Kosovë, rritja ekonomike për vitin 2019 vlerësohet të jetë 4.2 për qind

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka mbajtur sot konferencën përmbyllëse për vitin 2019 ku shpalosi të dhëna mbi ecurinë e ekonomisë dhe sektorit bankar në vend.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti tha se këtë vit ka pasur rritje ekonomike 4.2 për qind, e cila ka ardhur për shkak të rritjes së investimeve dhe eksportit neto.

“Sipas vlerësimeve të Bankës Qendrore të Kosovës rritja ekonomike në vend për vitin 2019 vlerësohet të jetë 4.2 për qind, e mbështetur kryesisht nga investimet dhe rritja e eksporteve neto. Rritje e ngjashme ekonomike planifikohet të jetë edhe viti i ardhshëm gjegjësisht 2020”, tha Mehmeti.

Ai theksoi se gjatë këtij viti ka pasur edhe rritje të inflacionit dukshëm më shumë sesa gjatë vitit të kaluar.

“Norma mesatare e inflacionit vjetor me të dhënat që kemi ne në dispozicion deri në nëntor të vitit 2019, shënon 2.8 për qind, e që është dukshëm më e lartë nëse e krahasojmë me normën e inflacionit që ka qenë një vit më herët, e cila ka shënuar 0.9 për qind deri në periudhën e njëjtë. Kjo rritje e inflacionit kryesisht është rezultat rritjes së çmimeve të ushqimit”, tha ai.

Duke folur për sektorin bankar, Mehmeti tha se ai edhe sivjet karakterizohet për rritje të kreditimit, përmirësim të qasjes në financa dhe rritje të lartë të qëndrueshmërisë financiare.

Sipas të dhënave të BQK-së, deri në fund të vitit 2019, kreditë kanë arritur në 2.98 miliardë euro ose shënuan rritje vjetore prej 10 për qind. “Burim kryesor i financimit për aktivitetin bankar konsiderohet të jenë depozitat, të cilat shënojnë vlerën 3.75 miliardë euro ose rritje prej 16 për qind”, tha Mehmeti duke shtuar se “kjo rritje e depozitave mes të tjerash shënon edhe besueshmërinë e lartë që ky sektor e ka tek publiku”.

Duke folur për vitin 2020, guvernatori Mehmeti gjatë prezantimit të të arriturave të kësaj banke ka prezantuar për herë të parë planin për zvogëlimin e automjeteve të pasiguruara në treg.

Ai theksoi se që nga janari i vitit të ardhshëm do të ketë një numër të theksuar të automjeteve të pasiguruara e që brenda gjashtë muajve do të tentohet të ulet ndjeshëm numri i tyre.

Vitin e kaluar, rritja ekonomike në Kosovë sipas të dhënave të BQK-së, ishte 4 për qind. Gjithashtu edhe viti 2018 në sektorin bankar njëjtë sikurse viti 2019 karakterizohej me rritje të kreditimit, përmirësimin në qasje të sektorit privat në kredi si dhe përforcim i mëtejmë i gjendjes së qëndrueshmërisë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne