Kneissl reagon ndaj Trump: Politika botërore nuk drejtohet si biznes familjar

Ministrja e Punëve të Jashtme të Austrisë, Karin Kneissl reagoi ndaj tërheqjes së Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Donald Trump nga marrëveshja bërthamore e arritur me Iranin në 2015.

“Politika botërore nuk qeveriset siç menaxhoni holldingun e familjes”,- tha ajo.

Tërheqjen e ShBA-së nga marrëveshja bërthamore Kneissl e kritikoi në një program që transmetohet në televizionin shtetëror ORF.

Duke vënë në dukje rëndësinë e marrëveshjes bërthamore me Iranin, Kneissl tha se pavarësisht vendimit të tërheqjes së ShBA-së, marrëveshja në fjalë duhet shpëtuar.

Kneissl tha se të gjitha palët e tjera përveç Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë deklaruar për vazhdimin e marrëveshjes.

Shefja e diplomacisë austriake vuri në dukje se anulimi i marrëveshjes bërthamore do të shkaktonte një problem serioz lidhur me çështjen e armatimit.

“Tërheqja nga marrëveshja do të ketë efekte të rënda mbi kredibilitetin tonë dhe do të shkaktojë humbje serioze të besimit për marrëveshje të tjera”,- komentoi Kneissl.

Kneissl deklaroi se Irani ka treguar një vullnet të rëndësishëm për të ruajtur marrëveshjen bërthamore.

Po të kemi parasysh se në krizat e fundit, presidenti amerikan, Donald Trump ka pasur një qasje dhe vlerësim plotësisht ekonomik të ngjarjeve,-vijoi Kneissl,- “Politika botërore nuk qeveriset siç menaxhoni ju biznesin e familjes”, nënvizoi ajo.

Më 8 maj, presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi vendimin e vendit të tij për t’u tërhequr nga një marrëveshje bërthamore e arritur në vitin 2015 ndërmjet Iranit dhe grupin P5+1 (ShBA, Britani, Francë, Rusi, Kinë dhe Gjermani). Ky veprim i ShBA-së ka shkaktuar reagimin e shumë vendeve, veçanërisht të Iranit./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne