat dhe shtoi se ndihma më e madhe deri më sot në Fakultetin e Ekonomisë është realizuar nga ushtarët turq.

Në kuadër të projektit janë dhuruar 26 kompjuterë, 25 tavolina për kompjuterë, një tavolinë pune, 26 karrige, një printer, pesë furnizues energjie pa ndërprerje (UPS) dhe një dollap, ndërsa dhe klasa e projeksionit është furnizuar me pajisjet e nevojshme.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne