Shqiperia

Kush ka lidhje me Sorosin? Sherri Basha-Selami në Korçë

Lulzim Basha dhe Eduart Selami shkëmbyen replika në lidhje me marrëdhëniet e tyre me organizatën e miliarderit amerikan Xhorxh Soros.

Gjatë prezantimit të platformave të tyre para demokratëve në Korçë, një i pranishëm i pyeti të dy kandidatët, se cili ishte pozicioni i tyre në raport me Sorosin.

Selami u shpreh i pari, duke thënë se ai nuk ka asnjë lidhje me ketë organizatë dhe as me vetë Xhorxh Sorosin. Fakti që bashkëshortja e tij, gazetarja Ilva Tare drejton fondacionin e Xhorxh Soros në Shqipëri, për Selamin nuk thotë gjë. Ai deklaroi se ky fakt nuk ka asnjë ndikim në vendimmarrjen e tij.

Edhe Lulzim Basha mohoi të ketë lidhje me miliarderin. Ai e konsideroi organizatën e Soros si mbështetëse të socialisteve dhe Edi Ramës.

Selami i kërkoi Bashës të jetë i sinqertë dhe të tregojë që fondacioni Soros i ka paguar bursën për studimet e tij në Holandë. Basha e kundërshtoi. Ai tha se bursën e ka marrë nga një fondacion tjetër.

Por, Selami shtoi se Lulzim Basha sëbashku me Grida Dumën e kanë falenderuar publikisht Xhorxh Sorosin për mundësimin e studimeve, dhe se për këtë ekzistojnë edhe filmime.

Basha është akuzuar shpesh herë se ka lidhje me miliarderin amerikan. Ai i ka hedhur gjithmonë poshtë këto akuza.

Selami nuk është akuzuar më parë se ka lidhje me Soros, përpos faktit të sjellë në vëmendje sot në Korçë, se bashkëshortja e tij drejton fondacionin e Soros në Shqipëri.

Selami dhe Basha akuzuan njëri-tjetrin për lidhje me miliarderin Soros. Por, kur Soros vizitoi Tiranën më 5 dhjetor 2014, në takim ishin edhe Basha, edhe Selami.

OPINIONE