Kryebashkiaku i Moskës vendosi karantinë për personat mbi 65 vjeç

Kryetari i qytetit të Moskës, Sergey Sobyanin, shpalli karantinë për personat mbi 65 vjeç dhe njerëzit me probleme kronike.

Masat kufizuese hyjnë në fuqi duke filluar nga 26 marsi, tha Sobyanin në një deklaratë të publikuar në faqen e tij zyrtare.

“Natyra e koronavirusit është e tillë që kryesisht paraqet kërcënim për jetën dhe shëndetin e të moshuarve dhe personave me sëmundje kronike dhe imunitet të ulët. Kështu që detyra jonë kryesore është t’ju mbrojmë”, tha ai.

“Nga 26 marsi deri më 14 prill, qytetarët e Moskës mbi 65 vjeç dhe ata që vuajnë nga sëmundje kronike si diabeti, astma, sëmundja kronike e veshkave, apo kanceri, si dhe ata që kanë pësuar sulm në zemër ose goditje në tru kërkohet të respektojnë regjimin shtëpiak. Nëse jeni duke punuar, ju lutemi mos shkoni në punë”, tha Sobyanin.

Kryebashkiaku publikoi një numër telefoni të qendrës vullnetare, duke u kërkuar njerëzve që të përdorin ndihmën e vullnetarëve në raste të domosdoshme për të blerë ushqim ose ilaçe, dhe informoi për një pagesë një herëshe për të kompensuar shpenzimet gjatë izolimit.

Në një deklaratë tjetër, kryeministri i Rusisë, Mikhail Mishustin, po ashtu u kërkoi të moshuarve të qëndrojnë në shtëpi dhe të shmangin tubimet.

Të hënën, numri i rasteve nga koronavirusi në Rusi është rritur në 438, ndërsa 71 pacientë të rinj u diagnostikuan me infeksionin vdekjeprurës gjatë 24 orëve të fundit./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne