Kryebashkiaku Veliaj përdor sërish të miturit për propagandë

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei

Dje kryebashkiaku Erion Veliaj postoi disa foto në profilin e tij në Instagram ku shfaqen nxënës në bankat e shkollës që mbajnë në duar një letër të dërguar nga Veliaj me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.

Kjo nuk është hera e parë që Veliaj përdor foto të të miturve, pa pëlqimin e tyre apo të prindërve për përfitime politike.

Në profilet e tij në rrjetet sociale, Veliaj poston shpesh foto duke mbajtur apo prekur fëmijët.

Në letrën dërguar nxënësve, kryebashkiaku Veliaj promovon haptazi disa nga projektet e bashkisë në qytet, përfshi dhe rindërtimin e diskutueshëm të Piramidës me projektin e arkitektit holandez Winy Maas të studios MVRDV.

Veliaj përmend dhe maratonën e Tiranës, organizuar nga Bashkia Tiranë më 13 tetor, në të njëjtën datë që presidenti Meta ka dekretuar zgjedhjet vendore.

Kryebashkiaku Veliaj e ka portretizuar veten mes të rinjve si hero, megjithëse po shkatëron në mënyrë të vazhdueshme hapësirat rekreative në Tiranë,- së fundmi viktima është Parku Rinia, – dhe po dëmton jetesën e qytetarëve përmes lejeve të shumta të ndërtimit për kulla betoni.

Po ashtu plani i Veliajt për të ndërtuar shkolla të reja përmes kontratave me partneritete publike-private do t’i kushtojë miliona euro taksapaguesve shqiptarë për dekadat e ardhshme. Këto kontrata u japin kompanive private mundësinë e përdorimit pas orarit të mësimit të ndërtesave të shkollave publike për përfitimin e tyre, duke krijuar një mjedis arsimor të pasigurt për nxënësit.

Në të njëjtën kohë, sistemi publik shkollor është shndërruar në një makineri për blerjen e votave, ku drejtorët dhe mësuesit mbledhin vota, të detyruar nga drejtuesit e PS-së, siç u tregua nga përgjimet e publikuara nga BILD për zgjedhjet në Dibër.

E parë në këtë kontekst, letra e dërguar nga Veliaj dhe postimi i fotove të të miturve në llogarinë e tij në Instagram, është pjesë e një tendence të vazhdueshme për të politizuar nxenësit e shkollave dhe për të marrë përfitime politike nga pozioni i tij politik./ exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne