Kur kopshti të jep ca leksione mbi shtetin

Nga Anjeza Xhaferaj*

Djali yt nuk pranohet në kopsht. Kështu më tha drejtoresha e kopshtit sot. Pyetjes sime se pse ju përgjigj duke listuar një sërë kërkesash që mesa duket unë dhe për pasojë edhe djali im nuk i plotësonte andaj edhe aplikimi i tij i parë (kështu e quajti drejtoresha – aplikim) nuk doli me sukses. Unë punoj në privat. Për pasojë nuk mund ta regjistroj djalin në një kopsht shtetëror. “Ti mund të vish me vonesë më tha”. Po kështu, nuk jam as e divorcuar, as vejushë, dhe hipotetikisht djali im ka gjyshe që duhet ta mbajë, meqë shteti nuk ka takat për ta mbajtur. Përveç goditjes së ‘jo-së’ që mora, mora edhe një goditje tjetër: nuk e paskësh ditur deri më tani se cilat janë funksionet e shtetit. Ja pra, ku mi shpjegon shpejt e shpejt për dy minuta drejtoresha dhe ma mbyll gojën. Nuk kam ç’them. Madje ndjehem edhe pak keq që paskam dashur tu hyj në hak të gjitha të divorcuarave, vejushave dhe atyre që punojnë në shtet të cilat mesa duket paskëshin aplikuar tek i njëjti kopsht që synoja dhe unë.

 

Po taksat që paguaj, i thashë, nuk vlejnë për gjë? Nuk paskam të drejtë të marr shërbim shtetëror? Më vjen keq – tha- taksat mund t’i paguash, por jo të gjithë mund të regjistrohen në shtetëror. Dhe unë, që pas gjithë atyre kronikave televizive mbi shtimin e kapaciteteve të çerdheve, kopshteve e shkollave e kisha fjetur mendjen, m’u faneps shpirti i mirë me buzëqeshje rrezëllonjëse që premtonte për përmirësim të ndjeshëm të situatës. Mirëpo ja që këtë fat të mirë, në kopshtin e lakmuar nuk e paska djali im. Dhe fajtore për këtë jam unë: punoj në privat (se të tjerat nuk mi nxë goja). Po mirë, i thashë, shteti duhet t’i jetë mirënjohës privatit që i punëson burimet njerëzore, përsa kohë që vet nuk është në gjendje ta bëjë. Atëherë pse i penalizon? Këto janë rregullat, tha. Ka prioritet. Dhe unë që, siç çdo nënë ëndërroja shkolla të mira për djalin tim, nuk arrij as ta ‘rregulloj’ tek ky i bekuar kopsht në rrugën “Fortuzi”.

Ajo që nuk m’u tha ishte se megjithatë ku duhet ta çoj djalin. Sigurisht, pas çdo sqarimi shoh supe që mblidhen me keqardhje, por që nuk më thonë asgjë. ‘Më vjen keq. Mund ta vë në listë pritje për të ndenjur deri në orën 12:30’. Edhe mua më vjen keq. Po shumë keq ama. Shteti më detyron të paguaj në një kopsht privat për një shërbim që është i detyruar të ma japë ai. Të çuarit e fëmijës në kopsht privat duhet të jetë alternativë, që varet nga dëshira e prindërit dhe jo obligim. Por shteti, me kapacitetet tejet të kufizuara e kthen atë në obligim, sepse në hapësirën ku banoj unë, ndërsa ka veçse një kopsht shtetëror, unë di të paktën tri kopshte private.

Vras sërisht mendjen, për shtetin modern shqiptar që mbështetet në solidaritetin familjar, tribal: fëmijën mund ta mbajë gjyshja. Apo mos vallë, larg qoftë, edhe shteti është tribal, dhe ne veç fantazojmë për modernitetin e tij?

Është e qartë që situata e kopshteve (se mos vetëm ajo) është për të ardhur keq. Kapacitetet janë tejet të vogla, dhe në një vend ku ka një mbizotërim të ekonomisë informale, ku njerëzit punësohen në shtet në varësi të përkatësisë partiake dhe lidhjeve klienteliste, ata që përfitojnë nga ‘të mirat’ e shtetit janë të paktë. Në fakt është krijuar një rreth vicioz: fiton me ‘ndershmëri’ punën në shtet dhe për pasojë edhe të mirat që burojnë prej saj të vijnë natyrshëm dhe gjithaq ‘ndershmërisht’.  Dhe ne të tjerët mbetemi të flakur në hapësirën private që me aq bujari na e ofron shteti.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne