Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës: Anulohet namazi i Bajramit për shkak të COVID-19

Në Kosovë nesër nuk do të falet namazi i Bajramit për shkak të situatës epidemiologjike me koronavirusin e ri (COVID-19), bëri të ditur kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava.

Tërnava theksoi se përveç anulimit të namazit të Bajramit, falja në dhjetë ditët e ardhshme në të gjitha xhamitë e Kosovës është anuluar. Ai tha se Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës e mori këtë vendim me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik të popullatës.

Po ashtu, ai bëri thirrje që të shmangen vizitat familjare dhe miqësore me rastin e Kurban Bajramit, dhe besimtarët të përmbahen nga duarshtrëngimi dhe përqafimet tradicionale kur urojnë festën.

Në mesazhin e tij të urimit me rastin e Bajramit, myftiu Tërnava theksoi se në këtë festë ndjenjat janë të përziera meqë për shkak të pandemisë së COVID-19, Kurban Bajramin nuk e presin siç duhet dhe për shkak se sot në Arafat mungojnë miliona besimtarë muslimanë nga mbarë bota, si edhe nga Kosova.

“Pandemia e virusit COVID-19 ka çrregulluar rrjedhën normale të jetës në botë dhe në vendin tonë, andaj këtë Bajram e presim në një gjendje të rëndë të pandemisë dhe sot i lutemi Zotit xh.sh ta kalojmë këtë sfidë të pandemisë që na goditi sa më shpejt dhe të festojmë Bajramin e ardhshëm tradicionalisht si gjithmonë”, tha myftiu i Kosovës.

Ai apeloi që të respektohen masat anti-COVID-19, të ketë mirëkuptim, disiplinë dhe solidaritet, me kujdes të veçantë ndaj atyre që u nevojitet ndihma.

“Ta festojmë Bajramin duke iu lutur Zotit që të mëshirojë të gjithë ata që janë prekur nga COVID-19, të prekurve t’u sigurojë shërim të shpejtë, ndërsa neve na mbetet të jemi të kujdesshëm për të parandaluar përhapjen e këtij virusi në mënyrën më të organizuar”, tha myftiu Tërnava./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne