Kroacia bllokon anijen siriane që u arratis nga porti i Durrësit, nis kontrolli në Rijeka

Bllokohet në Kroaci anija siriane “Seascaner”, e cila u largua në orët e para mëngjesit të së shtunës pa njoftim dhe pa leje nga Porti i Durrësit. Aktualisht anija ndodhet në radën e jashtme të portit të Rijekës në Kroaci, ndërsa pas kërkesës së palës shqiptare është bllokuar. Sipas burimeve të Report Tv, Kapiteneria e Durrësit kontaktoi me homologët në Rijeka duke gjetur mbështetjen për sqarimin e ngjarjes.

Kërkesa e Kapitenerisë së Durrësit ishte që anija të bllokohej, pasi është larguar nga porti shqiptar pa plotësuar dokumentacionin. Ndërsa pas bllokimit, kroatët do të nisin kontrollin për dokumentacionin dhe fillimin e hetimeve, pasi anija ka kryer shkelje të kodit detar ndërkombëtar, pasi nuk është zbatuar dokumentacioni i portit të fundit nga ky ka dalë.

Report Tv ka mësuar se anija “Seascaner” me flamur të Sierra Leones kishte sjellë më 26 qershor 6 mijë tonë kripë në Durrës. Sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë Detare, Paulin Ndreu, pas shkarkimit të sasisë 5500 ton, drejtuesit e anijes kanë hyrë në konflikt me pritësin e mallit, i cili nuk ka pranuar të marrë pjesën e mbetur prej 500 ton kripë, pasi ka rezultuar se ajo ka qenë përzier me qymyr. Palët nuk kanë rënë dakord për sasinë e mbetur të kripës 500 ton.

Ndërkohë për të mos penguar shkarkimin e anijeve të tjera që prisnin anija “Seascaner””ka dalë në Radën e Portit Durrës, prej nga ku është larguar pa njoftim dhe pa plotësuar asnjë dokument në orën 3:00 të mëngjesit të djeshëm. Ky largim pa njoftuar ngre një sërë dyshimesh se çfarë ka patur tjetër në bord, përveç ngarkesës së deklaruar. Në të shkuarën trafikanët e qenieve njerëzore kanë përdorur dhe vijojnë të përdorin mjetet e lundrimit për trafikun e refugjatëve.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne