Rajoni

Kontrabandë me drogë dhe telefona në burgjet e Kosovës

Të dënuarit në burgjet e Kosovës po e bëjnë jetën pothuajse njëjtë si jashtë grilave. Haraçi, droga, alkooli, dhuna, janë disa nga fenomenet që hasën në këto institucione. Shumë prej njerëzve që vuajnë dënimin flasin kur të duan me telefona, me të afërm, miq, avokatë, madje me këtë telefona kryejnë të gjitha shërbimet që u duhen. Për të gjitha këto, rrëfen një person, i cili dikur ishte i dënuar më burgim, për shkak të kontrabandës me drogë, e që këto brenda burgut i kishte bërë edhe vetë. Ndërsa, gjatë vitit 2018 vetëm në burgun e Dubravës janë konfiskuar mbi 100 telefona.

Për gjashtë vjet me radhë ai kishte qëndruar prapa grilave për shkak të kontrabandës që kishte bërë me substanca narkotike. Një pjesë të dënimit ai e ka vuajtur në burgun e Dubravës, një tjetër në Lipjan e pastaj në Smrekonicë.

E për këtë periudhë sa ka qenë i dënuar me burgim, ai ka shumë për të rrëfyer. Në një intervistë ai ka treguar për kontrabandën që bëhet me mjetet e ndaluara e me substanca narkotike në burgjet e Kosovës.

Në kushte anonimiteti, thotë se futja e tyre dhe përdorimi, ani pse prapa grilave, është shumë i lehtë.

Ish- i burgosur: Të gjitha shërbimet kryhen me telefona

“Pa e pas telefonin nuk mund ta sjellin drogën në burgje, telefonin duhet ta kesh për me thirr dikë, me ta pru drogën, ose me ja çu dikujt, kështu që lidhjet gjithmonë ekzistojnë. Përderisa nuk ka telefon në burg, ai nuk mundet përmes telefonit të burgut me thirrë, me i thonë sillma, shko te filani, shko te fisteku, përgatite edhe dërgoma…. Telefoni përdoret zakonisht në mbyllje, ose një qëndron te dera duke i ruajtur, ose varet qysh. Për shembull është mbyllja në 22:00 në mbrëmje, e merr telefonin fol tërë natën fol deri në mëngjes. Vijnë në 12:00 kontrollojnë, shikojnë pak, vetëm sa me ja lëshu sytë, te ajo bira e vogël që është, ose vijnë me lyp najsen gardianët, vijnë më hangër najsen. Në ato momente ti veç e fsheh telefonin pak prapa edhe i thu urdhëro, edhe vazhdon bisedën prapë”, thotë ai.

E për të gjitha këto ai fajëson gardianët.

Për gjashtë vjet sa kishte qëndruar në burg, ai thotë se për futjen e telefonave është ndihmuar nga vet gardianët. Këta të fundit, sipas tij, nuk është që bëjnë kontrolle të mëdha.

Ish- i burgosur: Kontrolle si hyn, ashtu edhe del

“Çfarë kontrolle, hyjnë edhe dalin, si hyn edhe ashtu dalin. E gjejnë ndonjë kabllo, ndonjë tel, ndonjë ngrohës të ujit, e marrin thonë kemi bastisje, gjetëm diçka. Edhe nuk gjejnë asgjë, gjejnë ndonjë telefon të keq, gjithmonë telefonat e keq ne i lejmë aty, për me i gjet në këpuca diku, kur kontrollojnë gjejnë ndonjë telefon të keq aty, thonë e morëm gjetëm….Ose me ardh puna je duke fol, dhe ta gjejnë, janë hy brenda, e gjuajmë në shole, ja lëshon ujin, telefoni ik poshtë ”, vazhdon ai.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi pohon se siguria në burgje nuk është në nivelin e duhur. E për abuzime të tilla ai fajëson vet gardianët.

Ibishi: Abuzime bëhet edhe nga vet gardianët

“Këtu bëhen disa abuzime nga vet gardianët aty që janë apo shërbyes në kuadër të tyre, të burgjeve. Duke toleruar mundësinë e futjes, mos kryerjen e procedurave të bastisjeve në rastin e futjes të gjësendeve aty. Aty kanë ardhur qoftë droga, qoftë edhe mjetet e rrezikshme deri edhe tek armët, dhe pjesë tjera të telefonit, mundësia që realisht nuk lejohet në ato qendra. Mendoj që duhet të rishqyrtohet edhe një herë aspekti i trajnimit të stafit në këto burgje apo qendrat për edukim apo edhe aspekti i vet sigurisë, krijimit të sigurisë të brendshme të rrethojave por edhe të mbikëqyrjes së rregullt, që të mos vie deri në fatkeqësi brenda të vet burgosurve që janë në mbajtje”, thotë Ibishi.

Një gjë të tillë, e thotë edhe ish i burgosuri në rrëfimin, ku sipas tij, gardianët në burgjet e Kosovës korruptohen, dhe këto veprimtari shumë lehtë ushtrohen.

Ish i burgosur: Këto mjete të ndaluara futen përmes gardianëve

“Unë nuk e futi atë, e fut një person i cili punon aty, ose person i njohur…. është një person që punon aty brenda, telefoni vjen, unë përmes vizitës nuk mundem me fut telefon… mu në vizitë m’i kontrollojnë vizitorët. Ka qenë përpara i futshim kapak brenda, por tash kontrollat janë pak më të rrepta. Mendojnë që janë pak më të rrepta, por prapë se prapë nuk janë ashtu. Duhet me dit cili gardian aty, me i thënë, vjen filan vizita, filan ditë, a je aty, po. Me ja dërgu paret dikush, me i thënë filan dite vjen familja jem, mos ma kontrollo, hyn, telefoni vjen drejt në dhomë. Përmes gardianëve, përmes kuzhinës, ka mënyrë të ndryshme se si mund të futet, çdo send mund të futet në burg. Çdo njëri është i korruptuar, nuk ka një që nuk është i korruptuar ”, thotë ai.

Se raste të tilla janë evidente në burgjet e Kosovës, e thotë edhe Alban Muriqi nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.

Ai thotë se nga monitorimet që bëjnë në burgjet e Kosovës, kjo dukuri është shumë e theksuar në burgun e Dubravës.

Muriqi: Kjo dukuri është shumë e theksuar në burgjet e Kosovës

“Ndoshta këtu duhet të përmendet burgu i Sigurisë së Lartë, i cili për shkak të ndjeshmërisë kanë bërë një punë shumë të mirë si regjim, nuk ka mjete të ndaluara, nuk ka kontrabandim ose janë shumë të rralla. E kemi një storie krejtësisht tjetër në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ku këto janë një dukuri e zakonshme edhe ndodhin për ditë. Ne bëjmë thirrje vazhdimisht tek institucionet korrektuese që të zhvillojnë procedura, t’i bëjnë këto procedura më të efektshme me stafin dhe të gjithë ata punonjës që janë në kontakt me të dënuarit, që përmes tyre mund të hyjnë mjetet e kontrabanduara ose të ndaluara, të thirren në përgjegjësi. Këto procedura ndodhin, por nuk arrijnë të luftojnë dukurinë në masën e nevojshme”, deklaron ai.

Zëdhënësi për media në Policinë e Kosovës, Daut Hoxha ka treguar se cilat janë veprimet që po ndërmarrin pas raportimit të këtyre rasteve.

Hoxha: Ne ndërmarrim veprimet tona në mënyrë që rastet të procedohen

“ Raste të tilla raportohen në Polici të Kosovës, kurdo që ato paraqiten dhe ne konform procedurave ligjore, duke u bazuar edhe në kodin penal të Republikës së Kosovës, ne i evidentojmë rastet, natyrisht përveç këtyre rasteve që ndërlidhen me posedim apo përdorim të substancave narkotike, ne ndërmarrim edhe veprime tona aty ku vërehet se ka keqpërdorim të autoritetit apo pozitës zyrtare, dhe bazuar në procedura ligjore, natyrisht edhe në konsultim me prokurorët kompetentë dhe autoritetet tjera të drejtësisë, ndërmarrim veprimet tona në mënyrë që rastet të procedohen dhe të kompletohen, që personat e dyshuar të dalin para drejtësisë”, deklaron ai.

Aktualisht në burgjet e Kosovës janë rreth 1650 të burgosur.

Ushtruesi i detyrës së shefit të Sigurisë dhe Operacionit në Shërbimin Korrektues, Burim Buleshkaj pohon se raste të tilla të kontrabandës me drogë dhe përdorimit të telefonave janë evidente në burgjet e Kosovës, duke shtuar se numër të madh të rasteve ka në burgun e Dubravës.

Buleshkaj: Është e vërtetë që këto mjete po arrijnë të futen në burgje

“Është e vërtetë që ata po arrijnë me i fut këto gjëra, ne vazhdimisht jemi duke bërë përpjekje për t’i zvogëluar, sepse asnjëherë nuk mund t’i parandalojmë në mënyrë absolute… Edhe këtë vit kemi planifikuar të investojmë më shumë në pajisje elektronike, si kamera, ku të gjitha hapësirat të jenë të mbuluara me sistem të kamerave dhe të mund të shohim edhe ato pikat e dobëta tonat”, thotë ai.

E vetëm gjatë vitit 2018 ai tha se në burgun e Dubravës, janë konfiskuar mbi 100 telefona, e sa i përket substancave narkotike ai thotë se nuk kanë të dhëna.

Buleshkaj: Mbi 100 telefona të konfiskuar në vitin 2018 në burgun e Dubravës.

“Në burgun e Dubravës kanë qenë mbi 100 telefona që janë konfiskuar gjatë vitit 2018, një numër i tyre është parandaluar nga vizitorët, apo në zonat afër burgut që janë gjetur gjatë patrullimit apo gjatë kontrolleve, kështu që një numër i tyre edhe është parandaluar”, përfundon ai.

Të gjitha këto fenomene, Burim Buleshkaj i justifikon me buxhetin e limituar të ndarë në këtë fushë që nuk u lejon përmirësimin e kushteve.

OPINIONE