Bota

Luftë televizve për serialin “Chernobyl”. Pas HBO, rusët njoftojnë xhirimin e variantit të ri

Seriali “Chernobyl” i prodhuar dhe shfaqur online nga HBO ka provokouar reagime në Rusi. Seriali ka patur shumë sukses dhe ka marrë si temë kryesore shpërtimin e reaktorit bërthamor në Chernobyl të Ukrainës në vitin 1986, ngjarje e cila konsiderohet katastrofa më e madhe në këtë fushë qëkurse bota hyri në erën nukleare.

Mediat ruse i kanë kushtuar rëndësi realizimit amerikan duke sjellë në vëmendje edhe reagimet e njerëzve të ndryshëm. Interpretimet e bëra variojnë. Gazeta me tirazhin më të lartë në Rusi, Komsomolskaja Pravda shkruan se janë konkurentët e qendrës atomike ruse Rosatom, ata që duan të diskreditojnë imazhin e vendit si fuqi atomike.

Por akuza kryesore ndaj serialit është teza e hedhur prej tij sipas të cilës autoritetet sovjetike kishin frikë të pranonin gabimet e veta dhe se kjo mëdyshje çoi në pasoja të tmerrshme. Për ta kundërshtuar këtë pretendim, mediat sjellin si kundërfakt një artikull të shkruar nga shkencëtari sovjetik që drejtoi ekipin për menaxhimin e situatës në atë kohë, Valery Legasov, i cili kritikonte menaxhimin në tërësi të industrisë bërthamore. Artikulli iu dorëzua gazetës Komsomolskaja Pravda e cila nuk e botoi.

Izolimi i shkencëtarit në fjalë pati pasoja tragjike. Ai vari veten dhe dy javë pas kësaj ngjarjeje gazeta e botoi artikullin e tij në vitin 1988.

Gazeta kritike me Kremlinin zyrtar, “The Moscow Times” shkruan se ankesa kryesore e linjës filoqeveritare është një lloj xhelozie e cila mbështetet mbi idenë se vetëm rusët kanë të drejtë të flasin për historinë e tyre.

Kundërpërgjigja nuk do të mungojë. Kanali rus, NTV, ka njoftuar tashmë se do të xhirojë variantin e vet të “Chernobyl” bazuar në premisën se aksidenti tragjik ishte një sabotim I shërbimit amerikan të inteligjecës, CIA. Kështu nëse amerikanët janë kujtuar të parët që të ndajnë për audiencën heronjtë dhe të këqinjtë për këtë ngjarje, rusët do të bëjnë të kundërtën. Do të akuzojnë amerikanët si shkaktarë të tragjedisë./respublica

OPINIONE