Kredia po rritet më ngadalë se ekonomia, hendeku u thellua edhe në tremujorin II

Hendeku mes rritjes së kreditimit dhe rritjes ekonomike u thellua përsëri në tremujorin e dytë të këtij viti.

Sipas Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e dytë 2023 hendeku i raportit të kredisë ndaj PBB-së ishte -8.67 pikë përqindje nga -8.43 pikë përqindje pikë përqindje që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm. Ky raport tregon devijimin e vlerës së raportit të kredisë për ekonominë ndaj PBB-së nga prirja e tij afatgjatë dhe është indikatori kryesor që sinjalizon mundësinë e rritjes së tepërt të kreditimit në raport me Prodhimin Kombëtar.

Në analizën e Bankës së Shqipërisë, treguesi parësor për të vlerësuar është hendeku i raportit të kredisë për ekonominë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB)., duke shtuar, eventualisht, rreziqet sistemike.

Treguesi në fjalë është parësor në vlerësimin e Bankës së Shqipërisë lidhur me ritmet e kreditimit të ekonomisë dhe vendimmarjen për nevojën eventuale për shtesa kundërciklike të kapitalit, si një nga shtesat e parashikuara në rregulloren e vitit 2019 “Për shtesat makroprudenciale të kapitalit”.

Deri tani, rritja e kreditimit është ende larg pragut krahasues që do të kërkonte masa frenuese, duke vendosur shtesë kundërciklike të kapitalit për sektorin bankar. Ky prag do të kalohej nëse devijimi i raportit të kredisë ndaj PBB-së me mesataren afatgjatë do të ishte pozitiv me më shumë se dy pikë përqindje. Për shembull, në periudhën 2002-2008, periudhë që përfshin fazën me rritjen më të lartë të kreditimit të ekonomisë në Shqipëri, ky hendek kishte qenë pozitiv me 1.9 pikë përqindje. Për periudhën nga fillimi i vitit 2009 deri në tremujorin I 2023, hendeku kishte qenë negativ me -7.8 pikë përqindje.

Shtesa kundërciklike do të kishte si qëllim ngadalësimin e kreditimit, në rast se banka qendrore vlerëson se ai po rritet me ritme tepër të shpejta. Por, deri tani, Banka e Shqipërisë nuk ka aplikuar shtesë kundërciklike kapitali dhe kjo u konfirmua edhe në vendimin e fundit të Guvernatorit, të datës 29 shtator 2023.

Zhvillimet tremujore reflektojnë rritjen më të lartë të produktit të brendshëm bruto të vjetorizuar kundrejt rritjes së kredisë për ekonominë. Zhvillimet në treguesin parësor kanë qenë në të njëjtin kah, thellim i vlerës negative, si për segmentin “biznes” ashtu dhe atë “individë”. Gjatë periudhës në analizë, thellimi i vlerës së treguesit parësor duket se është përcaktuar kryesisht nga ecuria e treguesit përkatës të segmentit “biznes”. Pavarësisht zgjerimit të hendekut, vlera e treguesit parësor për “individët” luhatet më afër nivelit “zero”, duke ruajtur nevojën për një vëmendje të shtuar.

Si plotësues të këtij treguesi parësor në vendimmarrjen e Bankës së Shqipërisë, shërbejnë disa elementë të tjerë, të grupuar tek treguesi i paralajmërimit të hershëm dhe që sinjalizojnë zhvillimet në kreditim dhe në aktivet jofinanciare, konkretisht tregun e pasurive të paluajtshme. Këtu përfshihen rritja vjetore e kredisë bankare, ndryshimi vjetor i kredisë bankare për pasuri të paluajtshme, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimit të banesave dhe ndryshimi vjetor i indeksit të çmimit të banesave ndaj vlerës së qirasë. Këta trgues përmblidhen në indeksin e Treguesit të Paralajmërimit të Hershëm (TPHP)

Në fund të tremujorit të dytë të vitit 2023, vlera e indeksit TPHP rezultoi 0.49, më poshtë vlerës së tremujorit pararendës, 0.53, dhe duke rënë lehtësisht nën vlerën e pragut krahasues (0.5) për herë të parë gjatë dyvjeçarit të fundit.

Kjo pasqyron sidomos vijimësinë e prirjes rënëse, si në terma vjetorë ashtu edhe tremujorë, të ritmit rritës të portofolit të kredisë për pasuri të paluajtshme. Ngadalësimi i ritmit rritës të këtij portofolit vijon që prej tremujorit të parë të vitit 2022 dhe vlerat e nëntreguesit mbeten ndjeshëm nën mesataren historike.

Nga ana tjetër, indeksi i çmimit të banesave, ndonëse regjistron vlera më të larta në terma vjetorë në fund të 6-mujorit I 2023, ka vijuar të ngadalësojë ritmin e rritjes për të dytin tremujor radhazi. E njëjta prirje vërehet edhe në ecurinë e raportit të këtij nëntreguesi kundrejt atij të qirasë. Pavarësisht këtij zhvillimi, vlera e këtij nëntreguesi vijon të qëndrojë ndjeshëm mbi mesataren historike. Sipas Bankës së Shqipërisë, ecuria e këtyre dy nëntreguesve, të cilët priren të përforcojnë ecurinë e njëri-tjetrit, monitorohet ngushtësisht. Qëllimi është që, duke përdorur edhe informacionet që lidhen me ngarkesën me borxh të familjeve, të identifikohen dhe parandalohen situatat në të cilat ecuria e çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme është e paqëndrueshme. Së fundi, edhe nëntreguesi i intensitetit të kredisë për ekonominë ka vijuar të bjerë për të tretin tremujor radhazi, si në terma vjetorë ashtu edhe tremujorë.

Mbështetur në të dhënat dhe analizën e treguesve të mësipërm, Banka e Shqipërisë ka arritur në përfundimin se, pavarësisht disa zhvillimeve në tregues të caktuar që kërkojnë monitorim të kujdesshëm, rreziqet që lidhen me kreditimin e tepërt mbeten ende në nivele të kontrolluara. Për këtë arsye, norma e shtesës kundërciklike të kapitalit do të vijojë të jetë zero./monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne