Komiteti i Helsinkit: Ka vonesa në mbledhjen e kutive dhe në procesin e numërimit të votave

Procesi i dërgimit të kutive të votave nëpër KZAZ, krijimit të grupeve të numërimit dhe procesi i numërimit të votave po bëhet me ngadalësi dhe me ndalesa e vonesa të shumta. Kështu raporton Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i cili po vëzhgon numërimin e votive në qarqet kryesore të vendit.

Procesi i dorëzimit të kutive të votimit të KZAZ

Për procesin e dorëzimit të kutive të votimit nëpër KZAZ, Komiteti thekson se ka pasur vonesa dhe problem kryesisht në Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër.

Në Tiranë, në KZAZ-në nr.34 tek Vasil Shanto kutitë dhe materialet e votimit janë dërguar me shumë vonëse, ndërkohë që në ambientet e jashtme kishte rrëmuja.

Në KZAZ-në nr.2 në Durrës, ka pasur vonesa në dorëzimin e kutive dhe në formimin e grupeve të numërimit.

Në KZAZ-në nr.84 në Vlorë, në makinën ku do transportoheshin materialet, shoferi nuk lejoi që aty të ishin prezent kryetarja dhe sekretarja e QV si dhe punonjësi i policisë, me arsyen që nuk kishte vend në makinë. Ndërkohë që sipas nenit 114, pika 2 të Kodit Zgjedhor, dërgimi i kutive dhe materialeve të votimit drejt vendeve të numërimit bëhet me automjet, në të cilin ndodhen anëtarët dhe sekretari i KQV-së, si dhe një punonjës policie, i cili ka detyrë të garantojë shoqërimin dhe mosprekjen e kutisë/kutive të votimit me fletët e votimit dhe të kutisë së materialeve të votimit.

Në KZAZ-në nr.78 në Gjirokastër, kutitë e votimit kanë mbërritur shumë vonë pas mesnate, në ndryshim me parashikimet e Kodit Zgjedhor. Rrjedhimisht edhe numërimi ka filluar më shumë vonësë.

Procesi i formimit të grupeve të numërimit dhe procesi i votimit

Në Tiranë, Gjirokastër, Korçë, Fier, Durrës, Elbasan numërimi i votave ka nisur me vonesë, është ndërprerë herë pas herë dhe po bëhet me ritme shumë të ngadalta.

Në Gjirokastër, KSHH raportoi se edhe pse ka kaluar më shumë se një orë nga orari i njoftuar paraprakisht për nisjen e numërimit të votave, numërimi nuk ka nisur. Madje nuk ka ende një justifikim për shtyrjen e fillimit të procesit apo njoftim se kur mund të fillojë numërimi.

Në dy KZAZ në Tiranë, përkatësisht KZAZ 34 tek Shkolla ‘Vasil Shanto’, KZAZ 30 tek Shkolla ‘1 Maji’ KZAZ 39 tek Muzeu, nuk ka nisur ende procesi i numërimit. Ndërsa në KZAZ 38, pranë shkollës së Kuqe, janë bërë pushime sporadike nga grupe të ndryshme, dhe duke parë ritmin e ngadaltë, pritet që procesi i numërimit të votave të vijojë deri nesër.

Në Durrës po ashtu ka patur vonesa në formimin e grupeve të numërimit, trajnimin e tyre dhe nisjen e numërimit. Në një prej KZAZ-ve numërimi nuk ka nisur pasi mungon anëtari i Partisë Bindja Demokratike në grupet e numërimit.

Në Elbasan, megjithëse janë formuar grupet e numërimit, ata kanë bërë pushime të shumta dhe pritet që procesi të rifillojë në mesditë.

Në Shkodër KZAZ nr. 3 dhe nr. 4 kanë mbyllur numërimin për Kryetar Bashkie, ndërkohë për KZAZ 5 raportohet se ka përfunduar procesi i numërimit të votave për Kryetar Bashkie por nuk bëhet i ditur rezultati. Rreth orës 18:00, në këto KZAZ do të nisë procesi i numërimit të votave për anëtarët e Këshillit Bashkiak./ exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne